Home Aktualitet Shkëlqen studentja nga Durrësi, Suada Dida në Forumin e Tretë Rinor Rajonal...

Shkëlqen studentja nga Durrësi, Suada Dida në Forumin e Tretë Rinor Rajonal në Novi Sad, Serbi

Ajo është në prag diplomimi nga Departamenti i Drejtësisë në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike (FSHPJ). Pas çmimit të parë si studentja me aftësitë më të mira simuluese të institucioneve të Bashkimit Evropian në konkursin në nivel kombëtar, tashmë aftësitë e saj i ka adresuar edhe në planin ndërkombëtar.Suada është një nga 25 të rinjtë shqiptarë që përfaqësuan delegacionin tonë në Forumin e Tretë Rinor Rajonal në Novi Sad, Serbi (29 – 1 korrik 2018). Forumi u organizua nga Lëvizja Europiane në Serbi me mbështetjen e Fondit Europian për Ballkanin (EFB) dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO-s).Ky forum i përvitshëm mbledh së bashku rreth 200 të rinj nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, të përfshirë dhe të angazhuar në fusha dhe tema që prekin zhvillimin e demokracisë së vendeve të Ballkanit, procesin e integrimit europian dhe bashkëpunimin e ndërlidhshmërinë mes tyre. Rekomandimet dhe përfundimet e dala nga ky Forum do të prezantohen në Samitin e ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Londër.Arritje të tilla nuk dëshmojnë vetëm profilin individual të një studenti. Për FSHPJ-në  dhe UAMD-në arritje si e Suadës identifikohen si urë përcjellëse të emrit tonë në procese kaq të rëndësishme integruese. Tashmë, edhe mendimet e ofruara nga formimi i saj , do të përçojnë elementë përbashkët në Procesin e Berlinit.