Home Slideri Tenton të vetëvritet. Përmbarimi dhe policia i marrin me dhunë shtëpinë

Tenton të vetëvritet. Përmbarimi dhe policia i marrin me dhunë shtëpinë

permbarimi1Nga Xhevo Gradica / I ka kushtuar shumë rëndë këmbëngulja një shtetasi në Durrës për të mos iu bindur përmbarimit. Isuf Gelani, familjari që nuk iu bind as policisë së rendit dhe as forcave speciale do të jetë viktima e radhës në kuadër të nxjerrjes me dhunë të banorëve në kuadër të lirimit të objekteve për llogari të ish pronarëve. Beteja mes përmbarimit, policisë, agjentëve të antikirmit dhe forcave speciale nga njëra anë me 59-vjeçarin Isuf Gelani nga ana tjetër ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve. Rebelimi shtetasit të mbetur pa asnjë lloj mbështetje nga shteti është parë nga qindra qytetarë e kalimtarë të cilët e kanë quajtur veprimin e policisë si akt antinjerëzor. Gelani është viktima e rradhës në Durrës, pasi të njëjtin fat kanë pasur edhe dhjetra shtetas që jetojnë në banesa të ish pronarëve. Policia në të gjitha rastet është urdhëruar nga eprorët të nxjerrin dhunshëm familjarët edhe pse këta të fundit jetojnë prej afro 70 vitesh në të tilla shtëpi. Banesat janë konfiskuar nga shteti gjatë regjimit komunist dhe në to me vendime të komiteteve ekzekutive janë detyruar të futen familjet e pastreha. Gelani është një nga viktimat e radhës por ky nuk do të shpëtojë pa u prangosur. Ai akuzohet nga policia se nga dritarja banesës ka hedhur në rrugën shishe me benzinë. Veprimi për të cilin akuzohet Gelemi ka shtyrë policinë ta klasifikojë atë njeri me precedent të rëndë dhe rrezikshmeri të lartë. Në të tilla kushte mësohet se është kërkuar ndihma e efektivave speciale të cilat do të neutralizojnë shtetasin e rebeluar.

Ngjarja

Ngjarja është zhvilluar në mesditën e djeshme në vendin e quajtur tregu valutës në Durrës, godinë e ish kinema “14 nëntori”që është edhe zona më e populluar. Shtetasi Isuf Gelani ka kundërshtuar të lirojë banesën në të cilën është lindur dhe ka jetuar prej 60 vitesh dhe kjo e ka bërë atë objekt të policisë. Historia e përplasjes mes familjeve të vendosura në shtëpi ish pronarësh dhe këtyre të fundit ka nisur prej 15-20 vitesh. Gelani me probleme shëndetësore dhe nën depresion ka refuzuar t’u bindet përmbaruesve, ndërsa ai ka bërë të qartë se nuk ka as mundësinë më të vogël për të blerë një shtëpi. 59-vjeçari i papunë jeton me të vëllanë e sëmurë në banesën e bërë objekt përmbarimi, ndërkohë që flitet se ai është divorcuar pikërisht për arsye se nuk kishte ku të jetonte. Një vit më parë ai si dhe kategoria e tij u vendosën para një fakti të kryer, Aktit normativ të qeverisë, të marsit 2012 në të cilën saktësoheshin afatet për lirimin vullnetar apo edhe të dhunshëm të qytetarëve që jetojnë në banesa ish pronarësh. Gelani gjatë kësaj kohe ka rënë në depresion dhe ekuilibri tij psikik ka ardhur duke u rënduar. Një ditë të parë ai ka mësuar se përmbarimi gjyqësor do ia merrte forcërisht shtëpinë, ndaj largoi tek të afërmit vëllanë e sëmurë dhe u mbyll brenda i vendosur për të mos lejuar hyrjen e përmbarimit. Gelani nuk ka asnjë të ardhur dhe veprimi tij është cilësuar i justifikuar nga banorët e lagjes. Këta të fundit e njohin nga afër atë dhe prindërit pasi janë rritur dhe kanë jetuar në atë lagje që nga vitet 50 të shekullit të kaluar. Kundërshtimi tij për të mos dalë vullnetarisht nga banesa është shoqëruar me shkëmbim fjalësh të nxehta mes tij dhe policisë së rendit e cila erdhi në ndihmë të përmbarimit. Efektivat blu detyruan bizneset e katit të parë të pallatit katërkatësh të mbyllin aktivitetet dhe pasi vendosën në të gjitha anët shiritin e zonës së ndaluar nisën të negociojnë me Gelanin për ta bindur. Policia ka thënë se reagimi Gelanit ka qenë i dhunshëm pasi në kohën e revoltimit të tij në shkallën më të lartë ka hedhur nga dritarja e shtëpisë një shishe me benzinë, por pa dëmtuar askënd në trotuarë e në rrugë. Në të njëjtën kohë ka deklaruar se do të vetëdigjet. Kjo ka shtyrë policinë të vendsë në gatishmëri automjetet zjarrëfikëse për të ndërhyrë nëse Isuf Gelani do të ndërmarrë një hap të tillë fatal për jetën. Shumë qytetarë që kanë ndjekur nga afër zhvillimet dramatike kanë thënë se shteti para së gjithash duhet të qetësojë qytetarin e vënë në një provë të vështirë duke i sjellë atij së paku një psikolog. Gelani që nga dritarja duket thuasje jashtë kontrolli nisur edhe nga fakti se ai njihej si person dhe si familje e qetë, humane dhe qytetare. Gjatë kësaj situate nuk kanë munguar as telefonatat nga të afërm të Gelanit dhe shokë të tij të cilët i kanë kërkuar të ruajë qetësinë dhe të tregohet i arsyeshëm së pari me shëndetindhe jetën.

Akti normativ

Qeveria shqiptare me 1 mars 2013 ka nxjerrë një Akt normativ dhe që ka trajtuar enkas veprimet për kthimin e objekteve të sekuestruara gjatë regjimit komunist në dorën e pronarëve dhe trashëgimtarëve të tyre. Durrësi ka më shumë se 600 familje të tilla dhe në këto 20 vite të pas rënies së sistemit komunist nuk ka pasur asnjë hap konkret për të sistemuar këtë kategori në banesa sociale, veprim që do u krijonte mundësi trashëgimtarëve të pronës të merrnin atë që u takonte. Gjatë verës së kaluar përmbarimi dhe policia e rendit bënë disa aksione të cilat kanë ndeshur në rezistencën e fortë. Ndërsa është menduar se çështja do të shtrohej për zgjidhje mes shtetit dhe shoqatës së familjeve të kësaj kategorie, ndodhi ndryshe. Përmbarimi y fut me dhunë në shumë banesa e mbrojtur nga policia dhe veprime të tilla përgjithësisht i ka kryer në orët e natës dhe herët në mëngjes. Shoqata në Durrës është një ndër më të mëdhatë në vend ndaj edhe reagimet e saj kanë qenë të forta. Shumë nga pjestarët e këtyre familjeve që jetojnë në shtëpi t ëish-pronarëve kanë ndërruar jetë, të tjerë kanë ikun në emigracion, ndërsa jo pak jetojnë në kushte mjerane. Këto shtëpi gjenden gjithandej në Durrës e në periferi. Pjesa më e madhe e familjeve që presin të sistemohen diku tjetër për të liruar pronat e ish-pronarëve jetojnë në kushte tejet dramatike: pa punë, pa strehë, pa kujdesje shëndetësore dhe humane. Këto objekte gjenden në lagjen numër 1, lagjen numër 4, 5, 11. Banesat janë thuasje në zemër të Durrësit si në të dy anët e bulevardit dhe të rrugës tregtare, mbi Vollgë, pranë Amfiteatirit, tek sheshi “Azem Hajdari”, përgjatë rrugës “Skënderbeu”, mbi gjykatë tek kodra Sefer Efendiut dhe në shumë zona të tjera. Përgjithësisht janë objekte një-dy a- trekatëshe por ka edhe pallate. Me kalimin e viteve ka të tilla që kanë pësuar shtesë kati duke e ndërlikuar edhe më tej çështjen e kthimit të pronës, ndërsa të tjera janë rrënuar dhe bërë të pabanuara. Në krye të shoqatës është vënë një ish ushtarak, Miftar Kurti ndaj të cilit nuk kanë munguar presione kryesisht të ardhura nga strukturat e shtetit, por edhe persona të lidhur drejtpërdrejtë me pronat a individë keqbërës. Shoqata ka deklaruar se nuk do të lejojë të cënohet jeta e këtyre familjeve, ndërkohë që me nisjen e aksionit për t’i dëbuar me dhunë banorët nga shtëpitë e ish pronarëve, shoqata nuk ka bërë as edhe reagimin më të vogël. Kjo i ka dhënë mundësi strukturave të shtetit të veprojë pa ndonjë rezistencë kolektive dhe në mënyrë selektive të lirojë objekte që janë pronë e personave me lidhje e mbështetje. Në bazë të një llogarie të përfaqërt është thënë se shtetit i duhen 130 milion euro për t’i dhënë zgjidhje në nivel kombëtar problemit, ndërkohë që forma e cila zbatohet është cilësuar tipike e dhunshme dhe model komunist.

Previous articleShkollat e Durrësit pa tekste mësimore. Nxënës e prindër blejnë libra jashtë katalogu
Next articleRebelohet PDIU në Durrës. Çamët kundër deklarimeve të Shpëtim Idrizit