Home Kulture Sezoni turistik, MHK pret vizitorët nga e hëna deri të dielën

Sezoni turistik, MHK pret vizitorët nga e hëna deri të dielën

Muzeu Historik Kombëtar do të jetë hapur nga e hëna deri të dielën. MHK njofton se kjo bëhet për sezonin turistik. “Të dashur miq dhe vizitorë të Muzeut Historik Kombëtar ju njoftojmë se, në kuadër të çeljes së sezonit turistik në Shqipëri, duke filluar nga data 15 maj 2022 dhe deri më datë 30 shtator 2022 Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i hapur për vizitorët nga e hëna në të diel në orarin 09:00 – 19:00.  Ju rikujtojmë se, çmimet e biletave në sportel për të vizituar Muzeun Historik Kombëtar janë: biletë vizitor vendas dhe të huaj: 500 lekë; biletë grup +12 vendas dhe të huaj: 400 lekë; biletë e reduktuar për kategori të ndryshme në masë 50 për qind : 250 lekë; biletë e reduktuar për kategori të ndryshme në masë 70 për qind: 150 lekë. Për fëmijët nën moshën 12 vjeç hyrja është falas”, thuhet nga MHK. MHK ka publikuar çmimet e biletave, ku për të shmangur radhët apo edhe kontaktet fizike mund të rezervohet edhe nga shtëpia bileta, thjesht me një klik në www.myticket.al. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin. Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavioneve. Pavijoni i Lashtësisë është më i rëndësishmi dhe nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar.