Home Aktualitet Përse Arben Kraja nuk nis hetimet kryesisht për dhjetra akuza ndaj Kryemadhit...

Përse Arben Kraja nuk nis hetimet kryesisht për dhjetra akuza ndaj Kryemadhit dhe Metës?!

Janë disa raste kur SPAK ka nisur hetimet me iniciativën e vet, kur në media janë denoncuar raste të dyshuara korrupsioni, aktiviteti kriminal, apo edhe shpërdorim detyre.

Rastet më të bujshme kur kjo ka ndodhur ishte publikimi nga mediat i bazës me të dhëna personale të rreth 900 mijë qytetarëve, që shpërtheu para zgjedhjeve të vitit të kaluar, njohur edhe si skandali i patronazhistëve.

Rasti tjetër kur SPAK i drejtuar nga Arben Kraja nisi hetimet kryesisht ishte pas publikimit të disa përgjimeve të antimafias italiane, ku eksponentë të Ndragheta-s zbulonin lidhjet në Shqipëri. Edhe kjo çështje po hetohet.

Por, pavarësisht se media ka denoncuar me dhjetra e dhjetra herë, madje edhe me prova e fakte aferat e dyshuara korruptive të çiftit Meta-Kryemadhi, Prokuroria e Posaçme nuk ka lëvizur. Madje në këtë rast, SPAK nuk ka njoftuar as se çfarë po bëhet me dy denoncimet e bëra nga ish-deputeti Halit Valteri për paratë e lobimit në Uashington, që LSI s’i ka deklaruar.

Denoncimi më i fundit mbërrin po nga media. Gazetari Adriatik Doçi flet për shifra marramendëse të shpenzuara nga çifti Meta-Kryemadhi për ndërhyrje estetike në San Marino. Pagesat, sipas tij, janë bërë përmes një kompanie offshore nga Qipro. Po nga Qipro më herët dyshohet se janë bërë edhe pagesat e lobimit në SHBA.

Sipas gazetarit Adriatrik Doçi, të gjitha pagesat për spitalin “Domus Medica” në San Marino bëhen nëpërmjet kompanive ofshore në Qipro, madje ai ka publikuar edhe faturat nëpërmjet llogarive bankare. Një prej tyre kap shifrën e 287 mijë e 650 eurove. Sipas Doçit, çifti Meta-Kryemadhi kanë harxhuar mbi 1 milionë euro të vjedhura nga taksat e shqiptarëve për estetikën e tyre.

Si në këtë rast, ashtu edhe për rastin e parave të lobimit, pyetja që duhet t’i japë përgjigje Arben Kraja dhe SPAK-u që ai drejton është se nga burojnë këto para? A janë të ligjshme? A i kanë deklaruar Meta e Kryemadhi te autoritetet shqiptare, siç e kërkon ligji?

Por, që këto pyetje të marrin përgjigje më së pari duhet të nisë hetimet, sepse heshtja përballë këtyre denoncimeve dëmton perceptimin e publikut se SPAK do të godasë korrupsioni pa u trembur në të gjitha nivelet, ashtu siç ka deklaruar disa herë Arben Kraja.

Ky i fundit e ka deklaruar se SPAK nuk e ndjen presionin e politikës, por është koha që ta tregojë me vepra dhe ky është momenti që edhe vetë Arben kraja të ‘cclirohet’ nga e kaluara si drejtor i antikorrupsionit në qeverinë e Ilir Metës në fillim të viteve 2000.(Vox News)