Home Aktualitet Rindërtimi! Durrësi një “kantier” i hapur, pjesa më e madhe e objekteve...

Rindërtimi! Durrësi një “kantier” i hapur, pjesa më e madhe e objekteve në projektim

Bashkia e Durrësit, e prekur më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, arriti të kalonte me shpejtësi fazën e parë të procesit të rimëkëmbjes, që lidhej me mundësimin e granteve të rikonstruksionit për dëmtimet më të lehta të kategorisë DS1-DS2-DS3.

Në total, ishin 14.291 përfitues të granteve të rikonstruksionit. Shpërndarja e tyre u mundësoi familjeve të bënin ndërhyrjet në mënyrë të pavarur dhe të riktheheshin, apo të vazhdonin qëndrimin në banesat ekzistuese. Procesi nuk ka pasur të njëjtën shpejtësi sa i takon ndërtimit nga e para të banesave dhe kjo lidhet me kompleksitetin e tij. Cili është bilanci i Durrësit dhe procesit të rindërtimit dy vite pas tërmetit.

Të dhënat zyrtare, të vëna në dispozicion nga Bashkia e Durrësit, tregojnë se mbetet një rrugë e gjatë përpara për rindërtimin. Për një pjesë të madhe të objekteve, ndërtimi nuk ka nisur, pasi janë ose në fazë projektimi, ose në fazë prokurimi, ose në kërkesë për financim.

Rindërtimi për DS4-DS5

Në lidhje me ndërtimet, të cilat me akt-ekspertizë u kategorizuan si DS5 në dëmtime dhe që do të rindërtoheshin nga Bashkia janë miratuar nga Këshilli Bashkiak 1098 banesa individuale.

Të paktën 214 banesa kanë përfunduar. Sa u takon pallateve për rindërtim, 12 pallate në Durrës, 7 pallate në njësinë administrative të Sukthit dhe një pallat në njësinë administrative Katund i Ri, do të rindërtohen në të njëjtin vend.

“Pallati i Vipave në qytetin e Durrësit ka përfunduar, në të cilin do të përfitojnë apartamente të reja 13 familje. Në proces punimesh janë: pallati nr. 1062, lagjja 8, i cili është drejt përfundimit; 4 pallate lagjja 17, pallati në rrugën “Dalip Peza”, lagjja 17, dhe pallati nr. 458, lagjja, 14, Shkozet” – bën të ditur Bashkia.

Në lidhje me dëmtimet DS4, që janë edhe këto dëmtime të rënda, Bashkia dha në shifra se janë 110 pallate në detyrë projektimi; 11 pallate në proces punimesh; 13 në fazë prokurimi; 71 pallate janë dërguar për financim. Në lidhje me banesat individuale janë 123 banesa individuale në detyrë projektimi, 35 në fazë prokurimi dhe 69 janë dërguar për financim.

Punimet në Spitallë dhe Manzë

Spitalla është një nga zonat ku po zhvillohet pjesa më dinamike e rindërtimit, duke hapur një sit të ri.

“Siti i Spitallës ka filluar infrastrukturën – gjithsej 996 apartamente, fushë sportive, qendër shëndetësore, park, njësi shërbimi.

Ka nisur ndërtimi për njërin lot, që përfshin 15 banesa kolektive, në të cilat është kryer përforcimi i nëntokës, po fillohet me ndërtimin e plateve.

Në funksion të kësaj lagjeje të re në Spitallë do të bëhen investime për rehabilitimin e rrugëve: “Miqësia”, “Azem Hajdari”, “Gjelbërimi”, “Vala e Detit”.

Siti i Manzës, ka filluar infrastrukturën – do të ndërtohen gjithsej 226 apartamente, bibliotekë, çerdhe + kopsht, njësi shërbimi. Ka përfunduar muratura për të 9 pallatet dhe po kryhet procesi i instalimeve elektrike dhe hidraulike. *Për 2 pallate është hedhur shorteu ku përfitues janë 42 familje” – njoftoi Bashkia e Durrësit.

Për familjet që nuk kanë pasur mundësi të kenë një banesë, po vazhdon trajtimi me bonus qiraje. Këtë vit, me këtë bonus po trajtohen 3850 familje, ndërsa në 2020-n, me bonus u trajtuan 4800 familje.

Në procesin e rindërtimit përfshihet edhe riparimi i ambienteve të përbashkëta, ku nga 527 pallate të klasifikuar për këtë hallkë, janë përfunduar 405.

Objektet arsimore

“Durrësi përfiton 31 objekte arsimore nga procesi i rindërtimit / 25 rindërtim, 6 rikonstruksion. Nga këto 14 objekte kanë përfunduar, 5 objekte në proces punimesh/(2 përfundojnë në fund të nëntorit), kopshti dhe shkolla “Ismet Nanushi”, Kullë, Sukth dhe 12 objekte fazë projektimi Investitor: Qeveria Shqiptare dhe BE” njoftoi Bashkia.