Nga Xhevahir Gradica
Qendra shëndetësore e Spitallës në Durrës është lënë në ato kushte si dhe para 30 vitesh. Edhe pse popullësia e lagjes 15 është gati dhjetëfishuar në vitet e demokracisë, qendra në shërbim të popullatës ka mbetur po ajo. Mjekët dhe infermieret shërbejnë në kushte aspak të përshtatshme, ndërsa fjalët se do të investohet rrënjësisht në këtë qendër kanë mbetur vetëm në letra. Vit pas viti flitet e premtohet së paku në përfshirjen e qendrës nën rikonstruksion të plotë, por deri më tani asgjë nuk është bërë. Gjithçka duket që në pamjen e parë ngase veç dritareve e dyerve plastike si dhe pllakave, asgjë tjetër nuk është në vendin e vet. Vite më parë u fol se qendra do të rikonstruktohet dhe do të përfitojë mjedise shtetsë të cilat, për shkak të hapsirës së lirë, edhe mund të realizoheshin. Pastaj u tha se do të ndërtohet një qendër e re, ndërsa as njëra dhe as tjetra nuk ndodhën. Në këtë qendër nuk bëhet fjalë për sistem ngrohje apo ajrimi, ndërkohë që dosjet e përpiluara me kujdes nga mjekët dhe personeli ndihmës dergjen në rafte të vjetra ku lagështia dhe myku shumë prej tyre i ka bërë të palexueshme. Recepsioni ushtron detyrimet në koridorin e ngushtë që mban erë lagështi si dhe të gjitha dhomat ku kryehen vizitat apo injeksionet. Bluzat e bardha e ndiejnë çdo ditë vështirësinë, por e kanë të pamundur të bëjnë ndonjë hap më tej ngase në raste të tilla duhet vendosur në short vendi i punës. E vetmja gjë që bëjnë ata është ngritja e supeve dhe shprehje “Shikojeni vet si është”. Edhe qytetarët, të cilët shkojnë pranë konsultores së fëmijëve dhe mjekut të familjes, paraqesin të njëjtin shqetësim. Ata janë të kënaqur me kujdesin e treguar nga bluzat e bardha, ndërsa pohojnë se kjo godinë me katër mjedise e ka të pamundur të shërbejë për një popullatë kaq të madhe siç është lagjja 15. Dhomat janë shumë të vogla, aq sa mjeku dhe infermierja e pranishme gjithnjë në vizitat mjekësore e kanë të pamundur të qëndrojnë krahas. Në kohën që mjeku qëndron te koka pacientit gjatë vizitës, infermierja rri te këmbët e tij pasi raftet e vjetra dhe hapsira e ngushtë nuk lejojnë më shumë se aq. Në vështirësi të panumërta gjendet edhe laborantja që kryen analizat, ndërsa një dhomë është lënë si strehë e dosjeve. Kjo qendër më së shumti i ngjet një magazine të mykyr sesa një qendre të shërbimit për shëndetin e popullatës.