Home Aktualitet Qeveria plan B nëse zgjatet pandemia, drejtoresha e Tatimeve: 3300 biznese kanë...

Qeveria plan B nëse zgjatet pandemia, drejtoresha e Tatimeve: 3300 biznese kanë aplikuar për “pagën e luftës”

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj u shpreh se deri tani kanë aplikuar 3300 biznese për të përfituar nga paketa ekonomike që ka hyrë sot në fuqi. Gjatë një reagimi për media ajo tha se në prill do të shpërndahet paga e munguar e muajit mars, por bëri apel që aplikimet të bëhen të sakta me numra të saktë të llogarive bankare ku do të kalojnë edhe pagat për punonjësit. “Nga sot në portalin e taksave është shfaqur pyetësorë në të cilin të gjithë tatimpaguesit mund të aplikojnë. 3300 tatimpagues kanë aplikuar dhe 505 të punësuar, që do të mbështeten nëse aplikimet do të jenë të suksesshme. Bizneset duhet të jenë të mbyllura me urdhër të ministrisë së shëndetësisë. Sipas VKM-së kemi 10 ditë kohë për ti kthyer një përgjigjem, megjithatë mendoj që përgjigjja jonë të jetë më e shpejtë. Siç është anonçuar dhe më parë kjo ndihmë financiare do ti kalojë të punësuarve, është e rëndësishme të plotësohen të dhënat e llogarisë bankare për çdo të punësuar. duhet të jenë të kujdesshëm se pasaktësia do të shkaktojë vonesa në kalimin e parave. Masa e ndihmës është e barabartë me pagën e minimale 260 mijë lekë të vjetra që do ti kalojë direkt në llogari të punësuarve, nuk ka ndalesa”, tha drejtoresha e Tatimeve

Delina Ibrahimaj thotë se qeveria i ka marrë masat që të shlyhen pagat e punëtorëve që kanë mbetur pa punuar si pasojë e mbylljes së bizneseve që nuk lejohet të ushtrojnë aktivitetin tregtar gjatë situatës së COVID-19,deri për në muajin qershor, kur është e garantuar dhënia e pagës së muajit maj. Por nëse situata me pandeminë do të zgjasë, Ibrahimaj tha, se do të kalohet në planin B, që përfshin mbështetje jo vetëm për fashën e atyre që përfitojnë nga paketa aktuale 100 milionë euro. “Unë uroj që situata të mos zgjasë më shumë se 3 muaj për arsyen e parë, atë shëndetësore, do ishte tragjike që situata të zgjaste aq shumë. Në varësi të ecurisë qeveria ka menduar një plan b të situatë siç është deklaruar më parë dhe nga kryeministri Rama do ketë mbështetje të formave të ndryshme jo vetëm për këtë fashë që po flasim sot”, tha drejtoresha e Tatimeve.

Ibrahimaj shtoi më tej se ata që janë në punë të zezë nuk përfitojnë nga “Paga e luftës”. “Është e pamundur për administratën për të identifikuar dhe të verifikojë vërtetësinë e fjalëve të tyre dhe nëse do të deklarohet tani. Punëmarrësit të bëjnë të gjitha hapat e duhura për t’u deklaruar. Mbështetjen do të marrësh vetëm nëse je i regjistruar. Për këtë kategori bashkë me ndihmën ekonomike, VKM që ka dalë parashikon të dyfishojë pagesën e papunësisë dhe pagesën e ndihmës ekonomike. Ne supozojmë që punonjësit në të zezë dhe familjarë të tyre të jenë pjesë e paketave të tjera që është duke implementuara nga qeveria”, tha ajo.