Home Maqedonia Xhaferi: Nuk jemi “kukulla” të Gruevskit

Xhaferi: Nuk jemi “kukulla” të Gruevskit

xhaferiZëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, këmbëngul se ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrime(BDI) nuk janë “kukulla” në qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Sipas Xhaferit, ata politikanë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile që thonë se ministrat shqiptarë janë vetëm dekor në ekzekutivin maqedonas, janë të margjinalizuar dhe flasin nga xhelozia.

“Nuk është e drejtë të thuhet se elektorati shqiptar qenka i verbër dhe në vazhdimësi po e zgjedh një subjekt politik që është vetëm dekor në Qeverinë e Maqedonisë”, thotë Xhaferi.

Ai më tej shton se pozita e shqiptarëve në Maqedoni ka ndryshuar pozitivisht me Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse pranon se ka rezistencë të plotë nga pala maqedonase për implementimin e plotë të saj. Numri dy i Qeverisë së Maqedonisë, i ngarkuar me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se kjo marrëveshje nuk i kënaq kërkesat e shqiptarëve. Xhaferi pranon se projekti “Shkupi 2014” është provokim për shqiptarët, mirëpo, siç thotë ai, provokim edhe më i madh është për Greqinë.