Home Politike Tragjedia e 21 janarit, Taulant Balla thirrje SPAK: Merrni në dorë dosjen...

Tragjedia e 21 janarit, Taulant Balla thirrje SPAK: Merrni në dorë dosjen e vrasjes së Aleks Nikës

Deputeti socialist Taulant Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të marrë në dorë dosjen e vrasjes së protestuesit Aleks Nika. Sipas Ballës, kjo dosje nuk është mbyllur ende dhe nuk duhet të jetë me në juridiksionin e Prokurorisë së Tiranës.

“Nesër përkujtojmë 12 vjetorin e masakrës së bulevardit dhe të vrasjes së katër dëshmorëve të këtij vendi në protestën e 21 janarit 2011″, tha Balla, duke ju përgjigjur indirekt një deklarate të bërë sot nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e quajti protestën një “puç” të organizuar nga Edi Rama.

“Dua të theksoj se dosja në ngarkim të zyrtarëve më të lartë të asaj kohe, jo vetëm gardës së Republikës, jo vetëm Ministrisë së Brendshme por edhe atyre në krye të qeverisë, fakti është që një prej katër dëshmorëve Aleks Nika dosja e vrasjes së të cilit është një dosje e pa mbyllur. Familjarët e tij dhe unë gjithashtu i jemi drejtuar disa herë Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, SPAK-ut për të kërkuar që elementë të reja që kanë dalë në këtë dosje të hetohen.

Fakti është që ka patur dëmtime me dashje të provave gjatë vitit 2011 qoftë nga predha e gjendur në trupin e e të ndjerit por edhe elementë të tjera dhe që në vlerësimin tim edhe apeli im është që në 12 vjetorin e këtij krimi, dosja në ngarkim të personave të përfshirë në vrasjen e Aleks Nikës dhe ky krim të mos hetohet më nga Prokuroria e Tiranës por ti kalojë SPAK-ut.

Arsyeja është shumë e thjeshtë, personat e përfshirë në këtë krim shtetëror që i mori jetë 4 qytetarëve dhe u plagosën dhjetëra, janë persona që hyjnë në juridiksionin e Prokurorisë Speciale. 21 Janari është korrupsion, pra qytetarët shqiptarë dolën në bulevard për të kundërshtuar korrupsionin e asaj kohe, dhe në këtë këndvështrim unë mendoj që Prokuroria nuk duhet të rrijë duar kryq.

Theksoj edhe njëherë që dosja e 21 janarit në rastin e vrasjes së Aleks Nikës nuk duhet të vazhdojë të mbetet më nëpër sirtaret e Prokurorisë së Tiranës por duhet t’i kalojë Prokurorisë Speciale Antikorrupsion“, u shpreh Balla në një intervistë për Top News.

Previous articleJep dorëheqje bashkudhëheqësi i Netflixit
Next articleKë pritet të arrestojë SPAK? Gazetari Hoxha zbulon 3 çështjet që do kenë zhvillime