Home Sport Volejboll meshkuj/ Teuta e para në Top Volej Liga

Volejboll meshkuj/ Teuta e para në Top Volej Liga

teuta volejbollTEUTA-TIRANA 3-0 (25-16, 25-12, 25-20)
TEUTA: A.Dashi, J.Dashi, Medenica, Pepaj, Myftari, Renovica, Rrashketa, Vora. Trajner: H.Nakovski
TIRANA: Ferhati, G.Lundra, Ndoni, Batalli, Xhija, Kono, A. Lundra, Kasemi, Malaj, Musa, Xhabrahimi. Trajner: I.Koja
GJYQTARË: E.Mujo, R.Kuka

Teuta në volejbollin e meshkujve regjistroi një tjetër sukses në javën e gjashtë dhe të fundit të Top Volej Liga. Pas fitores të javës së kaluar ndaj Studentit, durrsakët mposhtën pastër 3-0 një tjetër ekip kryeqytetas, Tiranën. Ndeshja, e cila zgjati rreth një orë, u dominua nga fillimi në fund prej bregdetarëve. Që në setin e parë Teuta u imponohet kryeqytetasve, duke ushtruar shumë presion dhe me një lojë efikase në grup e përvetëson këtë fraksion 25-16. Në të dytin trajneri i kryeqytetasve tenton të ndryshojë diçka, duke futur në lojë katër lojtarë nga stoli. As kjo nuk jep rezultat, pasi durrsakët diktojnë sërish, duke përfituar edhe nga gabimet dhe vendosja e kundërshtarit. Gjuajtjet e Nikola Renovicës, Vuk Medenicës, por edhe ato të kapitenit Jurgen Dashi rezultojnë shumë të forta për bllokun e Tiranës. Seti i tretë ka tjetër ritëm. Miqtë nga Tirana futen në parket më të vendosur dhe të organizuar, duke shpresuar të rihapin takimin. Deri në pikën e 14-të arrijnë t’ia dalin, duke qenë superiorë në pikë ndaj vendësve (11- 14). Më pas volejbollistët e Teutës marrin situatën në dorë. Fillimisht zhvlerësojnë avantazhin në pikë të bardhebluve dhe, më pas, pikë pas pike e fitojnë edhe këtë set, duke e mbyllur takimin këtu. Në këtë mënyrë ekipi durrsak merr kreun e renditjes.

Previous articleTeuta fiton sërish, vazhdon të ndjekë Skënderbeun
Next articleSadiku shënon sërish, bëhet heroi i Luganos