Home Sociale Zjarri në Komisariatin e Kamzës/ Publikohet denoncimi i nënës së viktimës: Djali...

Zjarri në Komisariatin e Kamzës/ Publikohet denoncimi i nënës së viktimës: Djali më dhunonte, mori bombolën e gazit dhe na tha se do na digjte të gjithëve

26-vjeçari Arben Mici, i cili gjeti vdekjen nga zjarri që se e vuri vetë në Komisariatin e Kamzës, ishte shndërruar në një makth për familjen e tij! Vetë nëna e tij në denoncimin e saj ka tronditur me deklaratat për mënyrën se si i biri sillej me të dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Report Tv ka siguruar denoncimin e nënës në polici, e cila e detyruar nga dhuna, ka kërkuar ndihmë nga autoritetet.

Nëna ka thënë se me datën 22 mars ai e kishte kërcënuar se do t’i vinte flakën shtëpisë dhe do t’i digjte të gjithë, pasi ajo i kishte refuzuar t’i jepte para.

Nëna e gjashtë fëmijëve ka deklaruar se ajo banon me bashkëshortin, dy djemtë e saj, njëri prej cilëve Arben Mici, i pamartuar dhe që prej gjashtë vitesh ushtronte dhunë psikologjike ndaj saj duke e shoqëruar me sharje, ofendime e kërcënime.

26-vjeçari ka dhunuar nënën e tij por ka pasur raste kur në gjendje të dehur ai kërcënonte të gjithë familjen.

Kjo ka ndodhur në një rast kur Arbeni në gjendje të dehur i ka kërkuar para nënës së tij, ajo nuk ja ka dhënë dhe ai ka filluar duke e sharë e ofenduar me shprehjet si “K…. Rruspi, ti shkon me njerëz. Unë nuk jam i yti jam dikujt tjetër e shume te tjera”, dhe e ka kërcënuar me fjalë se “Do të ther”.

Me pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj duke e gjuajtur me grushte, shkelma, në trup dhe në kokë. Në këtë moment nëna ka njoftuar policinë dhe është paraqitur në Komisariat ku ka bërë kallëzim e saj penal dhe është pajisur me Urdhër Mbrojtje.

Në mënyre të përsëritur Arben Mici ushtronte dhunë psikologjike ndaj saj dhe një gjë e tillë kishte ndodhur me datë 22 mars pasdite, kur ai ka hyrë në banesë duke bërtitur duke i kërkuar lekë dhe ajo nuk ja kishte dhënë. Në këtë moment Arben Mici ka kapur telat e korrentit për të fikur dritat, më pas ka dalë nga banesa, ishte kthyer përsëri dhe ka hyrë tek dhoma e kuzhinës duke tentuar të hapë bombolën e gazit, duke e kërcënuar “Se do t’ju djeg të gjithëve brenda, do t’ju theri te gjithëve”, por nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, pasi aty kanë qenë të pranishëm dhe pjesëtaret e tjerë të familjes.

Sot u konfirmua se 26-vjeçari Arben Mici ishte ai që i vuri zjarrin qelisë në Komisariatin e Kamzës dy ditë më parë, duke shkaktuar një ngjarje të rëndë, viktimë e së cilës u bë pikërisht vetë ai. Mësohet se në qelinë ku ndodhej Arben Mici u gjet një paketë duhani me tetë filtra, ndërsa në trupin e tij iu gjetën nëpër xhepa pesë cigare, një paketë, si dhe një çakmak me ngjyrë blu, me të cilin i vuri flakën dyshekut.

I riu, i arrestuar pasi dhunoi të ëmën, ka qenë një person problematik, ndërsa në 5 vite ishte shoqëruar 22 herë në polici. Paraprakisht u dyshua se Mici e thuri planin e zjarrvënies bashkë me të arrestuarin tjetër, Dilaver Idrizin, me qëllimin për t’u arratisur, por një tezë e tillë ka rënë. Vetë Idrizi deklaroi se zjarrin e kishte vënë Mici dhe se ai ishte nxjerrë jashtë qelisë nga polici Hajredin Boja, i cili mbeti i asfiksuar. Familjarët e 26-vjeçarit kanë deklaruar se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.