Home Opinion Partia e Filip Çakulit, Agron Llakajt dhe Mirush Kabashit për zgjedhje parlamentare

Partia e Filip Çakulit, Agron Llakajt dhe Mirush Kabashit për zgjedhje parlamentare

Nga Mitro Çela

Filip Çakuli ka lindur në Sarandë. Jeton në Tiranë. Dy muaj më parë u shpall “Qytetar Nderi” në Tropojë. Pse në Tropojë?

Ka disa arsye.

Së pari.

Filipi është humorist. Dhe humoristët i takojnë gjithë vendit. Dhe Filipi është “Mjeshtër i Madh”- i Shqipërisë; “Qytetar Nderi” në Lushnjë, Sarandë, Dhivër etj.

Normale. Mund të jetë edhe “Qytetar Nderi” i Tropojës.

Së dyti:

Filipi si student jetonte në konvikt. Për katër vite ka fjetur në një dhomë me tre tropojanë: Hamit Alian, Skënder Bucpapajn, Ilir Bucpatajn.

Të tre poetë të lindur: që në vitet e gjimnazit kishin botuar libra me poezi.

Filipi në verë i ftonte shokët në fshat-Dermisht- Sarandë.-Ata e prisnin në Tropojë.

Dhe Filipi student ka qënë në Kasaj, T’Pla, Valbonë, tek Shpella e Dragobisë.

Tek kjo shpellë, i frymëzuar nga Bajram Curri, ka shkruar një esse, shumë e bukur siç kujton autori, por e ka humbur.

Së treti.

Filipi ka punuar rreth 20 vjet në revistën “Hosteni”. Për Tropojën ka shkruar fejtone, esse, reportazhe. Një pjesë e tyre, kanë zënë vend mes 10 librave të botuara nga humoristi.

Së katërti.

Që nga viti 2002 Filipi është drejtor i emisionit investigativ – humoristik -“Fiks Fare”.

Shumë tropojanë kanë ardhur tek Fiksi në takime me gazetarët. Pa fund janë letrat dhe mesazhet. Tropojanët qajnë hallet dhe kërkojnë ndihme për pensionet, dritat, punësimin, pronat.

Filipi është rritur në fshat. E adhuron natyrën. Porosit gazetarët të bëjnë kronika në mbrojtje të natyrës. Armiq të Fiksit janë ata që gërryejnë dhe prishin Valbonën, lumin e Shalës, ata që me sëpatë presin gështenjat-pasuri e mbrojtur së fundi nga UNESKO.

Së pesti.

Filipi i kërcen me pasion vallet popullore. Mes tyre pëlqen edhe vallet e Tropojës, që sot janë shpallur: “Trashëgimi kulturore e UNESKOS.”

Së fundi:

Filipi nuk është as i djathtë dhe as i majtë. Kurrë nuk ka pasur as teserën e Partisë së Punës, as të PS -së dhe as të PD-ke.

Aktoret dhe shkrimtarët kanë “partinë” e tyre të humorit. “Tesera partie” kanë Filip Çakuli, Robert Ndrenika, Pëllumb Kulla, Agron Llakaj, Zef Deda, Florian Binaj, Rezart Veleshnja, Salsano, Gaz Paja, Bes Kallaku, Mirush Kabashi etj.

Do vijë një ditë, që “partia e humorit” të marri pjesë në zgjedhje parlamentare, si partia “Pesë yjet” në Itali.