Home Letersi “Qorbë viqi…”, Ta shkruajmë shqipen shqip

“Qorbë viqi…”, Ta shkruajmë shqipen shqip

Rrëfenjë humoreske me pak kripë e pak spec

Atë ditë fund korriku 2011 udhëtonim drejt Prishtinës së bashku me mësues të gjuhës shqipe në mërgim e titullarë të dorës së tretë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siç quhej atëherë – shkurt MASH, e siç quhet tash – shkurt MAS…
Na u prezantua që në fillim koha e udhëtimit dhe arritja bash në orën e drekës. Hesapet nuk dolën sepse udha nga Qafë Morina në Prishtinë, e reja ishte në kilometrat e parë kurse e vjetra në grahmat e fundit.
Kthesat, gropat e rrugës, makinat njëra pas tjetrës si kokrrat në tespihe, na sfilitën trupin e na e boshatisën stomakun.
Lodhja e trupit edhe durohet por ajo e stomakut, ehe…
Nuk flitej më për arritje në orarin e drekës dhe as për drekë. Telefonatat midis ”titullarëve të dorës së tretë” tash shqetësimin e kishin a do të arrijmë në orar për ceremoninë e hapjes të seminarit?!
U ndalëm në një restorant me urinë e ujkut. U ulëm dhe morëm në dorë menynë.
– Qorbë viqi – lexoi me zë miku im mësues nga Librazhdi- Çfarë është kjo?
Qesha.
– Qorbë viqi!- i them unë dhe qesha aq fort sa desh u rrëzova nga karrigeje duke lënë nam.
– Çfarë?! – pyeti ai me habinë e një marsiani të sapo zbritur në tokë.
Nuk ishte hera e parë që përballesha me përdorime krahinore të emrave dhe sendeve të ndryshme. Madje mund të them se habinë time më është dash ta shuaj jo me gotë, as me një kanë të tërë por me një ujëvarë të tërë uji që shkumëzon…
…Në seminarin e dy viteve më parë në Mitrovicë një mësueseje kosovare që jepte mësim në një shkollë austriake ku fëmijët emigrantë mësonin të shkruajnë, lexojnë, luajnë e këndojnë shqip, i pëlqeu prezantimi i librit “Shkolla shqiptare e Athinës”, organizimi tipografik, vendosja e fotografive, paragrafët e vend vendosjet e portreteve, reportazheve dhe gjinive të tjera publicistike, një punë profesionale e botuesit tim dibran Bujar Karoshi. Më dha një CD dhe mu lut që t’i redaktoja dhe t’i jepja formë materialeve të saj në një libër si ai.
Pranova me kënaqësi dhe sapo u ktheva, pasi i hodha të gjitha materialet në një zarf kompjuterik, fillova punën…
Kisha dhënë fjalën dhe nuk mund ta ktheja mbrapsht. Për më tepër kur ia kisha dhënë një zonje, një mësueseje që ishte shumë e përkushtuar për të nxjerrë në dritë nëpërmjet punës së vet vlerat e nxënësve, prindërve dhe shkollës shqipe në Austri.
U përballa me një material të shkruar në një tastierë e program të gjermanishtes aq larg me tastierën dhe programin e gjuhës shqipe, ku i gjen të gjitha germat e saj, të tridhjetë e gjashtat.
Më vinte inat dhe pyesja veten si është e mundur që në tastierën e kompjuterit të një mësueseje shqiptare nuk ishte futur programi i gjuhës shqipe të Kosovës, program që unë e kam dhe me të punoj prej vitesh, program që mjafton të hyjsh në adresën (www.gjuhashqipe.com) dhe me disa ndryshime të vogla në vendosjen e shkronjave i ke të tridhjetë e gjashtat germa të Gjuhës Shqipe…
E kalova në programin tim të shqipes dhe u drodha në trup e gjymtyrë. Programi m’i nënvizonte me të kuqe të gjitha gabimet drejtshkrimore. Dhe ata ishin shumë, aq shumë sa nuk shkruhen me laps e nuk numërohen me kompjuter. Germa ë (Ë) nuk ekzistonte. Germën ç (Ç) nuk e gjeje askund. E para nuk ishte zëvendësuar me asnjë germë të alfabetit të Manastirit. E dyta ishte zëvendësuar me germën q (Q) të shqipes së sotme.
Pa ju gënjyer mu deshën katër muaj që ta çoja librin në arën e dijeve të mija drejtshkrimore.
Libri nuk u botua ndonëse unë e kisha dërguar në shtëpinë botuese dhe miku im e kishte bërë gati për shtyp.
Mbetej një PO nga Austria, shoqëruar edhe me çekun për shpenzimet e shtypshkronjës (unë kisha refuzuar çdo lloj honorari dhe pagese) dhe libri brenda disa ditësh do të udhëtonte drejt mësueses dhe nxënësve të saj në Austri.
Pohimi nuk erdhi. Libri nuk u botua. Origjinali mbeti në një zarf në kompjuterin tim…
Ai libër më lodhi shumë. Aq shumë sa nuk jam lodhur asnjëherë. Më lodhi fizikisht. Më lodhi psikologjikisht…
Ai libër më mësoi shumë. Më mësoi shumë fjalë nga leksiku i Kosovës në përgjithësi e i vendlindjes së autores në veçanti. Kjo ma hoqi lodhjen dhe e quaj një urim jete që nuk mund ta harroj…
Më dha mundësinë që t’i përgjigjem me “këmbë të para” mikut tim nga Librazhdi…
– Çorbë viçi – i them duke qeshur.
– Si, si?! – pyeti habitshëm.
– Çorbë. Nuk e përdornin këtë fjalë në Librazhd? Është një lloj supe e trashë me lëng mishi. Në rastin tonë është me mish viçi. Në Dibër ne e kemi të parën në sofrën e dasmave dhe të morteve, por edhe në jetën e përditshme…
Porositëm “qorbë viqi”…
Na pëlqeu. E kishin bërë të “lëpije gishtat”.
Në pritje për të paguar i ramë nga kreu në fund së lexuari menysë.
Qeshëm me lot.
Qeshim edhe sot sa herë takohemi dhe në bisedë hynë udhëtimi i bukur në Prishtinë, hoteli Emerald, madje edhe shëtitja jonë për herë të parë në qendër të Prishtinës me nga një misër të pjekur në dhëmbë, nën një rrjedhë të lehtë shiu Kosove…
QORBË VIQI…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 20 prill 2015