Home Politike Rama flet si lider i opozitës, pas 10 vitesh në krye të...

Rama flet si lider i opozitës, pas 10 vitesh në krye të Qeverisë pranon se punonjësit paguhen ende në të zezë

5 mijë lekë të reja do ti bashkëngjiten pensionit të çdo pensionisti në Shqipëri për muajtë e ardhshëm. Vendimi që hyn në fuqi vetëm 40 ditë para zgjedhjeve, bie ndesh me Kodin Zgjedhor që e parashikon qartë se 4 muaj para nisjes së fushatës, ndalohet propozimi, miratimi dhe nxjerrja e akteve si rritja e pagave apo pensioneve me përjashtim të rasteve kur ka një fatkeqësi natyrore. Në këtë rast, qeveria nuk kishte asnjë ngut për të pritur 15 majin për të njoftuar këtë vendim.

Rama hapi PAKON ELEKTORALE? Si po e përdor qeveria buxhetin e shtetit

Por çfarë thotë kryeministri? Edi Rama zgjedh të mbrohet me projektin e tij për të qeverisur. Sipas tij, rritja e pagës minimale apo shpërblimi për pensionistët nuk kanë lidhje me kinezërinë e politikës por me zotimin e marrë më herët. Me sqarimin se “Sëpari këto janë të gjitha çështje dhe janë të gjitha zotime që janë marrë dhe s’kanë lidhje me Kodin Zgjedhor e zgjedhjet”, apo se “në kushtet që ata janë jo 5 mijë lekë por 1 mijë lekë të reja për pensionistët janë të domosdoshme”, Rama legjitimon një akt që sado të largohesh për ta lexuar, sërish përfundimi lidhet me ndikimin e këtyre vendimeve në rezultatin e zgjedhjeve.

 

Në të vërtetë kjo nuk është hera e parë. Edhe në vitin 2021, në zgjedhjet e përgjithshme pati një abuzim masiv me fondet e rindërtimit dhe përdorimin e skemës për vota në Durrës dhe Tiranë. Tashmë skema ka ndryshuar dhe mjetet janë të tjera. Jo më larg se disa ditë më parë, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve anuloi disa aktivitete të kryetarëve të bashkive dhe të zgjedhurve për të mos përdorur burimet e shtetit në fushatë, por vendimi u injorua. Të gjithë nuk shohin dhe nuk dëgjojnë asgjë.

Nëse dyshimi ynë do të ishte aq i pavend, atëherë së paku kryeministri sot nuk do të njoftonte hapjen me ceremoni të “pakos elektorale”, por do të tregonte përsa muaj këta pensionistë do të jenë pjesë e kësaj skeme trajtimi, si do të procedohet me rritjen e pagave apo me skemën e pensioneve fshat/qytet. Cilat janë politikat ekonomike dhe sociale që po ndjek qeveria, ndikimi i tyre në  afatgjatë dhe çfarë fryti pret në këmbim? A ka projeksione për situatën sociale ku ndodhen pensionistët shqiptarë sot, ata që janë me pagë minimalë dhe pagë mesatare?

Previous articlePrezanton kandidaturën për Avokatin e Popullit, Jaupi: Do ushtrojmë presion mbi qeverinë për minimumin jetik, takime çdo muaj me qytetarë
Next articleVijon rrjedhja në PD zyrtare, dorëhiqet një nga antarët për Këshilli Bashkiak