Nga Dritan Hila
Të propozosh një rezolutë për masakrën e Srebrenicës, mund të jetë objekt për psikiatër. Me siguri Sali Berisha dhe Tritan Shehu i cili ishte president i firmës “Shqiponja” e cila kontrabandonte karburante nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, ndjejnë një brengë që vetëm mjekësia mund ta shpjegojë. Ish-shefin e ndërmarrjes së PD dhe shefin real të saj, ose i ka zënë turpi ose amnezia.
Kush ka jetuar në ato vite në Shkodër apo Kukës e mban mend shumë mirë që kontrabanda me autobotë mund të bëhej vetëm me lejen e policisë dhe SHIK-ut të Gazidedes. Në liqenin e Shkodrës ishin tubacionet dhe varkat-tanker që transportonin çdo ditë e natë karburant në drejtim të Jugosllavisë së vogël. Natyrisht ishin edhe qytetarët që zgjeronin serbatorët e makinave për të nxjerrë bukën e gojës dhe shkëmbenin me qytetarë të thjeshtë malazez, por kjo ishte për nevoja të ngushta personale. Makineria e luftës së Millosheviçit u mbajt në këmbë nga karburantet që shkonin nga Shqipëria dhe Rumania. Sesa shumë ishin sasitë, e tregon lufta e sotme në Ukrainë ku rusët ngecën vetëm për shkak të mungesës së karburantit, aq më tepër që vetë Jugosllavia nuk prodhon asnjë litër naftë. Kurse makina e luftës së Millosheviçit funksionoi si sahat deri ditën kur kapitulloi nga bombardimet e NATO. Dhe merita padyshim që i takon edhe Berishës dhe Shehut.
Rikthimi i kësaj teme nga Berisha dhe Shehu është me siguri një testim sesa idiotë janë shqiptarët dhe sa mend mbajnë ata. Ose shpresojnë se një brez që ka lindur pas ‘97-ës e ka harruar se në Srebrenicë i kanë duart e lyera me gjak jo vetëm kush e shkrehu armën por edhe kush dha benzinë që kamionët dhe tanket serbe me milicë të shkonin deri aty.
Lufta në ish-Jugosllavi u zhvillua në kohën kur Berisha ishte njeriu i plotfuqishëm i vendit dhe strukturat e tij të sigurisë, përfshirë qenin roje të SHIK-ut, nuk lejonin askënd përveç njerëzve që punonin për ta që të bënin kontrabandë. Sikurse në Jugosllavi, një vend akoma komunist në mënyrën e organizimit, askush nuk mund të ishte pritësi nëse nuk punonte për UDB.
12 vjet pas kësaj masakre Damir Faslliç, nipi i Stanisha Stanishic, shef i UDB në kohën e Millosheviç mori pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Republikës Të Shqipërisë të kryesuar nga Sali Berisha i cili protestës së socialistëve në parlament iu përgjigj se do ua sillte edhe në sallë pasi e kishte mik shtëpie. Mik shtëpie nipin e shefit të shërbimit sekret serb nga vareshin edhe repartet speciale autorë të masakrave ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve? Këtë vetëm stomaku i shqiptarëve mund ta tresë.