Home Kulture Shpallen fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë...

Shpallen fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli veprat fituese për Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj. Këtë vit u shpallën 6 vepra fituese. Vlerësimet u ndanë në praninë e ministres së Kulturës Elva Margariti. Ministrja Margariti shprehet se si çdo vit, Ministria e Kulturës përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ndau fituesit e Fondit të Përkthimit nga Gjuha Shqipe në Gjuhën e Huaj, që synon promovimin e letërsisë shqipe përtej kufijve.

“Më vjen mirë që ky fond, ndonëse modest është konsoliduar dhe këtë vit kemi pasur 24 aplikime, për përkthime në gjuhë të ndryshme, që nga italishtja e greqishtja, deri në arabisht. Sigurisht nuk mund të mbështeteshin të gjithë, por vetëm 6. Edhe pse kriteret e përzgjedhjes janë shumë profesionale, që i referohen cilësisë së përkthimit, më vjen mirë që mes fituesve janë breza të ndryshëm autorësh, nga ata të afirmuarit te më të rinjtë”, shprehet ministrja e Kulturës në rrjete sociale, që ka ndarë dhe foto nga QKLL. Nga 24 aplikime, juria, e kryesuar nga Ben Andoni dhe anëtarë Irena Prici, Esmeralda Kromidha, vlerësoi për t’u mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit 6 autorët dhe veprat. Fitues janë shtëpia botuese Al Arabi Publishing and Distributing, autore Diana Çuli, “Vrasje në kryeministri”, përkthyese Eman M. Naguib, arabisht; shtëpia botuese Phaedon – Grigorios Kidoniatis, autor Luljeta Lleshanaku, “Fëmijët”, përkthyes Andrea Zarballa, greqisht; shtëpia botuese Fundacja Pogranicze / Borderland Foundation, autor Fatos Lubonja, “Ridënimi”, përkthyes Dorota Horodyska, polonisht; shtëpia botuese Perun Artis, autor Arian Leka, “Në kërkim të këmishës së humbur”, përkthyes Agim Mustafai, maqedonisht; shtëpia botuese Salento book, autor Enkelejd Lamaj, “Ajo e errëta”, përkthyes Valentina Notaro, italisht; shtëpia botuese Salento book, autor Andreas Dushi, “Në besë të tatuazhit tënd”, përkthyes Kriselda and Fabio Massimo Rocchi, Italisht. QKLL shprehet se përkthimi i librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të mbetet një prioritet.

Previous articleFirmoset marrëveshja, Vllaznia bashkëpunon me klubin e Superligës turke
Next articlePengesat për ndërtesën më të madhe europiane me printim 3D