Home Rajoni Skandal me përgjimet telefonike në Greqi, jep dorëheqjen shefi i Shërbimit Sekret...

Skandal me përgjimet telefonike në Greqi, jep dorëheqjen shefi i Shërbimit Sekret grek dhe ndihmësi i Mitsotakisit

Shefi i shërbimit kombëtar sekret të Greqisë (EYP) Panagiotis Kontoleon, ka dhënë dorëheqjen, pas informacioneve se shërbimi ka përgjuar telefonin e një gazetari të ekonomisë së CNN Greece, Thanasis Koukakis, gazetë kjo kritike ndaj qeverisë, si edhe kreun e partisë opozitare PASOK, Nikos Androulakis.

I caktuar në gusht të vitit 2019, Kontoleon i la vendin sekretarit të Ministrisë së Jashtme greke, Themistoklis Demiris, i cili u emërua pas tij.

Gazeta greke “Kathimerini” vë në dukje se largimi i Kontoleon-it vjen në të njëjtën kohë me largimin e ndihmësit të besuar të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Grigoris Dimitriadis.

Dimitriadis tha se po largohet “për shkak të klimës toksike të krijuar rreth personit tim”.

Dimitriadis do të zëvendësohet nga Ioannis Bratakos, deri tani president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës (EVEA).

Sipas mediave greke, dy zyrtarët kishin dijeni për tentativën e përgjimit të telefonit të kryetarit të PASOK-ut, i cili kishte denoncuar se pati një tentativë për të futur në celularin e tij programin e përgjimit “Predator”, ndërsa në të njëjtën kohë u raportua edhe lajmi se ky program ishte instaluar në telefonin e një gazetari.

Qeveria ka hedhur poshtë dyshimet se largimi i Dimitriadis-it lidhet me përgjimin e gazetarit të CNN Greece, dhe kreut të PASOK-ut, Nikos Androulakis.

Ndërsa qeveria greke mohon të ketë lidhje me përgjimet, burime qeveritare thanë se dorëheqjet e zyrtarëve të lartë u dhanë për t’i hapur rrugë hetimit të pavarur të çështjes.

Prokuroria ka nisur hetimet në bazë të akuzave të ngritura.