Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) historikisht kanë përfaqësuar një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor (më i lartë edhe se të ardhurat nga taksat e pronës).
Veçanërisht në vitin 2021, të ardhurat nga TNI përfaqësuan rreth 53% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore, rreth 32% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore dhe u vlerësuan në rreth 0.5% të PBB-së nominale.
Analiza e ecurisë së financave vendore për vitin 2021 nga Co-PLAN argumenton se zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhetet vendore vlerësohet të jenë ndikuar ndjeshëm nga zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja veçanërisht prej vitit 2018: Në vitin 2018 u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019 rreth 1,094 leje, në vitin 2020 rreth 961 leje dhe në vitin 2021 u dhanë rreth 1,396 leje.
Vetëm në tre vitet e fundit, dhënia e rreth 3,451 lejeve për ndërtim përkthehet në një sipërfaqe ndërtimi të shtuar prej rreth 6 milionë m2. Co-Plan analizon se zbatimi i PPV-ve nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.
Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 9.5 miliardë lekë në vitin 2021, në rritje me rreth 19% në terma vjetorë, ose rreth 1.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.2 miliardë lekë nga TNI, në rritje me rreth 40% në terma vjetorë.
Të ardhurat nga taksat janë burim i rëndësishëm në strukturën e të ardhurave nga burimet e veta vendore të bashkive. Në vitin 2021, pesha e këtij zëri ndaj totalit të të ardhurave nga burime të veta vendore ishte rreth 62%, raport ky rreth 2 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë (prej rreth 64%) dhe i vlerësuar në rreth 1% ndaj PBB-së nominale.
Në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore kontribuuan me rreth 18 miliardë lekë në buxhetin vendor, në rritje me rreth 20% krahasuar me një vit më parë. Norma e rritjes së të ardhurave nga taksat vendore rezultoi në 26% nëse nga totali i tyre do të zbrisnim të ardhurat e mbledhura në Bashkinë Tiranë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo mbi pasuritë e paluajtshme janë furnitorët kryesorë të buxhetit të bashkive nga burimet e veta.
Të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to (veçanërisht taksa e ndërtesës) kanë ndjekur përgjithësisht prirje rritëse ndër vite. Megjithatë, problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera, pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse, analizon raporti për Financat vendore 2021.
Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në mesatarisht 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve të EJL-së prej rreth 0.6% të PBB-së për vitin 2019 (NALAS, 2020).
Në vitin 2021, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera me to ishin rreth 6.1 miliardë lekë, në rritje me rreth 20% në terma vjetorë, përfaqësuan rreth 34% të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 21% ndaj të ardhurave nga burimet e veta vendore. Ky zgjerim i vërejtur në të ardhurat nga taksat e pasurisë së paluajtshme mund të jetë rezultat i pagesave të transferuara në kohë që disa prej bashkive në vend aplikuan gjatë vitit 2020 (si pasojë e situatës së rënduar pas tërmetit të fundvitit 2019 dhe pandemisë së Covid-19). Megjithatë, frenimi i rënies së të ardhurave në këtë kategori të ardhurash (gjatë vitit 2019 – 2020, si pasojë e situatave të tërmeteve të fundvitit 2019 dhe pandemisë së Covid-19) është një sinjal shumë pozitiv për bashkitë në funksion të diversifikimit të burimeve të financimit dhe qëndrueshmërisë së të ardhurave në buxhetet e tyre.
Ndonëse me peshë të madhe në të ardhurat nga taksat vendore, të ardhurat nga TNI nuk realizohen njëtrajtësisht në të gjitha bashkitë. Rreth 77% e të ardhurave të gjeneruara në vitin 2021 nga kjo taksë u mblodhën në bashkinë Tiranë dhe diferenca në 60 bashkitë e tjera në vend.
Gjatë kësaj periudhe, të ardhurat nga TNI të mbledhura nga bashkia Tiranë u rritën me rreth 14% krahasuar me një vit më parë. Me diferencë të theksuar nga bashkia Tiranë, bashkitë Kamëz dhe Himarë mblodhën respektivisht rreth 4% të të ardhurave nga TNI dhe ndjekur nga bashkia Durrës (rreth 3%).
Bazuar në informacionin për lejet e ndërtimit të dhëna periudhën janar – shtator 2021, në bashkinë Tiranë do të shtohen rreth 1.5 milionë metër katrorë sipërfaqe ndërtimore të reja apo rreth 63% e sipërfaqes totale ndërtimore të re në Shqipëri në të njëjtën periudhë
Ecuria vjetore e të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme paraqet zhvillime pozitive në 38/61 bashki në vend (shiko grafikun 13). Rritja më e lartë në të ardhurat nga kjo taksë u shënua në bashkitë Mallakastër (+114%), Durrës (+51%), Divjakë (+47%), Vlorë (+45%) etj. Në të kundërt, të ardhurat nga taksat mbi pasuritë e paluajtshme rezultojnë në rënie në 23/61 bashki si: Kolonjë (-29%), Konispol (-27%), Kukës (-17%), Memaliaj (-14%), Krujë (-12%), Peqin (-11%) etj.
Zhvillimet pozitive në ecurinë e të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme udhëhiqen nga rritja e shënuar në bashkitë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan etj. Në ndarjen sipas bashkive, rreth 46% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme mblidhet në bashkinë Tiranë, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë banesash dhe ndërtesash në këtë territor. Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 7% ndaj totalit për periudhën e konsideruar, ndjekur nga bashkitë Fier, Elbasan dhe Vlorë./MONITOR