Home Sociale Shqetësimet për testin e biologjisë, Evis Kushi: Maturantë, i kam marrë mesazhet...

Shqetësimet për testin e biologjisë, Evis Kushi: Maturantë, i kam marrë mesazhet tuaja, po rishikojmë provimin

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka reaguar duke thënë se ka ndjekur me vëmendje të gjitha shqetësimet e maturantëve lidhur me provimin me zgjedhje të Biologjisë. Me anë të një postimi në Facebook, Kushi shkruan se po konsultohen me mësues dhe ekspertë të fushës për të vlerësuar cilësinë e testit.

“Të dashur maturantë, I kam marrë të gjitha mesazhet tuaja dhe i kam ndjekur me vëmendje shqetësimet në lidhje me testin e biologjisë. Më poshtë gjeni linkun me skemën e vlerësimit të publikuar nga QSHA dhe ndërkohë po konsultohemi me mësues dhe ekspertë të fushës për të vlerësuar cilësinë e testit. Për çdo rast, ju sigurojmë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme që ju të vlerësoheni sipas meritës dhe nivelit të arritjeve. Suksese!,”-shkruan Evis Kushi.

Maturantët në mbarë vendin kanë shfrytëzuar hapësirat virtuale për të denoncuar padrejtësinë që sipas tyre është bërë me provimin e Biologjisë, duke pretenduar se pyetjet kanë kërkuar detaje të panevojshme dhe nuk i janë përmbajtur programit orientues. Megjithatë këto janë pretendimet e tyre.