Në periudhën korrik-gusht u prek nga koronavirusi edhe ish-deputeti i PS, Fatmir Toçi. Ai qëndroi 55 ditë në regjim shtrati nga të cilat 45 ditë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ditë në të cilat humbi 20 kg. 70 % e mushkërive të tij u prekën nga koronavirusi. Mirëpo gjatë asaj periudhe të vështirë, ish deputeti Fatmir Toçi aq sa ka qenë i ndërgjegjshëm dhe i mundshëm për të shkruar ka mbajtur disa shënime, disa pika që në vijim të botonte një ditar.
Ish-deputeti rrëfeu sot në “Wake Up” betejën e vështirë dhe bëri një thirrje të rëndësishme e konkrete sensibilizimi për të respektuar masat për veten dhe të tjerët përballë këtij virusi vdekjeprurës.
“Kam parë të vdesin me dhjetëra njerëz, që nuk kanë mundur t’ia hedhin me gjithë kujdesin e pazakontë, deri në çastet e fundit. Je në një sallë me 10-12 shtretër ku ka një shërbim të pazakontë, ku do të thosha 12 të sëmurë ka 30 veta që janë personel. Imagjinoni çfarë shërbimi bëhet për të mbrojtur jetën. Por, problemi i madh i shqiptarëve dhe i imi është se ne i drejtohemi mjekut dhe spitalit atëherë kur është shumë vonë, atëherë kur askush nuk ka çfarë të na bëjë më. Duke parë gjithë këto skena, ku njerëzit ndërronin jetë, imagjinoni si i përjeton një njeri kur sheh 2-3 të pajetë. Ky virus po ndryshon shoqërinë, po ndryshon gjithë botën mbarë, marrëdhëniet e të gjitha sferave, kontaktet po reduktohen, po ndryshon marrëdhëniet ekonomike”, tregoi ai.