Home Opinion Përse PD e Alibeajt refuzon të propozojë një kandidat për president?

Përse PD e Alibeajt refuzon të propozojë një kandidat për president?

Nga Carlo Bollino

Refuzimi (ose paaftësia) për të propozuar një emër si kandidat për President të Republikës, duket si e njëjta linjë vetëvrasëse që ka shtyrë opozitën e këtyre 9 viteve të fundit fillimisht të refuzojë çdo proces reforme duke filluar nga ajo territoriale, duke djegur më pas mandatet e në fund duke bojkotuar zgjedhjet administrative.

Zgjedhje, që prej vitesh i përkufizojmë si “vetëvrasëse” sepse Partia Demokratike ka bërë pikërisht atë që një parti në pushtet dëshiron nga opozita. Edi Rama nuk ka asnjë faj në këtë kuptim, pasi ka zënë vendet e lëna bosh nga qaramanët e opozitës, që nga frika se humbasin, as nuk duan të nisin të luajnë.

Kjo taktikë që prej vitesh po përjashton Partinë Demokratike nga të gjitha institucionet kryesore shqiptare (me përjashtimin e vetëm të Avokates së Popullit, institucion i fituar në të vetmin moment kur PD mori pjesë në lojë) vazhdon edhe sot me emërimin e Presidentit të Republikës.

Prej muajsh, ndoshta prej vitesh Edi Rama e përsërit që Kreu i ri i Shtetit do të ishte e drejtë të votohej në mënyrë konsensuale edhe me propozim të opozitës. Rama dhe partia e tij Socialiste nuk kanë bërë kërkesa të tjera, përveç se ‘të jetë një President normal’, domethënë ndryshe nga Ilir Meta, i cili mbeti përherë Kryetar Partie pa arritur të bëhet kurrë Kreu i Shtetit.

Nuk e dimë se sa i sinqertë është propozimi i Ramës, po përse opozita nuk bën asgjë që ta zbulojë këtë? Pra, përse nuk përfiton nga situata unikale në të cilën ndodhet dhe nuk propozon një sërë emrash, ose një kandidat të vetëm, duke sfiduar partinë e mazhorancës dhe duke i kërkuar konsensusin për ta zgjedhur?

Refuzimi i PD-së së Alibeajt (që nuk duhet ngatërruar me gati-PD-në e Berishës) për të propozuar edhe një emër të vetëm si kandidat për President, ngre pikëpyetje të rënda mbi aftësinë e tij për të bërë politikë. Hipotezat, sipas mendimit tim, janë tre: Ose radhët e opozitës janë tashmë aq bosh brenda saj sa nuk arrijnë të gjejnë as dhe një figurë të vetme që i korrespondon 5 kërkesave që vetë Alibeaj ka vënë si kusht për Presidenti e ardhshëm. Si një fëmijë që kërkon një maçok jeshil pasi e di mirë që një maçok jeshil nuk ekziston. Ose Alibeaj nuk kontrollon tashmë as 20 deputetë të grupit të tij parlamentar, numër minimal për të propozuar një kandidaturë. Ose, në fund hipoteza e tretë, Alibeaj ka frikë se propozimi i tij mund të pranohet.

Në lojën vetëvrasëse qaramane, duket se PD është e tmerruar se të fitojë diçka mund të minojë kuptimin e betejës së saj politike, që deri më tani është bazuar në viktimizim dhe ne kriminalizimin e kundërshtarëve. Çfarë do t’u thoshte PD zgjedhësve të vet nëse Edi Rama dhe Partia Socialiste do të mbështesnin propozimin e saj dhe të zgjidhnin një President të Republikës të propozuar nga opozita? Ku do të përfundonte teoria e tyre e Shtetit-Mafia që kërkon të kontrollojë të gjitha institucionet, deri edhe SPAK që në të vërtetë arreston vetëm socialistë për të treguar se është i pavarur?

Këmbëngulja për të mos propozuar në kohë asnjë emër, duke sabotuar në këtë mënyrë çdo formë zgjedhjeje konsensuale, do të legjitimojë rrugën e PS-së për të votuar me shumicë vetëm socialiste një President të Republikës që do të dijë ta propozojë. Dhe do t’i mohojë opozitës të drejtën të kthehet e të qajë duke thënë se u përjashtua edhe nga ky proces. Ndoshta është kjo që PD-ja ëndërron të bëjë, por e dimë të gjithë, që nga sot, se do të jetë blofi i saj i zakonshëm i dështuar.