Home Politike Sot 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, Begaj mesazh politikës: Punoni bashkë...

Sot 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, Begaj mesazh politikës: Punoni bashkë për sfidat me të cilat përballet Shqipëria

Sot shënohen 103 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar. Kjo ditë e shënuar u festua në Lushnjë me këngë e valle popullore shqiptare.

I pranishëm në muzeun “Kongresi i Lushnjës” ishte edhe presidenti Bajram Begaj. Edhe në këtë ditë, Begaj zgjodhi që t’i përçojë një mesazh politikës dhe i bëri thirrje që të punojnë bashkë për të adresuar sfidat me të cilat përballet sot vendi ynë.

Begaj: Forcat politike të mos e shohin njëra-tjetrën si armike! Pres kërkesën nga Ministria për të dhënë autorizim për të dërguar çështjen e detit në Hagë
“E shkuara duhet të kujtohet. Duhet të kujtohet jo vetëm për të kujtuar figurat e rëndësishme e ngjarjet e rëndësishme, por edhe si një moment reflektimi për të nxjerrë mësime. Kongresi i Lushnjës na frymëzon, ata delegatë vunë interesat e përgjithshme mbi interesin personal, interesin e Shqipërisë mbi interesin e tyre, mbi mendimet e tyre të ndryshme. Për sfidën e kohës ata vendosën që është e rëndësishme Shqipëria para interesit të tyre. Edhe sot është një thirrje shumë e madhe për ne që për sfidat aktuale duhet të bëhemi të gjithë bashkë për ti përballuar me sukses dhe për të frymëzuar popullin shqiptar siç frymëzoi Kongresi i Lushnjës”, tha Begaj.

Begaj më pas vijoi vizitën në Manastirin e Ardenicës, ndërsa i pranishëm ishte edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi.

Kongresi i Lushnjës

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.

Previous articleRikthehet ‘Rebelde’, grupi i dashur meksikan shpall turne masiv në vjeshtë
Next articleTragjikja e dy të miturve të birësuar nga një çift gay