Porti i Durrësit do të drejtohet nga socialistët dhe kjo duket se nuk ka më asnjë dyshim. Burime nga kjo parti kanë bërë të ditur se tashmë është menduar edhe ekipi drejtues i këtij institucioni të cilit i duhet të përballet jo vetëm me atë që i ka bërë PD në këto ditë ikje si parti qeverisëse, po edhe gjatë tetë viteve me tenderat dhe privatizimet që ka bërë. Sipas burimeve të gazetës, në drejtimin e portit të Durrësit do të vihet një njeri që ka kurajon për të hapur proceset e tenderimit që ka bërë Eduard Ndreu, njeriu që njihet ndryshe dhe si finacuesi i mafies së PD, jo vetëm në Durrës. Për këtë arsye, PS ka vendosur që të dërgojë atje një njeri mjaft të besuar të sajin që natyrisht krahas punës për të arritur standartet evropiane të portit të realizojë edhe hapjen e të gjithë procedurave të tenderave që në shumicën e rasteve janë korruptivë. Por mesa duket ka dhe një problem tjetër që PS-ja këmbëngul që të mos e marrë LSI-ja drejtimin e portit, problem që ka të bëjë me lidhjet e ngushta të drejtuesit aktual me njerëz të afërm të drejtuesve të LSI-së. Ky fakt i denoncuar disa herë në media duket se i ka bindur dhe vetë drejtuesit e LSI-së për të mos këmbëngulur që të marrin ato drejtimin e portit. Ndërkohë që situata është e njejtë edhe për drejtimin e prefekturës një institucion që për hir të së vërtetës për tetë vite e më shumë është jo drejtuar, po përdhunuar me njerëz të paaftë, servile, të cilët kanë dashur ta mbajnë mirë dhe me abuzuesin dhe me shkelësin e ligjit, po edhe me atë që kërkonte ligjin. Përvojat e viteve të fundit kanë mbetur në kujtesën e qytetarëve si qeverisja më ordinere dhe më e paformuar profesionalisht, ndërsa shpesh është bërë objekt i konflikteve dhe i pazareve politike. Ndër emrat që përflitet më shumë për të marrë drejtimin e prefekturës nga PS-ja janë Gëzim Agasi, Roland Xhelili dhe Gazmir Bizhga, ky i fundit një politikan i njohur jo vetëm lokal po dhe një drejtues politik në Durrës që ka pasur kurajon për të denoncuar shkeljet e pushtetit.