Home Slideri Teuta dorëzon dosjen në prokurori, Hasanbelliu: Bojkotojmë kampionatin nëse Kridens Meta nuk...

Teuta dorëzon dosjen në prokurori, Hasanbelliu: Bojkotojmë kampionatin nëse Kridens Meta nuk përjashtohet nga futbolli

hasanbelliuKlubi i futbollit Teuta ka dorëzuar në prokurori dosjen me denoncimin për mitmarrje ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Teuta-Kukësi, Kridens Meta. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Teutës Edmond Hasanbelliu i cili ka deklaruar se kërkon nga instancat shtetërore që ti shkojnë deri në fund kësaj çështjeje dhe të bëjnë drejtësi: “Kemi dorëzuar në prokurori dosjen e plotë ku kemi denoncuar për mitmarrje arbitrin e ndeshjes Kridens Meta i cili dha një penallti të paqenë duke penalizuar ekipin tonë. Ky arbitër ordiner ka marrë ryshfet sepse ka vepruar fare hapur kundër nesh në këtë ndeshje duke na dënuar. Ne kërkojmë drejtësi dhe ti shkohet deri në fund kësaj çështjeje pasi nuk mund të tolerohet që njerëz të tillë si Meta të tallen me investimet shumëvjeçare dhe emrin e një prej ekipeve më të vjera e më prestigjoze në Shqipëri si Teuta.” Por presidenti i durrsakëve nuk ndalet me kaq. Ai ka deklaruar se Teuta do të bojkotojë kampionatin nëse ky arbitër nuk përjashtohet nga futbolli: “Ajo që ka bërë ky arbitër është diçka shumë e rëndë dhe ne kërkojmë gjithashtu që ky personazh të përjashtohet përgjithmonë nga futbolli shqiptar. Nëse Kridens Meta nuk përjashtohet Teuta do të bojkotojë kampionatin dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë. Nuk mund të vazhdojmë me dënimet një javë apo dy javë për arbitrat dhe më pas ata të vazhdojnë të gjykojnë si i do qejfi. Ne shkuam në Kukës për të parë një ndeshje futbolli të ekipit tonë dhe të na ndëshkojë një maskara e hajdut ordiner është një problem shumë i madh. Ky person ka marrë ryshfet dhe duhet dënuar nga drejtësia dhe përjashtuar përgjithmonë nga futbolli.” Klubi i Teutës ka dorëzuar padinë ndaj arbitrit Meta për akuzat që kanë lidhje me penalltinë e akorduar në Kukës. Pra, vendimi i gjyqtarit duket se nuk do të mbetet në kuadrin e “gabimit njerëzor”. Sezoni i ri futbollistik ka nisur mjaft i nxehtë dhe akuzat në drejtim të gjyqtarëve nuk kanë munguar. Në javën e parë të kampionatit janë dhënë dy 11-metërsh të dyshimtë. I pari ka qenë në sfidën Skënderbeu-Flamurtari, në minutën e 83-të të takimit, kur ndeshja ishte në shifrat 1- 1. Ndërsa penalltia e dytë e dyshimtë ishte në ndeshjen Partizani-Luftëtari, ku Bardhi, edhe pse nuk e kishte topin në zotërim, rrëzohet në zonë dhe kryesori akordon 11-metërsh.