Ka hapur siparin mbrëmjen e së premtes, premiera artistike “Humor i pastër me shumicë”, në Teatrin “Aleksandër Mosiu”. “Humor i pastër me shumicë” me regji të Edmond Halilit, ka ngjallur interes shumë të madh tek publiku durrsak i cili ditë më parë ka prerë biletat për të ndjekur premierën e parë për këtë vit, që vihet në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Duke nisur nga e premtja në mbrëmje e për tre net me radhë, artdashësit kanë mundësi të shikojnë një shfaqje të bukur me pjesmarrjen e aktorëve të teatrit të Durrësit. Edmond Halili ka mbledhur aktorët e spikatur të humorit dhe të teatrit por edhe këngëtarë durrsakë për shfaqjen e tij të dytë. Më herët Halili, aktori i cili ka mbledhur e ka përzgjedhur materialet, tha se kjo është një shfaqje e cila ka humor të mirë, jashtë banaliteteve, ndërsa pas katër vjetësh ka rikthyer në skenë Roland Koçën, veteran i trupës së varietesë në Durrës.

Me pjesëmarrjen e aktorëve: Mimoza Marjanaku, Dashamir Sinani, Gjergj Doçi e Edmond Halili, premtohet një spektakël i vërtetë argëtimi në datat 2, 3 e 4 mars. Materialet janë përzgjedhur nga jeta e përditshme, marrëdhëniet shoqërore, ato brenda familjes, midis një çifti, apo edhe midis komshinjve të një pallati. Shfaqja artistike është moderuar nga gazetarja Elitjona Doko. Për të gjithë ata që humbën mbrëmjen e së premtes, shfaqja do te vijë sërisht të shtunën dhe të dielën në orën 19:00./Bulevard News