Home Politike VIDEO/ Bllokimi i negociatave/ Rama për ‘France24’: Procesi si pilulë kundër depresionit!...

VIDEO/ Bllokimi i negociatave/ Rama për ‘France24’: Procesi si pilulë kundër depresionit! Nuk jemi ne të ngadaltë, por BE-ja

Kryeministri Edi Rama nuk i ka ndalur kritikat kundër Bashkimit Evropian dhe politikës së këtij unioni sa i përket zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas “jo-së” që mori një ditë më parë, kreu i qeverisë ka dhënë një intervistë për ‘France24’ ku tha se nuk është Shqipëria ajo që ka bërë një proces të ngadalë drejt BE.

“Nuk është Shqipëria që ka bërë progres të ngadaltë drejt BE-së, por BE-ja është ngadalësuar. Nuk jam i frustruar, por tepër i trishtuar nga dëshmia e Bashkimit Europian për të përmbushur premtimin e dhënë ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shprehet Rama.

Statusin e kandidatit në BE, kryeministri Rama e përshkruan: “si një lloj pilule kundër depresionit për të rritur moralin e vendeve”.

Më herët kreu i qeverisë dha edhe një intervistë për median italiane ‘Corriere della Sera’, në të cilën theksoi se është koha që të hiqet unanimitet në vendimmarrjen e Bashkimit Europian.

Këto reagime vijnë pas Samitit të BE-së që u mbajt një ditë më parë në Bruksel, ku sërish Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut nuk iu çelën negociatat, një vendim që pritet për shkak të vetos Bullgare që ka mbajtur peng 2 vendet e NATO-së, prej vitesh.