Home Aktualitet Rasti “Prestige”: Si nuk duhet të jetë një media….

Rasti “Prestige”: Si nuk duhet të jetë një media….

Një media serioze e tregon veten kur testohet drejtpërdrejt në ruajtjen e kredos si “pasuri e publikut”, apo e “në shërbim të publikut”, pra në rastet kur është private, pikërisht kur cenohen interesat e saj. Fiks kjo që po ndodh me News 24, pasi shteti po shemb, a shembi më saktë, një ndërtim turistik – “Prestige” – te Mali i Robit, pronë e pronarit të medias në fjalë.

Dhe, në dy rastet kur fadromat e IKMT-së kanë shkuar aty, në shtator e tani, kjo media e ka tradhëtuar qartazi publikun, duke u marrë me hallet e veta. Dhe këto halle të veta duke ia imponuar publikut, servirur si hall i të gjithëve. Jo, është halli i saj. Dhe nëse do ishte paksa serioze, paksa profesionale, nuk do kishte bërë këtë që bën, do kishte vijuar të jetë në shërbim të publikut, si “pasuri e publikut”.

“Prestige” është pronë e pronarit të News 24, jo pronë e publikut. Po ç’ndodh? Publiku vijon të bombardohet, paçka se me pult zgjedhjeje në dorë, me hallin e pronarit, në një prej pronave të tij, duke u shndërruar, kjo media, në nivelin më provincial të mundshëm. Ia shtojnë këtë provincialitet dhe ajo armatë figurash politike apo analitike, të cilët me hir apo pahir, dalin e denoncojnë qeverinë.

Dhe jo vetëm kaq; edhe newsbari i televizonit mbushet me titra bajate, ku në citime deklaratash kryeson partia e Ilir Metës, ku vetëm roja i selisë së Lirisë ka mbetur pa u nxjerrë të ai kuadrat lajmesh titrike. Kjo, dhe në situatë të zakonshme.

Pronari aspak simpatik i News-it dhe “Prestige” – i cili nuk njihet për ndonjë prestigj pubik veç të qënit biznesmen tranzioni, pra një pareli – ka mundësitë për një tjetër betejë, pa u bërë bajat, pa e bërë bajate dhe median e tij; ajo që t’i kushtohet vetëm rrugës ligjore nëse pretendon se i është bërë padrejtësi. Një rrugë ligjore deri në Strasburg, meqë i ka dhe mundësitë financiare. Dhe nëse triumfon ligjërisht, atëherë është e mira që dhe në median e tij, pra atëherë po, t’i rrëfejë publikut se ç’i ndodhu dhe si e zgjidhi ligjërisht. Kjo, në vlerën e një precedenti, duke bërë që qeveria të mos guxojë më të sillet si xhambaze jo thjesht me pronën e tij, por të çdo shqiptari. Por nuk e bën, pasi Shqipëria për të nis e mbarron aty ku nis e mbarron prona e tij. Pa dashje, këtë mesazh po na përçon News 24 këto ditë…në mënyrën më bajate e provinciale të mundshme! /tesheshi.com

Previous articleMehmet Pashë Dërralla, krijuesi i Ushtrisë Shqiptare. Kush e propozoi ministrin 69 vjeçar në qeverinë e Ismail Qemal Vlorës?
Next articleMërgimi, protesta e heshtur e shqiptarëve