Home Editorial Sindroma e Haxhi Sali Qamilit

Sindroma e Haxhi Sali Qamilit

Nga Ilir Yzeiri

U bë disa kohë që ushtrimet retorike të Sali Berishës në ambiente të mbyllura, të cilat ai i demonstron përpara disa besnikëve të tij dhe më pas i pagëzon si « Foltore », kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të fanatikëve të berishizmit, që është formë e shfaqjes dhe e ushtrimit të politikës kriminale, antidemokratike, totalitare dhe orientale, por edhe të opinionistëve dhe të atyre politikanëve të opozitës që deri dje çmoheshin për qëndrime të paktën korrekte dhe dinjitoze.

Veçanërisht zonja Topalli në emisionin e Fevziut të ditës së enjte më bëri shumë përshtypje dhe aty për herë të parë pashë sesi zemërimi dhe urrejtja mund të të çojnë në kompromise të paimagjinueshme dhe në një korrupsion mendor të dhimbshëm. Zonja Topalli, për ta justifikuar aksionin haxhiqamilist të Berishës sot, përmendi vitin e mbrapshtë 1997 dhe ringritjen që i bëri Berisha PD-së derisa erdhi në pushtet përsëri në vitin 2005.

Kjo është e vërtetë, por e vërteta tjetër është se në qeverisjen e dytë Berisha u shfaq si kriminel dhe Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zoti Blinken e shpallën atë « non grata » sepse në këtë mandat ai kreu korrupsion thelbësor për veten, familjen dhe aleatët e tij, pengoi drejtësinë që të hetonte atë për aferat kriminale dhe minoi demokracinë. Ky opinion i Departamentit Amerikan të Shtetit është vlerësimi për « berishizmin » si mënyrë qeverisjeje në tranzicionin e gjatë shqiptar.

Por ç’lidhje ka haxhiqamilizmi me berishizmin ? Haxhiqamilizmi frymëzoi edhe elitat komuniste dhe Enver Hoxha e mori në mbrojtje atë lëvizje sepse shihte aty thelbin e enverizmit dhe diktaturës që u instalua më pas në vendin tonë. Ky thelb ishte urrejtja ndaj bejlerëve dhe fryma jakobine. Siç dihet, Haxhi Qamili vrau e dogji, preu e shkatërroi bejlerë dhe familje bejlerësh. Është e vërtetë se ai mobilizoi turma fshatarësh dhe i nxiti ata që të kalonin në ekstazë duke djegur e shkatërruar të pasurit.

Por këtë, ky terrorist e bënte në emër të Babait të Dovletit dhe shpallte si kult vjedhjen e grabitjen dhe shkatërrimin e shtetit. Ndaj, haxhiqamilizmi ishte një lëvizje regresive dhe është shenjuar në historinë e sociologjisë politike shqiptare si sindroma e kaosit regresiv dhe antihistorik.

Këto lloj lëvizjesh që frymëzohen nga e keqja krijojnë te turmat një lloj ekstaze sepse ata që i nxisin ato luajnë me emocionet e fanatikëve të tyre duke prekur ndjenjat sublime të njeriut si e drejta dhe e padrejta. Ata shfaqen si heronjtë e viktimave, të atyre që sulomohen nga autoritetet. Në historinë e njeriut autoriteti shfaqet gjithmonë si shtypësi, si ai që shkel dhe manipulon të drejtën.

Te Berisha tani identifikohen të gjithë armiqtë e Edi Ramës dhe të gjithë ata që urrjenë Lulëzim Bashën. Berisha ngjet tani si një i arratisur nga burgu që denoncon drejtësinë. Ashtu si Haxhi Qamili që, në emër të drejtësisë së kriminelit, mobilizoi turmat dhe nxiti tek ata instiktin e vdekjes dhe të shkatërrimit, edhe Berisha mbledh njerëz nëpër foltore dhe, në emër të viktimës së drejtësisë, të atyre që janë ndëshkuar nga autoritetet e njohura që e kanë për detyre të deklarojnë se me cilin duan të kenë marrëdhënie dhe me cilin jo, artikulon rezistencën ndaj drejtësisë dhe ngre apoteozën e trimit që sfidon të gjitha institucionet ndërkombëtare që kanë vendosur me kohë standarde për vlerësimin e karrierës politike të atyre që kryejnë funksione të larta shtetërore.

Sindroma e ekzaltimit nga viktimizimi i kriminelit është një temë shumë e dashur sidomos në kinematografi. Heroi i së keqes apo djalli gjithmonë ka aftësinë të të joshë me patetikën e krimit.

Të gjitha tekstet teologjike, pra ato që e shpjegojnë më mirë se çdo gjë tjetër shpirtin kontradiktor të njeriut, thonë se ne, njerëzit, lindim me predispozitën më të madhe për të qenë bij të krimit. Shoqëria ka krijuar institucione të tilla që na detyron të ndajmë hapësirën me të tjerët dhe të priremi nga e mira duke shtypur instinktet që na çojnë drejt shkatërrimit të vetes dhe shoqërisë.

Merreni me mend sikur një ditë të gjithë njerëzit t’u turreshin bankave, supermarketeve apo gjithçkaje që formalizon jetën shoqërore në emër të drejtësisë për të gjithë ? Heronjtë e së keqes që shohim sidomos në filmat horror apo aksion na tregojnë këtë anë të errët tonën të cilën kur e shohim në një film, për shkak të « catarsisit », e përjashtojmë nga aksion ynë njerëzor. Njerëzit e veshur me pushtet, për shkak të këtyre instinkteve, e kanë më të lehtë të abuzojnë me pasurinë tonë. Por, pikërisht pse ata e kanë më te lehtë, shoqëritë perëndimore i kanë forcuar institucionet dhe ua kanë bërë të vështirë jetën këtyre lloj politikanëve.

Natyrisht, Shqipëria që nuk shpëton prej korrupsionit apo prej kriminelevë politike pse SHBA-të na treguan ne shqiptarëve me gisht se kush është Sali Berisha, por Shqipëria bëhet më e sigurtë kur ka në krah partnerë që nuk e lënë vetëm dhe që në këtë kaos të rrezikshëm ku është futur bota, janë me anën më të shëndetshme të shqiptarëve. Sali Berisha mund të bëhet një personazh filmi dhe aty mund të ndodhë që spektatorët ta pëlqejnë ashtu siç pëlqejmë një vrasës me pagesë apo të distancohen prej tij. Kjo do të varet nga aktori që do ta luajë atë personazh. Ndërsa personazhi historik me emrin Sal Berisha, tani i përket asaj kategorie që në këtë vend kanë prodhuar haxhi-sali-qamilizmin.