Loja e durrsakëve ndaj Shkumbinit riktheu kujtimin e sezonit të kaluar, kur pikërisht në fazën e dytë, ekipi nisi konkurrimin për vendin e parë. Marrja e 3 pikëve ndaj peqinasve u konsiderua si “detyrë shtëpie” për Teutën nga trajneri Magani. Dhe ashtu rezultoi. Përveç rezultatit të thellë, 3-0, ajo që la më shumë përshtypje në atë ndeshje ishte forma fizike e lojtarëve, të cilët dominuan në çdo aspekt. Normalisht, mbetet për t’u parë në javët në vijim kjo formë, por fitorja e fundit ka risjellë në vëmendje sezonin e kaluar, kur Teuta ndodhej me të njëjtën diferencë pikësh me Skënderbeun dhe titulli u vendos vetëm javët e fundit. Teuta aktuale ka në përbërje lojtarë të rinj, por që janë përshtatur mirë me njëri-tjetrin. Ky grup të rinjsh është ndërthurur me lojtarët me eksperiencë, të cilët kanë dhënë sigurinë e nevojshme për një ekip me pretendime. Afrimi i Osmanit i ka dhënë një siguri më të madhe ekipit, gjë që u reflektua edhe në ndeshjen ndaj Shkumbinit. Ky lojtar ishte vendimtar në veprimet mbrojtëse, por mbi të gjitha me tërheqjen e skuadrës drejt sulmit. Një element tjetër i rëndësishëm ishte dhe organizatori i skuadrës, Tahiri, i cili i dha frymëmarrje lojës së durrrsakëve, ku asisti i dhënë për Osmanin ishte një veprim vërtet me klas. Krahu i djathtë i Teutës funksionoi shumë mirë, ku Nika dhe Sakaj ishin të pambuluar nga kundërshtari, ku si rrjedhojë u ndërtua dhe aksioni i golit të zhbllokimit, që u shënua nga Xhafaj. Gjithsesi, vërtetimi i forcës reale të bregdetarëve do të vërtetohet pas sfidave që e presin në vijim, duke nisur që ndaj Luftëtarit në fundjavë në “Niko Dovana”. Pas kësaj sfide, durrsakët do të kenë dhe provën e vërtetë, pikërisht ndaj Tiranës rivale.