Home Kulture Regjisorët: Më shumë marketing për filmin shqiptar, nuk po arrijnë njerëzit ta...

Regjisorët: Më shumë marketing për filmin shqiptar, nuk po arrijnë njerëzit ta shohin në kinema

Buxhete më larta dhe më shumë marketing për filmin shqiptar, ku sipas kineastëve të ndryshëm problemet nuk janë të pakta. Në reagimet e tyre regjisorët pohojnë se filmat shqiptarë nuk duhet të mungojnë si premiera në kinema. Sipas tyre përderisa kanë një buxhet shteti, premierat nuk duhet të mungojë në Shqipëri për publikun. Regjisori Artan Maku thotë se kinematë që ekzistojnë sot në vendin tonë duhet të jenë dhe me premiera të filmit, ku sipas tij përderisa filmi shqiptar bëhet me buxhet shtetit është detyrim premiera te publiku. “Kinematë janë të detyruara të zbatojnë ligjin, në të njëjtën kohë varen nga bashkia, por ka dhe një lloj detyrimi ligjor edhe nga Ministria e Kulturës, por nuk e zbatojnë. Çdo film shqiptar duhet të japë premierën në kinema në Shqipëri. Ne kemi kinema Millennium në Tiranë, kemi në Korçë, Shkodër por nuk e zbatojnë, edhe kur japin premierën e japin me lekë. Filmi te ne bëhet nga fondet shtetërore dhe e ka për detyrë çdo kineast dhe producent të bëjë premierën në Shqipëri, më pas jashtë”, thotë regjisori Maku. Sipas regjisorit të animacionit Artan Maku, edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk duhet të bëjë tolerime kur flitet për premierat. “Me tolerimet që janë bërë nga QKK kanë filluar të bëjnë premiera jashtë dhe më pas në Tiranë. Nuk quhet premierë ndërkombëtare te ne, por kombëtare. Nuk mund ta japi filmin në ato festivale që ne i kemi ndërkombëtare këtu, pasi shumë festivale të kategorisë A nuk duhet ti kenë bërë premierat filmat në festivalet e tjera. Por kur ta shfaqësh me publik nuk ka lidhje fare. Premiera publike e detyruar, sepse janë fonde publike, kurse te ekspozimi te festivalet ndërkombëtare në vend është tjetër gjë”, pohon Maku.

Puna me filmin

Pandemia ka ndikuar edhe në punën me filmat, por sipas kineastëve vazhdon të jetë shqetësues dhe buxheti. Regjisori i animacionit Artan Maku tregon se buxheti i QKK është ulur. “Buxhetet në përgjithësi për filmat janë problem, sepse dhe aq është buxheti që jepet për QKK, madje mua më thonë që sivjet ka rënë dhe 300 mijë euro më pak buxheti. Dhe pretendimi është që mos ketë filma, por vetëm festave, të realizohen politikat e shpërndarjes, etj, dhe prodhimi i filmit këtë vit do të bjerë”, pohon regjisori. Eliona Thomaraj është një regjisore e re, që po vijon punën me filmat. Por ashtu si dhe të tjerë kineastë, edhe Thomaraj shprehet për problemet në fushën e kinemasë. Sipas saj, njerëzit nuk arrijnë të shohin filmin kur mbaron. “Një pjesë e lekëve për filmin janë nga taksat tona, nga shteti, dhe kur vjen fundi filmi bëhet vetëm për festivalet. Nuk arrijnë ta shohin njerëzit filmin, kjo mendësi duhet ndryshuar. Arti bëhet në fillim për taksapaguesit e tu, por ne kemi dhe probleme që me kinematë. Unë do ta doja, që të kishte më shumë marketing për filmin shqiptar. Tek ne nuk është se mungon subvencionimi, se sa është fondi është tjetër gjë apo dhe se si merret, por ai fond për filmin ekziston”, thotë ajo. Për regjisoren Thomaraj problem është vazhdimësia e projektit kinematografik në vend, ku ajo shtron pyetjen me konkurrimin e filmi sot. “Problemi është vazhdimësia. A i kërkohet llogari producentit sa është shikueshmëria, sa u shit filmi, pse u bë filmi? Nga momenti që paratë dalin nga buxheti i shtetit duhet të jetë dhe për qytetarët tanë. U krijua ky film, pse dhe për kë? Kush është festivali shqiptar i filmit, me kë konkurrojmë ne? Kush po përfiton nga filmi? Buxhetet e filmit duhet të jenë më të larta, kjo as nuk diskutohet. Por duhet të marrim parasysh që rroga e një intelektuali nuk është më e lartë se 500 euro. Nuk është se penalizohemi vetëm te filmi, po të jetë puna te pagesa ne penalizohemi që te rrogat e buxhetorëve”, thotë ajo. Së shpejti pritet një premierë filmi me regji nga Thomaraj.