Home Letersi Romeo dhe Xhuljeta, Shekspiri dhe Vajza e Valëve

Romeo dhe Xhuljeta, Shekspiri dhe Vajza e Valëve

Fatmir MinguliNga Fatmir Minguli / Një vizitë në çdo qytet nëpër Europë padyshim që është një kënaqësi jo vetëm intelektuale , një kërshëri turistike,një shlodhje e përgjithshme, por është dhe një diçka tjetër.Eshtë një dëshirë e fshehtë, intuitive, që kërkon një paralelizëm të mundshëm midis atdheut tënd dhe vendit ku ke shkuar për vizitë. Në Montecchio Maggiore kam shkuar disa herë, një qytet, komunë shumë pranë Viçencës ,në distancë 12 kilometra prej saj.Kurioz për të parë çdo gjë, nuk më shpëtoi pa vizituar dhe një kodër që sundon këtë qytet interesant ku vetëm durrsakë janë me dhjetra,të integruar krejt normalisht në jetën italiane. Mbi këtë kodër ngrihen dy kështjella ballë për ballë me njera tjetrën, kështjella e Bella Guardia-s dhe ajo e Villa-s, objektet më kuriozë që ndodhen midis Veronës dhe Viçencës. Vetë emri i qytetit “Montecchio”,më ngacmonte me kohë mendime e ide të ndryshme, por kurrë nuk do të më shkonte në mendje se Montecchio vinte nga mbiemri I fisit të Montekëve, njerës prej familjeve të tragjedisë së Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”. Nuk vonoi shumë dhe kodra misterioze u bë për mua një vend “pelegrinazhi “ , sepse disa herë e kam vizituar dhe kam dëgjuar me vëmëndje spjegimet e ciceronëve të ditur, të papërtuar e modestë. Aty kuptova se kështjella e Villa-s ishte e Romeos dhe kështjella e Bella Guardia-s e Xhuljetës. Para disa vjetëve një historian italian Lulio Lenoti thoshte: “Kam ngulmuar e prap ngulmoj se dy kështjellat do i takonin njera Kapuletëve e tjetra Montekëve duke i dhënë emrin qytetit poshtë: Montecchio Maggiore”. Më vonë ky konstatim ,tashmë një fakt ,u bë burim i një kontraverse që do të mohonte atë që Romeo dhe Xhuljeta ishin vinçentinë dhe jo veronezë.Një rrëmbim i bukur i historisë që për qytetin e Veronës nuk do të pranohej,sepse ata mbetën të pavdekshëm nga anglezi Uilliam Shekspir e që i dha emrin Veronës si qyteti i dashurisë. Një kontraversë midis faktit dhe një vepre të Shekspirit.Në qindra faqe të kësaj historie lexon shumë fakte se si arriti gjeniu i letërsisë dhe i theatrit,të shkruajë tragjedinë me famë të përbotëshme dhe kupton se Shekspiri ka qenë ndoshta i fundit që e shkroi këtë histori por dhe që mori të njejtën famë si dhe subjekti i dashnorëve të pafat. Sipas dokumentave ,këngëtari i parë i këtij subjekti ka qenë vinçentini Konti Luigi Da Porto (1485-1529), një luftëtar i kohës , kronikan dhe që realizoi romanin e parë me historinë e dy të dashuruarve.Romani pati sukses vetëm mbas vdekjes së Da Portos ,sepse u botua në vitin 1531.Ajo që është interesante , shkon tek fakti se titulli i romanit që u ribotua tetë vjet më vonë ishte “Xhulieta”.Më vonë ,romancieri i talentuar Matteo Bandello, me subjektin e marrë nga Da Porto arriti t’i kalojë kufijtë e Italisë e kështu shumë autorë francezë, spanjollë e shumë anglezë, midis tyre dhe Shekspiri, shkruan subjektin e mallëngjyeshëm.Por ai që mbijetoi është subjekti i Shekspirit që i vendos ngjarjet brenda mureve të Veronës. Duket se “sherri” midis Kapuletëve dhe Montekëve vazhdon tani edhe mbas 500 vjetësh për vendin e origjinës së këtyre dy familjeve. Fuqia e misteriozes vazhdon, ndonëse sot midis Veronës dhe Viçencës nuk ka probleme autorësie me një pajtim të heshtur .Por në dy kështjellat në kodrën e Montecchios çdo vit organizohet në prill dhe në maj” Festivali i Romeos dhe Xhuljetës” dhe shumë aktivitete të tjera.Shumë shkrime në Wikipedia e vertëtojnë këtë origjinë të pamohueshmë të dy famijeve fatkeqe. Shekspiri lindi në 1564 dhe vdiq në 1616.Ai kurrë nuk ka qenë as në Verona dhe as në kodrën e Montecchios.Ashtu siç nuk ka qenë dhe në Ilirinë tonë! Por ka shkruar për të në komedinë “Nata e dymbëdhjetë”. Çfarë e ka tërhequr këtë gjeni të vendosë ngjarjet e veprave të tij të pavdekëshme në brigjet andej e këndej detit Adriatik ? Brigje ku ai s’i ka shkelur kurrë! Tek dëgjoja ciceronin në kështjellën e Xhuljetës, për jetën e pafat të saj dhe të djaloshit Romeo, nën trysninë e një paralelizmi , mendja më shkonte sa të Vajza e Valëve e sa te subjekti i komedisë :”Nata e dymbëdhjetë” e aq më tepër te vetë fati i Xhulietës. Nëse për Vajzën e Valëve kam mendimin tim hipotetik për ngjashmërinë e fatit tragjik të Xhulejtës dhe vajzës së Bregdetit tonë të bukur,ndryshe Kudret Velça është më konkret tek krahason fatin e heroinës Viola të “Natës së dymbëdhjetë” me atë të Xhuljetës dhe të Desdemonës te “Otello”.Këtë e ka shkruar në parathënien e komedisë “Nata e dymbëdhjetë” në botimin e Veprave të Shekspirit në vitin 1982.E unë do t’i shtoja këtyre personazheve botërore dhe Vajzën e Valëve të bregdetit Jonian, se në fund të fundit fati i saj dhe të dashurit , është një legjendë shqiptare dhe ajo është princeshë e dashurisë tyragjike, ku kështjella janë brigjet e gurta të pritjes pafund.Ajo është njëlloj e humbur si Xhuljeta e Montecchios, pranë Viçencës. Sikur të mos i mjaftonin tragjeditë e Anglisë e Skocisë , Shekspiri merret dhe me Ilirinë e me njerëzit e saj.Eshtë me të vërtetë e çuditshme që nuk është studjuar kjo “vendosje skenash” në teatrin e Ilirisë nga kritika shqiptare.Ndonëse Viola është e huaj në tokën ku është ankoruar anija, e ajo kërkon të vëllanë e humbur në këto anë, tek ambintohesh me skenat e ndryshme të kësaj komedie, të duket sikur dhe ajo , Viola, është nga Iliria. Orsini është Duka i Ilirisë,kapiteni i anijes është vendas, nga Iliria dhe pastaj Shekspiri na thotë se në komedi marrin pjesë zotërinj, priftërinj, detarë, policë, muzikantë etj.Krejt si në romanin e Milan Shuflait “Kostandin Balsha”që na jep skena të Durrësit në vitet 1300!

Dhe Shekspiri vazhdon të sqarojë:
“ Skena zhvillohet në një qytet të Ilirisë dhe në bregdetin që është aty pranë.”Ndërsa në skenën e II-të Viola pyet:
– Ç’është ky vend, o miq?- e kapiteni i përgjigjet:
– Iliria ,zonjë.
Pak më poshtë Viola e pyet kapitenin :
– E njeh këtë vend?-dhe kapiteni i thotë:
– E njoh shumë mirë , zonjë; tri orë larg
në këmbë nga ky vend linda , u rrita.(Ndoshta është Kepi Rodonit!F.M.) E akoma më tej Viola e pyet:
– Kush qeveris këtu? Kapiteni përsëri e sqaron se atë vend e qeveris një dukë fisnik nga gjaku dhe nga shpirti. E sër Tobi i thotë se duka i ka shokët e rrallë në Iliri. Që qyteti duhet të jetë Durrësi e shohim dhe në fjalët e Sebastianit tek thotë: “ Të lutem, shkojmë që të kullosim sytë Me monumentet dhe sendet e lartë. Të famshme të qytetit. Besoj se mjaftojnë këto citime intersante për të dhënë faktin se Shekspiri është marrë seriozisht me vendin e quajtur Iliri.Kështu hapet dhe rruga e gjërë për të paralelizuar ngjarje apo vende kur shkon për të vizituar një qytet në Europë. Më duket disi e çuditshme kjo vemëndje e Shekspirit në sjelljen e skenave në brigjet e Adriatikut.Ai ka përjetësuar Xhuljetën, Desdemonën ,Violën dhe po të njejtën gjë ka bërë dhe bregdetasi i madh Neço Muka me Vajzën e Valëve,vajzën që ka po të njëjtën histori me heroinat tragjike shekspiriane.Neço Muka njohu botën europiane me këngën e tij të pikëllueshme të Vajzës së Valëve dhe jo vetëm kaq. Në kohën kur Shqipëria qeverisej me sistemin monarkik, mbreti Ahmet Zog, pllakat e këngëve të Himarës të kënduara dhe të inçizuar prej Neço Mukës, i mbante në gramafonin e tij mbretëror për t’ua bërë surprise kënaqësie miqve të tij të zgjedhur dhe sidomos atyre që vinin nga Europa.Edhe pse ishte gegë , ai i dëgjonte me interes të veçantë. Shekspiri e quajti Xhuljetën dhe Romeon veronezë ,ndërkohë që ata ishin viçentinë.Një gabim që tashmë dihet, por që aspak e prish mrekullinë e historisë së dy të dashuruarve.Neço Muka, nuk ka emër konkret për Vajzën e Valëve, por edhe kjo nuk e prish tronditjen që ngjall muzika dhe historia e këngës për shqiptaren e bukur por fatkeqe, një princeshë tragjike e pakurorëzuar e dashurisë. Hans Kristian Andersen shkroi përralla dhe ato sot janë ndër më të vërtetat në botën e sotme.E ç’rëndësi ka se Vajza e Valëve nuk ka emër!? Po sirena e Andersenit që rri në buzë të detit mbi një shkëmb a mos vallë është një fallcitet? Përkundrazi ,ajo është frymëzim për miliona e miliona njerëz të botës së sotme, dhe është thjeshtë një subjekt i Andersenit. Neço Muka portretin e Vajzës së Valëve e ka nxjerrë nga qindra e qindra vajza dhe gra, që prisnin të dashurit e tyre të ktheheshin nga kurbeti, duke realizuar ndoshta pa e ditur subjektin më tragjik të femrave shqiptare jo vetëm të Bregdetit. Një statujë e Vajzës së Valëve diku në Bregdet do të jetë njëlloj si tragjadia e Xhuljetës, apo si sirena e Andersenit.Ka ardhur koha që fallciteteve politiko-mediatike që tentojnë glorifikimin e partive përkatëse, t’i vijë stina e të vërtetave, të vërteta që janë errësuar vite e vite të tëra dhe që fshehin madhështinë e femrave tragjike të Shqipërisë. Një statujë e Vajzës së Valëve që do të shpërthejë e do ndriçojë të vërtetat e mundimeve të shqiptarëve ndër shekuj. Një statujë e Vajzës së Valëve do nderojë jo vetëm Shqipërinë ! E atëhere do të kuptojmë më mirë dhe Violën e “natës së dymbëdhjetë”, kësaj” vajze” të Shekspirit e cila u dashurua me bregdetin shqiptar! Kështu më ndodhi ,duke vizituar kështjellat e Romeos dhe Xhuljetës në Montecchio Maggiore, pranë Viçencës.Më erdhën këto mendime dhe ndjeva një kënaqësi intelektuale t’i shprehja sado pak për botën shqiptare.