Home Ekonomia Vlerësimi i pronave/ 5 mënyra për llogaritjen e vlerës: Krahasimi, investimi, fitimi,...

Vlerësimi i pronave/ 5 mënyra për llogaritjen e vlerës: Krahasimi, investimi, fitimi, amortizimi e zhvillimi

Përmbaruesit do t’i drejtohen ekspertëve për të vlerësuar pasuritë e paluajtshme në process ekzekutimi, të cilët do të bazohen në një metodologji të mirë përcaktuar për përllogaritjen sa më të saktë të vlerës reale të pronës. Përmes një vendimi të publikuar këtë javë në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar pesë metodat që do përdoren për vlerësimin e pronave: a) metoda e krahasimit të drejtpërdrejtë; b) metoda e investimit (metoda e kapitalizimit të të ardhurave të investitorit); c) metoda e fitimit; ç) metoda e kostos së zëvendësimit të amortizuar; d) dhe metoda e zhvillimit.

Metoda e krahasimit të drejtpërdrejtë përdoret për vlerësimin e tipave të pronave për të cilat ka informacion të mjaftueshëm mbi shitjet paraardhëse.

Metoda e investimit përdoret për vlerësimin e pronave të cilat japin të ardhura të vazhdueshme në kohë, duke dhënë vlerën e tregut të shitjes së pronës, ku përfitimi i kësaj prone është në formën e një të ardhure mujore ose vjetore. Kjo metodë bazohet në marrëdhënien midis vlerës, të ardhurave dhe normës së kthimit.

Për përcaktimin e vlerës së normës së kapitalizimit, eksperti duhet të mbajë parasysh disa faktorë, duke përfshirë: vendndodhjen e pronës; b) aspektet fizike të pronës: ndërtimi, cilësia e përfundimeve e të tjera; modelet e natyrës, gjatësisë dhe rishikimit të qirasë; si dhe detyrimet e palëve përkatëse në çdo kontratë qiraje.

Me metodën e fitimit përcaktohet vlera e pronës bazuar në fitimin neto të realizuar, sipas bilancit të 3 viteve të fundit të aktivitetit që zhvillohet në këtë pasuri.

Metoda e kostos së zëvendësimit të amortizuar përdoret për prona, të cilat nuk kanë prova të çmimeve të transaksioneve për prona të ngjashme ose kur nuk mund të identifikohen flukse të ardhurash që do të burojnë për pronarin e pronës objekt vlerësimi. Sipas metodës së zhvillimit, vlera e tokës përcaktohet si diferencë e vlerës së tregut të pronës pas zhvillimit me koston e zhvillimit. Në koston e zhvillimit përfshihen shpenzimet e përgjithshme të përmirësimit ose zhvillimit, si dhe fitimi i zhvilluesit të pronës.

 

SOURCELorenc Rabeta / SCAN
Previous articleA do kemi shtrëngim të masave anti-COVID në Shqipëri? Komiteti Teknik i Ekspertëve jep njoftimin e rëndësishëm
Next articleQeveria vendos t’u japë shpërblim pensionistëve për fundvit, zbardhen dy shumat që po diskutohen