Home Rajoni Vuçiç për planin franko-gjerman: S’e kam refuzuar, as pranuar

Vuçiç për planin franko-gjerman: S’e kam refuzuar, as pranuar

“As se kemi refuzuar, as se kemi pranuar”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku është pyetur për planin franko-gjerman gjatë një interviste në TV Prva këtë të diele.

“Nuk e kam komentuar asnjëherë në detaje, edhe pse përgjigjen e kemi shkruar në letër, po të më pyesni nuk them se e kemi refuzuar, as që e kemi pranuar”, thotë Vuçiç.

Megjithatë, thotë se është i gatshëm të flas për planin e lartcekur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Jemi gati për bisedime. Dhe ne jemi të gatshëm të flasim në bazë të atij plani”, shtoi ai.

Por – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë theksoi se Vuçiç e kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Madje, ai potencoi se situata e krijuar në Veri pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës lidhet ekskluzivisht me faktin se Beogradi ka refuzuar propozimin franko-gjerman.

“Ata e kanë diskutuar këtë propozim në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe ai është refuzuar në mënyrë unanime. njoftimi u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në të shkuarën ka qenë zëdhënës i Millosheviçit. Ai tha se e kishin refuzuar propozimin franko-gjerman dhe më pas sajuan këtë dorëheqje kolektive nga institucionet tona, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë”, ka shtuar ai.

Më 26 tetor, Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se detajet e propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi do të bëhen publike shumë shpejt.

“Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”, pati pohuar Escobar në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’.

Albanian Post ekskluzivisht me 18 shtator pati publikuar propozimin franko-gjerman, ku tregohej në pika se si është përpiluar një plan për arritjen e një marrëveshje, e bazuar në modelin e dy Gjermanive, e cila parashihte njohje de fakto, por jo eksplicite dhe kishte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda.

Një muaj më vonë, me 19 tetor AP publikoi edhe një tekst me titullin “Grundlagenvertrag apo Plani Gjermano-Gjerman, lexojeni si është arritur dhe si duket Kosova me këtë propozim”, ku shpjegohej në detaje se çfarë është plani gjerman dhe si implementohen pikat e atij plani në rastin e Kosovës.

Në pjesën “Çfarë përmbante marrëveshja për normalizim?”, shpjegohen edhe pikat e marrëveshjesh.

Previous articleMedvedev: Kievi ka qenë gjithmonë i Rusisë dhe duhet t’i kthehet
Next article10 pyetjet që ju afrojnë edhe më shumë me partnerin