Banorët e fshatit Lumas në bashkinë e Kuçovës i janë rikthyer sërish protestave për të mbrojtur burimin natyror të Sinecit. Ata janë grumbulluar sot në rrugën që të çon në Sinec dhe kanë bllokuar rrugën me qëllim pengimin e vijimit të punimeve të firmës Salillari.
Banorët vijojnë prej kohësh të jenë në procese gjyqësore me firmën për shkak se firma Salillari ka shkelur kontratën dhe ka vijuar punimet në “zonë të mbrojtur”, siç është grykëderdhja e burimit të Sinecit.
Por ende pa u shprehur gjykata, firma ka rifilluar sërish punimet në zonë, ku ka çuar sërish edhe tubat për t’i shtrirë në zonën e burimit. Kjo ka irrituar mjaft banorët e zonës, që prej 3 ditësh janë ngritur në protestë për të penguar punimet e firmës, duke u konfliktuar edhe me policinë.
Banorët shprehen se firma nuk duhet të kishte filluar punimet pasi leja e punimeve i ka përfunduar dhe kjo leje nuk është rinovuar prej saj. Sipas banorëve, firma po vijon punën pa asnjë leje prej disa ditësh dhe nën mbrojtjen e policisë së shtetit, që si gjithmonë po i del krahë Salillarit për vijimin e punimeve dhe po pengon banorët ti afrohen punëtorëve për të penguar punën e tyre.
Banorët janë shprehur se policia i ka dhunuar sërish, burra e gra, duke i qëlluar, ofenduar dhe tërhequr zvarrë. Banorët shprehen se firma sërish po i afrohet “zonës së mbrojtur” të burimit të Sinecit, ku synon të shtrijë tubacionet në grykëderdhjen e tij. Banorët pohojnë se ata do ta mbrojnë siç e kanë mbrojtur gjithmonë burimin e Sinecit dhe nuk do të lejojë asnjë firmë t’ua dëmtojë apo shkatërrojë atë.
Avokati i banorëve, Arben Llangozi, ka deklaruar se punimet e firmës janë të kundraligjshme, por edhe pse të tilla firma po gjen përkrahjen e policisë, që po i mbron gjatë vijimit të punimeve. Sipas avokatit Llangozi, shefi i komisariatit të Kuçovës është servil i Salillarit, dikur edhe punëtor i tij. Ai ka akuzuar shefin e komisariatit të Kuçovës si një person me person të implikuar me krimin, i akuzuar për mbjellje Hashashi në Përmet.