Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi si një “gabim të panevojshëm” thirrjen e kreut të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, që deklaroi të shtunën se se shqiptarët nuk duhet të votojnë për Fredi Belerin, kandidatin e PD në Himarë. I pyetur sot nga gazetarët, Berisha tha se kjo thirrje shkon në favor të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.
“Nuk kam asnjë mendim. Por nëse e ka bërë thirrjen, kjo shkon në favor të kundërshtarëve tanë. ka bërë një gabim të panevojshëm, në mendimin tim.”-tha Berisha.
Por çfarë deklaroi kreu i PDIU? Në një postim në rrjetet sociale, Shpëtim Idrizi tha se Beleri është njeriu i akuzuar për masakrën e Peshkëpisë dhe për këtë, shqiptarët nuk duhet ta votojnë.
“PDIU nuk i ka bërë kurrë thirrje mbështetësve të një partie tjetër politike se si duhet të votojnë, por sot është koha ti bëjmë thirrje shqiptareve të mos votojnë Fredi Bejlerin, njeriun e akuzuar për masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar me vendimin e Gjykatës Vlorë, me nr 224/24.9 2004 dhe me numër 302/ 26.12.2006, me 3 vite burg për dhunim të simboleve shtetërore shqiptare.
Shqiptarët nuk mund e nuk duhet të votojnë njeriun që bën edhe sot fushatë me flamurin e Vorio Epirit i cili advokon autonominë e Vorio- Epirit, që tenton të prekë tërësinë territoriale të Shqipërisë, atdheut tonë.”- shkroi Idrizi.
Sot pjesë e debatit u bë edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla që tha se “kandidimi i Belerit në Himarë është turp i Berishës”. Nga ana tjetër, vetë Beleri reagoi sot duke hedhur poshtë akuzat dhe duke thënë se Taulant Ballën do ta padisë me gjyq.