Home Rajoni Turqia duhet të ndalë flirtet me Putinin dhe të mbajë anën e...

Turqia duhet të ndalë flirtet me Putinin dhe të mbajë anën e Perëndimit

Nga Josh Rogin “Washington Post”

Në samitin e NATO-s këtë javë, presidenti amerikan Joe Biden u takua për herë të parë në 1 vit me presidentin Recep Tayyip Erdogan, duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tij të vjetra me udhëheqësin turk. Por Turqia vazhdon që të luajë me të dyja palët e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Në rast se Uashingtoni është tani i gatshëm të “shkrijë akujt” me Ankaranë, marrëveshja e radhës duhet të përqendrohet në bindjen e Erdoganit për t’u rreshtuar në anën e Perëndimit dhe përkrah Ukrainës. Midis Biden dhe Erdogan nuk ka pasur ndonjëherë një raport të ngrohtë.

Kur ishte senator, Biden ishte një kritik i rregullt i Turqisë, pjesërisht për shkak të elektoratit të madh greko-amerikan në shtetin e tij të lindjes, Delaware. Si zëvendëspresident i SHBA-së, Biden u përplas disa herë me Erdoganin lidhur me hapat prapa të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Turqi.

Por pavarësisht antipatisë të tyre të ndërsjellë, Erdogan ka kërkuar prej kohësh afrimin me  Biden, që kur ky u zgjodh president. Telefonata e kësaj jave, dhe më pas takimi dypalësh në Madrid me presidentin e SHBA-së, i dhanë mundësi Erdoganit të projektonte veten tek populli i tij si një udhëheqës i rëndësishëm në skenën botërore, raporton abcnews.al.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor të qasjes së SHBA-së ndaj Turqisë. Megjithatë, zyrtarët e pranojnë privatisht se entuziazmi i kohëve të fundit administratës Biden për shitjen e afërt të avionëve luftarakë F-16 tek Turqia, dhe vendimi i Erdogan për të lejuar anëtarësimin në NATO-n të Suedisë dhe Finlandës, nuk është një rastësi.

Kjo tregon se pala amerikane është realiste mbi natyrën transaksionale të kësaj marrëdhënieje. Erdogan ka qenë gjithmonë – dhe do jetë ndoshta gjithmonë – një aleat problematik, që kërkon gjithnjë lëshime për të bërë gjënë e duhur. Ndërveprimet pozitive të kësaj jave Biden-Erdogan, ofrojnë mundësinë e një përmirësimi të konsiderueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, pas disa vitesh neglizhencë dhe mosbesim të ndërsjellë.

Nëse të dyja palët do të mundin të kenë vullnetin politik për të vazhduar përpara, hapi tjetër do të ishte rreshtimi i Turqinë përkrah Perëndimit në mbështejte të Ukrainës. Ekzistojnë shumë mënyra se si Turqia mund të jetë më mbështetëse për Ukrainën, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi mund ta bindin Erdoganin që kjo gjë është në interesin e tij. Turqia ka refuzuar jo vetëm t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, por ajo është gjithashtu një vend kyç për shmangësit e sanksioneve.

Kjo gjë duhet të ndalet. Një kompani turke e lidhur me familjen e Erdoganit, po i jep Ukrainës dronë ushtarakë të avancuar, dhe kjo është diçka pozitive. Por për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar më shumë armë turke, si sistemet kundër raketave, raketa, dhe aftësi të luftës elektronike.

Turqia mund të ketë një ndikim më të madh nëse ndihmon në çarjen e bllokadës detare ruse të portit ukrainas të Odesës. Duke parandaluar eksportet e drithërave, rusët po e tronditin ekonominë e Ukrainës dhe po nxisin një krizë globale ushqimore. “Mbështetja e dukshme e administratës Biden për shitjen e avionëve të rinj F-16 tek Turqia, mund të jetë vetëm fillimi i një strategjie për ta sjellë Ankaranë në gjirin e aleancës perëndimore, dhe ta nxisë qeverinë turke të distancohet nga diplomacia me Rusinë në favor të pjesëmarrjes në një përpjekje ndërkombëtare për të siguruar eksportet bujqësore ukrainase”- më tha Steven Cook, anëtar i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, një think-tank i njohur, raporton abcnews.al.

Erdogan njoftoi javën e kaluar, se qeveria e tij do të nisë bisedimet me Moskën për hapjen e “korridoreve humanitare” për eksportet e drithërave. Por kjo ka të ngjarë të jetë vetëm një dredhi e rusëve. Dhe kur të vërtetohet në fund  kotësia e kësaj përpjekjeje, Turqia do të detyrohet të vendosë nëse do t’u bashkohet partnerëve të Ukrainës për të lehtësuar eksportet ukrainase edhe pa lejen e Rusisë.

“Hapja e këtyre porteve mund të kërkojë një rol më të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Turqia është shumë e rëndësishme në këtë përpjekje, pasi është një fuqi e Detit të Zi dhe një vend që e kontrollon ngushticën e Bosforit”- thotë Cook.

Sigurisht, pritshmëritë që Erdogan do të shkëputet plotësisht nga miku i tij, presidenti rus Vladimir Putin, duhet të jenë të ulëta. Udhëheqësi turk, që përballet me një situatë të vështirë politike në shtëpi përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, është i motivuar të vazhdojë mobilizimin e ndjekësve të tij nacionalistë, duke i demonizuar Shtetet e Bashkuara përmes mediave të tij të kontrolluara nga shteti.

Por këshilltari i sigurisë kombëtarë të Joe Biden, Jake Sullivan, ka argumentuar prej kohësh mbi nevojën e një qasje më transaksionale në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Turqi. Sullivan e parashtroi këtë argument në një analizë të tij botuar në vitit 2018, të cilën ai e shkroi bashkë me Eric Edelman, ish-ambasador i SHBA-së në Turqi.

“Nuk do të ketë asnjëherë një afrim të plotë me Turqinë. Ajo që do të shohim është një seri marrëveshjesh në varësi të rrethanave të momentit. Dhe kjo nuk është diçka domosdoshmërisht e keqe”- më tha Edelman. Ka arsye të mira të mendohet që flirti i gjatë i Erdoganit me Putinin, nuk po i jep më atij ndonjë përfitim të dukshëm, raporton abcnews.al.

Turqia nuk duhet që ta shohë më Rusinë si një furnizuese të besueshme të armëve. Lufta në Ukrainë po ndihmon në rritjen e inflacionit në Turqi në nivele të paprecedenta, duke e rrënuar ekonominë e saj tashmë të lëkundur. Ndërkohë Turqia është përballur me forcat ruse në disa vende, si në Siri, Libi dhe Nagorno-Karabak.

Sigurisht, Shtetet e Bashkuara mund të presin nëse Erdogan do të bjerë nga pushteti pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Por s’ka asnjë garanci se cila qeveri që do ta pasojë, apo nëse ajo do të ishte një partnere më i mirë i sigurisë në Ukrainë. Erdogan është aleati problematik që ne e njohim tashmë, dhe për momentin, ai duket se është në gjendje të arrijë një marrëveshje.

Do të ishte më mirë që administrata Biden të ecte përpara në përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë, në vend se të shpenzojë kohë dhe energji diplomatike duke u fokusuar tek partnerët që kanë më pak aftësi apo vullnet për të ndihmuar, sikurse është Arabia Saudite. Përfshirja e plotë e Ankarasë në koalicionin anti-Putin, mund të jetë çelësi për ta ndihmuar Ukrainën t’i japë fund ngërçit aktual në fushën e betejës dhe të fitojë luftën.