Home Slideri Rama, Berisha ka dhënë 500 milion dollarë për 100 mijë familje si...

Rama, Berisha ka dhënë 500 milion dollarë për 100 mijë familje si lëmoshë për votë

rama-2duartNga Xhevo Gradica / Rama : Sot në Shqipëri janë më shumë se 1 milion shqiptarë të pasiguruar dhe se skema e sigurimeve shoqërore në vend ka dështuar plotësisht. Berisha e ka pasur më të lehtë të mashtrojë e të mbajë në varfëri qytetarët, sesa t’u afrojë punë e dinjitet. 100 mijë familje janë keqpërdorur për shantazh politik

Kryetari i Partisë Socialistë Edi Rama ka qenë në Durrës në kuadër të shpalosjes së programit të tij për shërbimin publik nga ku ka deklaruar se gjithëçka pas 23 qershorit do të përmbyset në shërbim të qytetarëve dhe familjeve në nevoja të ngutshme ekonomike. Rama ka pohuar se në Shqipëri në çdo katër fëmijë një është në varfëri ekstreme, ndërkohë që çdo familje që jeton me 2 dollarë për frymë është në kufijtë e urisë së plotë. Kryetari socialist është ndalur tek denoncimi realitetit të cilin e ka cilësuar të hidhur dhe shumë të rëndë si dhe ka shprehur ambicien e tij për ta ndryshuar me çdo kusht këtë realitet të rëndë social të krijuar nga diktati politik. “Qeveria ka dhënë 50 milion dollarë në vit për të ushqyer 100 mijë familje të varfëra në Shqipëri të cilëve u kërkon votën nëse duan të marrin paratë e ndihmës ekonomike”,-është shprehur Rama. Sipas tij kjo strategji e qeverisë Berisha ka vijuar në 10 vite duke konsumuar dhe ushqyer parazitizimin dhe varfërinë e 100 mijë familjeve shqiptare. Shuma që shteti ka humbur në mënyrë parazitare është 500 milion dollarë, shumë e cila mendohet se lehtësisht mund të ishte vënë në shërbim të komunitetit përmes programeve të punësimit. “Berisha e ka pasur më të lehtë të mashtrojë e të mbajë në varfëri qytetarët, sesa t’u afrojë punë e dinjitet”,-është shprehur kryesocialisti Rama. Ai ka pohuar se Berisha ka dështuar në të gjitha drejtimet pasi u ka afrua më shumë se gjysmë milion shqiptarëve lëmoshë e parazitizëm. “Lëmosha e dhënë nga qeveria është kthyer në taksë për votën dhe kjo taksë është peng i dinjitetit të nëpërkëmbur nga Berisha dhe qeveria e tij”,-u shpreh Edi Rama me tone të ashpra në takimin e tij me strukturat socialiste lokale në Durrës. Rama u ka premtuar shqiptarëve se pas 23 qershorit nuk do të guxojë njeri të shpërdorojë besimin dhe as dinjitetin e qytetarit. Gjatë komunikimit me auditorin ka pohuar se “100 mijë familje janë keqpërdorur për shantazh politik”, ndërsa ka deklaruar se 50 mijë dollarë të shpenzuar nga Berisha për manipulim të pandershëm të qytetarëve do të vihen në shërbim të programit të punësimit. Teksa ka analizuar skemën e sigurimeve dhe punësimit Rama është ndalur enkas në çështjen e arsimit profesional duke deklaruar në Durrës se arsimi profesional është një tjetër dështim i programeve të qeverisë së Sali Berishës në kuadër të arsimimit të të rinjve. “500 milion dollarë të shpenzuar në 10 vite qeveria e Berishës duhej t’i kishte shpenzuar në drejtim të punësimit të të rinjve”,-është shprehur Rama. Ai ka thënë se sipërmarrësit privat duhet të mbështeten pasi ata janë burim me peshë në kualifikimin dhe punësimin e të rinjve të cilët më pas do të marrin përsipër të mbajnë ekonomitë e tyre familjare. “Do të Rilindë edhe arsimi profesional”,-ka deklaruar me siguri Edi Rama në Durrës, qendër e cila për shkak të politizimeve të institucioneve ka ndëshuar rëndë çështjen e arsimit profesional. Në kuadër të konkretizimit të fakteve Rama ka thënë se “Sot kemi numrin më të madh të juristëve për km 2 në nivel Evrope, ndërkohë që për të kërkuar një elektricist apo hidraulik duhet ecur disa kilometra”. Rama ka dhënë alarmin se zanatet në Shqipëri po zdhuket dhe kjo për faktin se qeveria i ka parë të gjitha këto si prapavijë mbështetëse politike për mandatin qeverisës dhe jo si perspektivë e zhvillimit dhe integrimit të rinisë në qytetërimin evropian. Kryetari Partisë Socialistë Shqiptare ka shkuar edhe më tej duke guxuar të deklarojë, si askush tjetër, edhe faktin e diplomave fiktive. “Diplomat pa vlerë po lulëzojnë në të gjithë Shqipërinë”,-ka thënë Rama duke pohuar se qeveria e Sali Berishës e ka kthyer arsimin universitar në biznes. Durrësi ka qenë destinacioni i rradhës së Edi Ramës në kuadër të shpalosjes së programit të tij elektoral duke analizuar me hollësi çështje të mprehta dhe shumë të ndjeshme në shoqërinë shqiptare e cila përballet me varfërinë, papunësinë dhe krimin. Rama ka thënë se sot në Shqipëri janë më shumë se 1 milion shqiptarë të pasiguruar dhe se skema e sigurimeve shoqërore në vend ka dështuar plotësisht. “Po nuk pate lekë, mos u sëmurë. Po u sëmure, gjej lekë”,-ka ironizuar Rama realitetin e hidhur të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore në Shqipëri. Ai ka thënë se skema sigurimeve shoqërore në vend ka dështuar e gjitha dhe se duhet gjetur e afruar një tjetër mundësi për të shmangur shitjen e shtëpive dhe bagëtive në këmbim të shërimit të një pjestari të familjes.

Previous articleMes pesimizmit entuziast dhe entuziazmit pesimist
Next articleKurrë nuk mund ta shijosh fitoren teksa lufton të vërtetën, dijen nëpërmjet injorancës, për hir të karrierës