Home Slideri Prefekti i Durrësit Genci Alizoti: Ja çfarë di për skandalin e pronave...

Prefekti i Durrësit Genci Alizoti: Ja çfarë di për skandalin e pronave në Hamallë të Durrësit

genciNga Xhevo Gradica / Prefekti i Durrësit Genci Alizoti ka qartësuar pozicionin e tij dhe të komisionit të verefikimit të titujve të pronësisë pranë prefekturës lidhur me problemin e shumëpërfolur të tokave në Hamallaj. Alizoti ka thënë se për të gjitha tapitë që u janë mohuar banorëve komisioni është mbështetur në dokumentet që i ka sjellë bashkia Sukthit, hipoteka Durrësit dhe sigurimet shoqërore. Prefekti ka pohuar gjithashtu se është shumë i interesuar që banorët në Hamalle të marrin zgjidhjen sa më shpejt duke i këshilluar ata të ndjekin rrugën e ankimeve në organet e drejtësisë. Deri më tani komisioni verefikimit të titujve të pronësisë pranë prefekturës u ka mohuar 20 banorëve në Hamallaj tapitë e tokës dhe se çështja tyre është në Gjykatën e Apelit, ndërkohë që mësohet se janë edhe 153 raste të tjera në verefikim. Banorët e kanë akuzuar prefekturën, hipotekën e Durrësit dhe një pjesë të administratës së bashkisë Sukth për bashkëpunim në fallsifikime dhe manipulime të dokumentacionit të tokës.

 

Në dy numrat e saj të radhës gazeta “Bulevard” ka sjellë shqetësimin e banorëve në Hamallaj lidhur me çështjen e pronave të tyre.

E kam ndjekur dhe lexuar intervistën që keni bërë me banorët në Hamallaj dhe shqetësimin e tyre për mosmarrjen e tapive.

Disa herë aty dalin në pah vërejtjet që ata kanë për komisionin e verefikimit të titujve të pronësisë, komision që varet nga autoriteti prefektit.

Po. Ky komision varet nga ne si prefekturë. Ky komision deri tani, që nga koha që është formuar, ka dërguar vetëm për banorët e Hamallaj për shfyqizim të tapive 23 vendime, për 23 shtetas. Këto rezultojnë të jenë dhënë në kundërshtim me ligjin. Vendimi Këshillit të Ministrave numër 452 datë 17.10.1992 “Për ristrtukturimin e ndërmarrjeve bujqësore” dhe ligjin 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin nga përdorimi në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” nuk janë zbatuar në rastet e mësipërme. Të dy këto ligje janë shkelur. Procedura është kjo: pasi merr vendimin komisioni verefikimit të titujve të pronësisë automatikisht kalojnë në gjykatë dhe gjykata është autoriteti kryesor. Ajo ose le në fuqi vendimin e komisionit të verefikimit të titujve të pronësisë, ose e hedh poshtë atë. Për hirë të së vërtetës, nga të gjitha këto, sipas informacionit që ne kemi, 20 raste janë pranuar nga gjykata dhe janë gjykuar dhe i është dhënë e drejta komisionit të verefikimit të tutujve të pronësisë, ndërsa 3 të tjera janë pezulluar për mungesë adrese të palës së paditur. Të 20 raste tani gjenden në gjykatën e Apelit nga ata që kanë humbur gjyqin.

Ku jeni bazuar që komisioni verefikimit të titujve të pronësiësë ka shfyqizuar këto 20-23 tapitë e banorëve të Hamallaj?

Për të marrë një vendim ne marrim tre dokumente nga institucione të ndryshme. Konkretisht: 1. Nga bashkia përkatëse (ose komuna, sipas rastit, varen se ku banon personi që është bërë objekt i këtij komisioni) që është bashkia Sukth. 2. Nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, 3. Kadastra që është në qarkun e Durrësit. Këto janë tre burimet kryesore të informacionit që ne marrim për të bërë më pas verefikimin dhe më pas kalojmë në vendimmarrje. Në bazë të një informacioni të marrë nga bashkia Sukthit me datë 22.01.2010 me shkresën numër 245 protokolli, të kësaj date, mbi gjendjen civile të fshatit Hamallaj, nënshkruar kjo shkresë nga ish kryetari i ndjerë Yrjan Hasani, na rezulton që këta banorë nuk kanë qenë banorë të fshatit Hamallaj në momentin e daljes së ligjit “Për Tokën”. Automatikisht nuk kanë qenë subjekt i ligjit 7501 për ndarjen e tokës.

Kryetari i komisionit të ndarjes së tokës Shefqet Xeka është personi që ka dërguar fillimisht në hipotekën e Durrësit të gjithë dokumentacionin e ndarjes së tokës në Hamalle.

Hipoteka e Durrësit për 23 raste më ka dërguar mua si prefekturë të bëjë verefikimit përmes komisionit përkatës pranë nesh. Të 23 rastet kanë rezultuar se e kanë marrë tokën në kundërshtim me ligjin se nuk kanë qenë subjekt i këtij ligji. Nuk kanë qenë banorë të fshatit.

Banorët disponojnë tapitë e tyre me vulë të komisionit të atëhershëm të ndarjes së tokës.

Vulën edhe e kanë marrë. Edhe në vitin 1994 ajo vulë ka qenë. Deri në 1996 toka është dhënë në përdorim dhe jo në pronësi. Në vitin 1996, nëse e kishte tokën, e zotëronte i kalonte në pronësi. Ky është njëri argument. Së dyti, referuar nga informacioni që na ka dërguar drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore në Durrës, nisur nga fakti se këta paguanin sigurime shoqërore pasi kanë qenë në NB, na rezulton se këta shtetas që komisioni ka marrë vendim për pavlefshmërinë e tapive, nuk rezultojnë të kenë qenë punonjës të ndërmarrjes bujqësore Sukth. Shkresa është po ajo, numër 245, datë 22.01.2002.

Në sigurime shoqërore banorëve u është thënë se ata si institucion nuk disponojnë bordorotë e asaj periudhe të ndërmarrjes bujqësore.

Nuk kanë qenë punonjës. Ata, sigurimet shoqërore, më dërgojnë shkresë dhe saktësojnë se këta persona nuk janë punonjës të NB-së.

Banorët e penalizuar kanë librezën e punës të firmosur nga ndërmarrja bujqësore. Ju e njihni librezën e punës?

Jo. Ne nuk e njohim librezën e punës. Ne marrim informacion vetëm nga sigurimet shoqërore. Librezën mund ta bëjë kusdho sot. Vulën mund ta bëjë kusdho. Unë njoh informacionet zyrtare, nuk njoh një dokument që ma sjell tjetri. Prefektura i drejtohet zyrtarisht dhe zyrtarisht merr informacion nga gjendja civile e bashkisë Sukth. Thuaj gjithë ditën që në gusht 1991 kam qenë banorë atje, në Hamalle. Është zyra gjendjes civile që e vërteton. Kur qytetari ka ankesë t’i paraqesë në gjykatë, pse asnjëri nga 23 personat që ne ua kemi hequr tapinë nuk ka bërë një gjë të tillë.

Në gjykata është paraqitur nga banorët tapi me numër 399 dhe një tjetër me numër 400 e kështu me radhë. Prefektura ka paraqitur 399 /1 dhe 400 / 1. I kanë kërkuar gjykatës që të verefikojë cila është origjianle dhe cila është e jashtëligjshme.

Prefektura pranon tapinë që sjell zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Me fraksion, pa fraksion e di ajo, Ajo përgjigjet për atë dokument.

Ligji nuk pranon tapi me fraksion.

Nuk më intereson kjo, tapia vjen nga hipoteka. Ta kundërshtojnë në gjykatë. Unë i kërkoj qytetarit të më sjell një tapi dhe të më bind. Nuk e sjell. Në bazë të tapisë që më ka sjellë hipoteka kemi marrë vendimin. Nuk kam në dorë dy tapi që komisioni të gjendet në vështirësi se cila ka të drejtë dhe cila jo. Unë kam informacionin nga bashkia e Sukthit dhe atë që më ka sjellë hipoteka. Shfrytëzojmë edhe dokumentet që vinë nga sigurimet shoqërore. Po të bëhej fjalë për kooperativë atëherë dokumenti do të merrej tek komuna a bashkia përkatëse. Sigurimet shoqërore japin të dhëna vetëm për ndërmarrje bujqësore dhe jo për kooperativa. Mbështetur në dokumentet e institucioneve të shtetit merret vendimi për aktin e padrejtë dhe aktin e drejtë. Ligji ka bërë një gjë të bukur, nuk ia ka lënë vendimmarrjen vetëm komisionit të verefikimit të titujve të pronësisë. Prefekti monitoron komisionin që përbëhet nga gjashtë veta. Në qoftë se kam objeksionet e mia ,këtë ia dërgoj komisionit qeveritar të tokës më të gjitha të dhënat. Fatmirësisht kemi gjykatën që vendos. Drejtësia ka të gjithë atributin të thotë se unë si prefekturë a komisioni ynë i verefikimt të titujve të pronësisë ka shkelur ligjin. Çudia është se nga 23 tapi që kemi dërguar, 20 janë marrë në favorin tonë dhe vetëm 3 nuk u gjendet adresa, nuk gjendet personi.

Banorët thonë se bëhet fjalë për 33 tapi, 33 pronarë.

Deri tani komisioni ynë në prefekturë ka marrë vendim për 23 tapi. Kaq deri tani. Në të ardhmen do të kemi të tjera. Mund të jenë 350. Duhet të dimë një gjë, nga gushti 2011 deri në gusht 2012 komisioni e ka pasur të pezulluar punën. Me vendim qeverie ky komision nuk punonte, i kishte përfunduar mandati. Parlamenti e rimori në shqyrtim dhe komisioni nisi së funksionuari nga e para pas pezullimit.

Ka mbivendosje të pronave në Hamalle?

Edhe mund të ketë.

Bëhet fjalë për një vendim numër 2, datë 19.9.2005 që i jep familjes Qorraliu kompensim në tokat ebanorëve të Hamallaj.

Jo nuk kemi informacion për këtë vendim.

Kjo familje ka marrë kompensim, sipas banorëve në Ishëm dhe në Hamallaj. Kanë ardhur banorët për ankesë tek ju?

Kanë ardhur. Ky Xeka (kryetari komisionit të ndarjes së tokës në Hamalle-shënimi ynë) ka ardhur në prefekturë 15 herë me banorë të tjerë. Janë bërë ballafaqime. referuar informacionit që kemi nga kadastra. Këshilli i qarkut të Durrësit me shkresën e saj 1837 / 1 datë 23. 11. 2009 dhe hartës e skicave që disponon kadastra rezulton që parcelat numër 1,2, 3 / 2 me 1 shtator 1991 e kanë zërin kadastral arë, porkëto parcela shtrihen në zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Çfarë do të thotë kjo?

Ato zona që janë me përparësi për zhvillimin e turizimit në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave numër 321, datë 20.7.1992 nuk lejohet të ndahen, nuk jepet tapi, nuk lerjohej që banorët të merrnin tokën. Komisioni verefikimit të titujve të pronësisë pranë prefekturës Durrës po vazdhon punën për verefikimin e 153 rasteve të tjera. Sapo të kemi informacionin e plotë do të kalojnë në vendimarrje.

Keni informacion që një oficer i policisë gjyqësore ka marrë dokumentacionin dhe po heton për atë që protestojnë banorët e Hamallaj lidhur me bllokimin e tapive të tyre.

Jo, nuk kam dijeni. Nuk e di ku i ka tërhequr këto dokumente.

Po për familjen Qorraliu që ka marrë në Ishëm kompensim dhe po kjo familje ka marrë edhe në Hamalle kompensim keni dijeni?

Nuk merrem, fare me atë. Kompensimet nuk i jep prefektura.

Janë 33 tapi që banorët thonë se janë bllokuar pikërisht për këtë arsye.

Të shkojnë në proces gjyqësor. 20 janë në Apel. Ne e kemi fituar shkallën e parë si prefekturë dhe banorët e kanë dërguar çështjen në Apel.

Në takimin tuaj me banorë ka dalë emri familjes Qorraliu, pasi ata konfliktin këtu e kanë.

Mua nuk më duhet fare me kë kanë konflikt.

Del edhe emri, sipas tyre, i Gazmend Dibrës

Nuk më duhet. Këtë e dëgjoj prej jush.

Nuk e ke dëgjuar më parë këtë emër? Nuk e kanë përmendur fare banorët në takimin me ju?

Jo, jo. Nuk më duhet gjë mua. Ky komision nuk është as për kthim toke dhe as për të marrë tokë. Ky është komision për të verefikuar. Qytetari X e ka marrë me të drejtë tokën, apo e ka marrë pa të drejtë. Kaq. Këtë bën komisioni. Kur kam ankesë.

Janë 408 familje që kanë marrë tokë, banor vendës. Prej tyre 33 familjeve u është mohuar tapia.
Me shkresën që ka sjellë bashkia Sukth ata rezukltojnë se në momentin kur është ndarë toka nuk kanë qenë banorë të Hamallaj. Është shkresa. Çfarë të bëjmë, ta mohojmë shkresën? O futet në burg punonjësja e gjendjes civile që ka mashtruar, o ai që e ka firmosur. Unë marr informacion zyrtar. Ne kërkojmë që X, Y banor kanë qenë banorë me 1 gusht 1991 në Hamalle? Në bazë të kësaj përgjigje kemi vepruar.

Formulari 6 për 408 pronarë toke është dorëzuar në hipotekëen e Durrësit.

Pse nuk i ka regjistruar hipoteka e Durrësit, të pyes unë?.

Banorët kanë tapitë në dorë dhe ky dokument u është dhënë nga komisioni i ndarjes së tokës.

Tapia është tjetër dhe çertefikata është tjetër. Deri në 1996 toka është dhënë në përdorim. Në këtë vit automatikisht i kalon në pronësi. Nga 1992 deri në 2005 pse nuk e kanë regjistruar këtë pronë ata?

Zvarritja ka ardhur nga Hipoteka e Durrësit. Ka edhe një shkresë të kryeregjistruesit Ilir Vokopola për të vepruar. Ai ka dërguar një komision në Hamalle dhe u ka dhënë të drejtë banorëve.

Pse nuk i kanë marrë pra?

Banorët akluzojnë komisionin e verefikimit të titujve të pronësisë, regjistruesin e Durrësit dhe një pjesë të administratës së bashkisë Sukthit duke përjashtuar kryetarin të përfshirë në fallsifikime.
Mirë. Në prokurori. Të merret gjykata me këtë gjë.

Ju nuk keni dijeni për këtë akuzë?

Kam një letër që banorët ia kanë dërguar Presidentit, Prokurorit të Përgjitshhëm, Kryeministrit… Komisioni ka përdetyrë të marrë e të analizojë çdo ankesë. Që ka filluar punë prokuroria apo jo në hetimin e asaj që pretendojnë banorët, nuk kam dijeni.

 

Aty bëhet fjalë për zhvillim turizimi.

Për zhvillim turizmi, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Nuk më intereson fare familja Qorraliu.

Ju duhet t’u interesojë se bëhet fjalë për ankesën e banorëve.

Problemi është këtu, në qoftë se unë do të isha komisioni i ndarjes së tokës atëherë do të merresha me këtë problem.

Komisioni ndarjes së tokës ka mbaruar punë. Kryetari komisionit po ndjek hap pas hapi banorët në dyert e gjykatave duke pohuar se cili është dokument i rregullt dhe cili fiktiv. Ata thonë se ju si prefekturë keni paraqitur në gjykatë dokumente me fraksion që janë të fallsifikuara.

Mirë. Ta fitojnë në Apel. Ta fitojnë. Shyqyr që kemi gjykata. Ai është organi më i lartë. Ta hedhë poshtë vendimin e komisionit të verefikimit të titujve të pronësisë. Unë them që X person nuk e ka përfunduar shkollën. Personi shkon në gjykata dhe tregon diplomën. Kështu bëhet.

Po kur ata paraqesin atë dokument legal?

Edhe unë legal e kam dokumentin, të lëshuar nga bashkia Sukth, hipoteka, sigurimet shoqërore. Para drejtësisë nuk shkon prefekti por juristët që dorëzojnë dosjen në gjykatë. Ata e dinë se ç’është legale dhe jo. Nuk është se më thërret gjykata mua si prefekt. Kështu e thotë ligji. Në kohën që bëhet vendimmarrja kalon në gjykatë. Apeli merr vendimin e formës së prerë. Mund të ndodhë që prefektura, komisioni, merr vendim edhe në favor të banorëve. Gjykata mund të ma hedhë poshtë. Më thotë se kam marrë vendim të gabuar. Mua nuk më intereson kush merr tokë.

Banorët flasin për mbivendosje të qëllimtë dhe komisioni juaj duhet ta verefikojë këtë mbivendosje, shkakun, përfituesit…

Nuk e kam në kompetencëe këtë. Të marr kompetenca që nuk m’i jep ligji? Nuk më takon mua. Tokën e merr banori nga komisioni kthimit dhe kompensimit të pronave, nga komisioni ndarjes së tokës.

Banorët akuzojnë këtë komision të kthimit e kompensimit të pronave duke cilësuar se i ka dhënë familjes së mësipërme tokë në Hamalle kur nuk ka tokë atje të trashëguar.

Po. Tokën nuk ia kemi dhënë ne si prefekturë. Janë dy gjëra të ndara: është tjetër të marrësh tokë me ligjin 7501 “Për tokën” dhe është tjetër të marrësh me kompensim prone. Dy gjëra që nuk kanë lidhje fare. Komisioni kthimit e kompensimit të pronës të jep edhe tokën arë, edhe tokën truall, edhe tokën pyll. Ndërsa komisioni për zbatimin e ligjit 7501 ka të drejtë të ndajë vetëm tokën arë.

Ju e keni ndjekur problemin në terren?

Jo, kemi beseduar këtu. Nuk është detyrë e komisionit të shkojë në terren.

Mësohet se në Hamalle gjendet një ekip për të verefikuar çfarë ka ndodhur.

Prefektura nuk ka dijeni. Unë jam për atë që banorët t’i shkojnë çështjes deri në fund. Tek unë nuk ka ardhur asnjë nga pjestarët e familjes që thonë banorët apo Dibra. Pse do të vinë? Nuk ka lidhje. Është tjetër nëse bëhet fjalë se ka dy tapi. Njëra mban emrin e dikuj dhe tjetra të një personi tjetër.
Ashtu është. Njëra 399 dhe tjetra 399 / 1 për të njëjtën sipërfaqe toke. Banorët thonë se është mbivendosje.
Nuk kemi dhënë ne tokë.

Banorët kanë paraqitur në gjykatë tapine me numër 399, komisioni i prefekturës dorëzon po në gjykatë 399 / 1. Ligji nuk njeh fraksionin në dhënien e tapive. Banorët thonë se prefektura është bërë palë më mbivendosjen.

E ndan gjykata. Si do të bëhem palë me mbivendosjen. Ku e di unë se çfarë dokumenti ka ai tjetri. Unë kam vetëm një dokument në dorë, në komision dhe jo dy. Pra nuk kam në dorë dy tapi dhe të kërkohet nga komisioni të e ndajë se cilit i takon. Mbivendosje është nëse unë i jap të drejtë edhe njërit, edhe tjetrit për të njëjtën sipërfaqe. Unë them se këtij personi nuk i takon dhe këtë e mbështes në këto dokumente, duke radhitur të gjitha ato që përbëjnë dosjen tonë të komisionit. Pastaj e ndanë bashkia e Sukthit apo komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave, e ndanë komiteti për zhvillimin e turizimit apo dikush tjetër, nuk është e drejta ime.

Atëherë cila është e drejta e komisionit pranë prefekturës?

Vetëm të verefikojë kur kam ankesë nga bashkia, komuna, individi, hipoteka.

Ankesat tek komisioni juaj kanë ardhur nga hipoteka, apo qytetarët?

Edhe nga hipoteka, edhe nga qytetarët. Nga të dy palët.

Previous articleLama: Thaçi është bërë avokat i Daçiqit
Next articleSvoboda: Berisha duhet të largohet, ka bllokuar Shqipërinë dhe integrimin