Ishte janari i vitit 1999, kur Teuta ndodhej në një pozicion tepër të vështirë në klasifikim dhe rrezikonte qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Në ato kohë klubi menaxhohej nga Bashkia Durrës dhe nevoja për afrimin e një biznesmeni ishte emergjente. Edmond Hasanbelliu ishte një person i suksesshëm në botën e biznesit, por në sport njihej thjesht si një sportdashës. Ish-kryebashkiaku Arqile Gorea duke ditur pasionin e tij për futbollin, i ofroi postin e presidentit. Ai pa u menduar dy herë nuk e refuzoi dhe rezultatet nuk munguan.  Madje në atë vit Teuta, përveç se siguroi mbijetesën, u bë pjesë edhe e UEFA Intertoto Cup, por u eliminua në raundin kualifikuese nga Akranes 3-6 (2-1, 1-5). Në këtë mënyrë nisi aventura e Hasanbelliut me Teutën, që do të pasohej me vite të suksesshme, trofe, pjesëmarrje në Evropë, por edhe dështime. Dashuria e tij për futbollin është shumë e madhe. Ai ka rreth 20 vjet, që investon në futboll nga bizneset personale, por përsëri është gati të japë gjithçka për pasionin e tij të fëmijërisë. Hasanbelliu është një personazh shumë karizmatik, nuk i pëlqen të dalë shpesh në media, aq më tepër në televizione, por gjithmonë është në faqe të parë kur flet për një temë të caktuar. “Eduasportin.com” ka realizuar një intervistë ekskluzive me presidentin e Teutës, i cili flet pa doreza për gjithçka, duke filluar nga emocionet e para si president, tek trofetë, pengjet, gafat, lojtari më i mirë, situata më e vështirë, si dhe Liga Profesioniste. Gjithashtu ai ndalet edhe tek një temë mjaft e nxehtë, si ajo e paragjykimit të futbollit dhe paracaktimit të rezultatit.

Jeni presidenti më i vjetër në Kategorinë Superiore dhe gjithmonë në elitë. Sa e vështirë ka qenë për ju dhe a ndjeheni krenar me kontributin, që keni dhënë për zhvillimin e futbollit në Shqipëri?

Është e vërtetë që jam më i vjetri. Kur e mora skuadrën e kisha me shumë entuziazëm. Ishte një kënaqësi e veçantë, por kurrë nuk e kam menduar, se do të harxhoja kaq shumë para. Me kalimin e viteve kostot ishin shumë të mëdha dhe faturat i paguajnë bizneset personale, por pasioni është i madh. Pa sport jeta më duket bosh. Ky pasion më ka bërë, që të jem kaq gjatë në sport dhe do të vazhdojë. Gjithsesi tani duhet të ndryshojmë mënyrën e menaxhimit, pasi në gjithë botën futbolli del me fitime dhe është kthyer në biznes. Edhe ne po punojmë për ta kthyer në shoqëri aksionere.

Keni investuar shumë, por nuk keni fituar shumë trofe. Është kampionati pengu juaj?

Sigurisht që e kam peng, pasi qellimi gjithmonë ka qenë fitorja. Kam fituar dy Kupa të Shqipërisë, ndërsa kemi qenë gjashtë herë në finale. Tre herë kemi qenë shumë afër titullit, por nuk ja kemi dalë dhe një pjesë e fajit bie edhe mbi mua. Në vitin 2000 mendova se e fituam, por aty dështuam, isha euforik. Edhe në vitin 2005 e njëjta gjë, “e humba për mendtë e mia”. Kam qenë më i drejtë seç duhet. Edhe arbitrat na kanë ndëshkuar më shumë seç duhet, por ky është futbolli.

Teuta shpesh ka luftuar për Kupën e Shqipërisë dhe titullin sigurisht, por ka patur edhe momente të vështira. A është ky ai më delikati?

Kemi qenë në një moment të vështirë, kur kemi luajtur me Bullerin në play-out. Por kam përshtypjen, se ky është sezoni më i keq. Ndodhemi në një pozicion tepër të vështirë dhe rrezikojmë shumë. Në sezonet e tjera kemi qenë për trofe ose mes tabele. Madje më saktë, një vit për trofe dhe një vit për mbijetesë.

Nëse këtë sezon shpëtoni, mund të themi se vitin tjetër do të kërkoni trofe?

Në fillim kishim ambicie të mëdha, Magani e ndërtoi vetë skuadrën. Zhvilluam një fazë mjaft të mirë, ndërsa afruam lojtarët që ai kërkoi. Kur filloi kampionati menduam se ishim pretendent, por skuadra nuk është ajo që prisnim. Kemi dështuar në merkato, me shumë lojtarë të huaj, është problem në skuadër. Në historinë time si president ky është viti me pagesat më të larta dhe këtë vit jemi më dobët se çdo herë tjetër. Ndjehem tepër i zhgënjyer.

Çfarë duhet të bëjë Teuta për të siguruar mbijetesën?

Primare është të qëndrojmë në Superiore, më pas do të ketë ndryshime drastike. Do të ishte një skandal nëse Teuta bie një kategori më poshtë.

Përpara ndeshjeve të rëndësishme, futeni në dhomën e zhveshjes për t’i motivuar lojtarët?

Jo, nuk e praktikoj këtë. Me sa mbaj mend e kam bërë dy herë dhe nuk më ka funksionuar, ndaj kam hequr dorë.

Nisur nga pasioni për futbollin, keni dashur ta injektoni edhe tek fëmijët dëshirën për t’i bërë futbollistë?

Në fakt një nga djemtë e kishte me shumë dëshirë, por nuk e lejova. Futbolli është  i bukur për t’u parë, por mjaft i vështirë për t’u luajtur. Dikur kam qenë vetë futbollist dhe e di presionin që ka një lojtar dhe sa vuan brenda vetes.

Kush është trajneri, që keni patur dhe ruani një konsideratë të veçantë për të?

Trajnerët pothuajse i kam miq, por më shumë kam punuar me Hasan Likën dhe Sulejman Starovën. Në atë kohë edhe ata i kam patur kundërshtarë, pasi të dy luanin në mbrojtje, ndërsa mua më pëlqen loja ofensive. Në një sezon kishim 24 pikë me tetë gola dhe i kam thënë Likës: “Po na bën me diabet”. (qesh) Pra kishte shumë emocione, por kjo lojë nuk më ka pëlqyer kurrë dhe kjo ishte një nga arsyet, që e ndërpremë bashkëpunimin me Likën. Edhe Starova të njëjtën filozofi kishte. Më pas u shkëputëm, pasi ai dëshironte të bëhej drejtor teknik, por kështu erdhën rrethanat dhe ai tani sërish është trajner.

Gjatë dy dekadave si president keni patur shumë lojtarë. A ka ndonjë që të ka dhënë emocione të veçanta dhe ke patur sipmati për të?

Bledi Shkëmbi ka qenë një nga lojtarët më të veçantë që kam patur këtu. E kam marrë në vitin 1999 nga Skënderbeu, ndërsa është edhe lojtari i parë që kam shitur. Pastaj vjen Daniel Xhafaj, edhe ai ma ka dhënë shumë emocione. Nga durrsakët vjen Bledar Mancaku, edhe pse ishte shumë çapkën.

Keni patur debate me trajnerët? Si për shembull duke i kërkuar të luajë një lojë më tepër sulmuese, ose ti keni dhënë një ide për formacionin?

Ka patur shumë raste, më kanë thënë po dhe në ndeshje kanë futur ato që kanë dashur ata. Një trajneri thuaji çfarë të duash, nuk të dëgjon. Gjithmonë vepron sipas kokës së tij. E njëjta gjë si me Likën, Starovën, Maganin dhe shumë të tjerë.

Si është marrëdhënia me presidentët e tjerë të Superiores? A shkëmbeni batuta para apo pas ndeshjeve?

Njoh shumë presidentë, por disa prej tyre nuk janë më pjesë e Superiores, nga Agim Zeqo e me radhë. Me të gjithë kam komunikim dhe gëzoj respekt. I vetmi që nuk kemi relata është Ardjan Takaj. Skënderbeu më pëlqen, pasi kemi bërë ndeshja të bukura, por me atë nuk kam asnjë lloj komunikimi.

Skënderbeu rrezikon të dënohet nga UEFA, lajm i mirë apo i keq për ju?

Sigurisht lajm i keq, jo vetëm për Skënderbeun, por për të gjithë futbollin në Shqipëri. Nëse ata dënohen, UEFA do të na shohi me një sy tjetër. Dëshiroj shumë që të mos dënohet, shpresoj të kenë marrë avokat të aftë.

Kampionati shpesh paragjykohet, si rrjedhojë edhe tifozët kanë braktisur stadiumet. Si mund të parandalohet ky shqetësim?

Është shumë shqetësuese, edhe media duhe të jetë më serioze në atë çka raporton. Ka raste që edhe djali im më thotë “o ba mos e keni shitur këtë ndeshje?!”. Kjo është skandaloze dhe e gjitha kjo vjen si pasojë e asaj që shpesh shkruhet dhe thuhet në media, por harrojnë se kështu e dëmtojnë më keq kampionatin. Futbolli shqiptar është i pastër në të gjithë Ballkanin. Kampionati me 10 skuadra është shumë i fortë dhe gara gjithmonë është e hapur deri në fund. Kjo është formula më e mirë, që të mos ketë tolerime, edhe pse ne rrezikojmë shumë këtë edicion. Kur kemi qenë me 14 skuadra, ekipet që renditeshin në mes bënin shumë tolerime, ndërsa tani kjo gjë nuk ndodh.

Si mendoni se mund të rritet më tepër besueshmëria mbi futbollin tonë?

Duhet të punojmë të gjithë më shumë, edhe ju si media. Duhet të jeni më korrekt, të keni kujdes me termat  shit-blerje. Ta keni mëse të qartë, dikur mbase ka patur probleme, por në këtë moment nuk ka. Madje tani survejohemi edhe nga UEFA, por futbolli këtu është shumë i pastër. Kam një jetë në sport dhe e njoh shumë mirë.

Si qëndron e vërteta mbi Ligën Profesioniste, kur do të marrë jetë?

Është nevojë emergjente. Kemi bërë dy takime për këtë çështje, ndërsa kanë firmosur 7 klube. Vetëm Flamurtari dhe Partizani nuk kanë firmosur. Në edicionin e ri, pra 2018-2019 do të fillojë patjetër. Liga ka shumë të ardhura,  do të kenë interes të gjitha klubet. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë të ardhura për klubet, nga reklamat dhe të drejtat televizive. 99% do të funksionojë me patjetër këtë sezon.

Një nga pikat më të diskutuara është edhe ajo, se kush do të jetë presidenti i Ligës. Opinioni juaj?

Ka qenë një propozim, që presidenti të zgjidhej sipas klasifikimit dhe të bëhej me rotacion, por e hodhëm poshtë këtë ide. P.Sh. Një vit presidenti i Skënderbeut duke qenë se është në vend të parë, vitin tjetër ai i vendit të dytë, e kështu me radhë. Kjo ishte e paarsyeshme dhe vendosëm për një, që ndodhet jashtë nesh dhe një figurë e spikatur. Do të ishte mirë të vinte nga biznesi, por jo nga politika. Presidentin do ta zgjedhim ne klubet.

Keni rreth dy dekada që e drejtoni Teutën, shpenzimet dhe investimet kanë qenë të mëdha. E keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë, të thoni boll harxhova nga bizneset e mia për futbollin?

Kjo më ka trembur në fakt, por nuk do të heq dorë kurrë. Do të gjej një mënyrë tjetër për të fituar nga futbolli, duke krijuar një klub model. Pra të punojmë me lojtarët e rinj dhe më pas t’i shesim, por nuk mund të largohem.

A do të kalojë Teuta në shoqëri aksionere?

I kemi ndjekur të gjitha proceduart, tani ka kaluar në këshillin bashkiak të Durrësit dhe u takon atyre vendimi final. Nuk e di pse e kanë vonuar. 25% të aksioneve do të jenë të bashkisë dhe pjesa tjetër na takon neve, por besoj se do të mbarojë kjo histori.

Jashtë Shqipërisë kush është ekipi që ju pëlqen dhe filozofinë e atij ekipi do donit ta ndiqte edhe Teuta?

Kam qenë tifoz me gjermanët, kombëtaren e Gjermanisë, ndërsa Milani i Van Basten, Gullit është ai më magjiku. Aktualisht me pëlqen Pep Guardiola dhe i them shpesh trajnerëve të mi: “Shikoni lojën që aplikon Pep, bën spektakël dhe fiton. Ju luani me 7 mbrojtës dhe nuk na jepni asnjë kënaqësi. Mësoni pak (qesh)”. Si lojtar, patjetër Messi. Është i jashtëzakonshëm, është mbi të gjithë. /EDS/

IntervistoiDRILON XHEPOLLARI