Home Kulture Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, një konferencë shkencore

Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, një konferencë shkencore

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës (International Holocaust Remembrance Day (Shoah)) u zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”. Konferenca nga Akademia e Shkencave u organizua në bashkëpunim me Shtëpinë e Izraelit në Shqipëri (Israeli House of Albania), në nderim e reflektim për Ditën e Kujtesës, ditën e homazhit për mbi 6 milionë jetë njerëzore të humbura për shkak të urrejtjes racore të shprehur në formulën naziste “çrrënjosja përfundimtare”. Kryetari i ASH Skënder Gjinushi tha se Akademia jonë e Shkencave, ashtu si simotrat e saj në Europë e në botë, ka për mision themelor kultivimin e zhvillimin e të vërtetave shkencore, përfshirë ato historike. Sipas Gjinushit, ajo me prioritet dhe me shumë përgjegjësi, nëpërmjet botimeve dhe konferencave të organizuara prej saj, ka vënë në pah disa nga vlerat morale e politike kombëtare të shoqërisë dhe të popullit shqiptar, siç janë antifashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore, karakteri europian dhe unik i identitetit shqiptar, njësia e gjuhës letrare shqipe, konvergjenca e bashkëjetesa fetare, që përbëjnë kauza koherente dhe konstante tonat. “E po këtij rendi është për ne edhe përurimi i vlerave njerëzore që kanë të bëjnë me rezistencën e përbashkët dhe bashkëjetesën e shqiptarëve me hebrenjtë gjatë Shoah, si dy popuj që rezistuan bashkë në vendin tonë ndaj dhunës nazifashiste dhe nuk e shitën njëri-tjetrin. Ne nuk e konsiderojmë Holokaustin çështje të arkivuar a si çështje thjesht të historisë”, tha ai. Më tej në fjalën e tij në prani të studiuesve dhe historianëve akademik Gjinushi vijoi se ASH është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e vendit për pasaportat e shenjave të kujtesës kushtuar 3750 hebrenjve që hynë dhe mbijetuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, për nderimin e disa qindra familjeve shqiptare strehuese të tyre në atë periudhë të rrezikshme; në mënyrë të veçantë për një memorial dedikuar 17 hebrenjve dëshmorë të luftës antifashiste që luftuan përkrah shqiptarëve për lirinë e popullit tonë. Sipas tij të gjitha këto të dhëna mund dhe duhet të depozitohen në Muzeun Kombëtar e Kulturës Hebraike që po ndërtohet në Vlorë, në një amzë të posaçme.

Previous articleGrupimi i Berishës bllokoi foltoren, Balla: Duan të heqin vëmendjen nga thirrja e Shkëlzen Berishës në SPAK dhe provave të reja për 21 Janarin
Next articleU kap me shtëpi bari dhe arsenal armësh, avokati i Fredi Krasniqit: I duheshin lekë për një ndërhyrje kirurgjikale, armët ishin harruar nga familjarët