Home Bota Reklamat politike, BE-ja kërkon informacion transparent nga platformat online

Reklamat politike, BE-ja kërkon informacion transparent nga platformat online

Platformat online duhet t’i deklarojnë reklamat politike me pagesë thuhet në një propozim të ri të BE-së. Komisioni Evropian planifikon t’i detyrojë platformat në internet të bëjnë të qartë rastet e reklamave politike me pagesë.

Sipas projektligjit të ri edhe kompanitë si Google, Facebook dhe gjigantë të tjerë të mediave sociale duhet gjithashtu të ofrojnë më shumë të dhëna se kush paguan për reklamat dhe metodat me të cilat synojnë të joshin votuesit. Nëse nuk respektojnë ligjin, ato mund të dënohen me gjoba deri në 4% të të ardhurave të tyre globale.

“Njerëzit duhet ta dinë pse po shohin një reklamë, se kush ka paguar për të, dhe se çfarë kriteresh mikro-targeting janë përdorur”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova. “Reklamat digjitale për qëllime politike po shndërrohen në një garë të pakontrolluar metodash të pista dhe të errëta”, shtoi ajo.

Çfarë do të thotë për përdoruesit e mediave sociale?

Nëse propozimet zbatohen përdoruesit e mediave online do të jenë lehtësisht në gjendje ta kuptojnë se kush ka paguar për një reklamë, sa kohë do të zgjasë, sa është paguar dhe për çfarë zgjedhjesh bëhet fjalë.

Komisioni gjithashtu dëshiron të ndalojë teknikat e targetimit politik që përdorin të dhëna të ndjeshme personale që përdoruesit ndajnë në mediat sociale. Sipas projektligjit reklamat politike nuk do të lejohen më të përdorin origjinën etnike të votuesve, besimet fetare ose orientimin seksual për të shpërndarë reklama – përveç nëse përdoruesi i mediave sociale bie dakord.

“Për herë të parë do të jetë po ashtu e detyrueshme të përfshihet në reklama informacioni i qartë se mbi çfarë baze synohet personi dhe të publikohet se cilat grupe individësh janë targetuar, në bazë të cilave kritere dhe me çfarë mjetesh apo metodash përforcuese”, thuhet në një deklaratë të Komisionit. Politikanët megjithatë përjashtohen nga rregullat, në rastet kur postojnë diçka në llogaritë e tyre personale sociale.

Shqetësim për keqpërdorimin e reklamave politike

Propozimi i fundit është pjesë e planit të Brukselit për të pakësuar dezinformimin gjatë zgjedhjeve evropiane.

Në vitin 2018 firma britanike Cambridge Analytica që merret me analiza të dhënash u akuzua për përdorimin e të dhënave personale të dhjetëra miliona përdoruesve të Facebook-ut për të ndërtuar një operacion për të ndikuar votuesit në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.

Po ashtu edhe operatorë në Rusi dhe Kinë janë akuzuar për veprimtari të fshehtë në internet për të dëmtuar politikën në demokracitë perëndimore. Moska dhe Pekini i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.