Home Slideri Papërgjegjshmëria e Kontrollit Rrugor në Durrës i lë fushë veprimi dukurive negative.

Papërgjegjshmëria e Kontrollit Rrugor në Durrës i lë fushë veprimi dukurive negative.

policia-rrugoreNga Bashkim Kadiu / Përse e themi këtë? Bojkoti që i bën ky institucion rrugor zbatimit të ligjit ka sjellë kohët e fundit shumë anomali. Shkelësit e ligjit, siç janë në rastin konkret shumë drejtues automjetesh, kanë gjetur strehë veprimi tek vetë kontrolli rrugor që për hir të shoqërisë së sëmurë apo posteve që mbajnë e bëjnë një vesh shurdh dhe një sy qorr ndaj këtyre shkelësve dhe kur një qytetar i tërheq vëmëndjen merr një përgjigje negative prej tyre. Siç dihet, Durrësi është një nga qytetet me më shumë degëzime e kryqëzime dhe popullsi gjithnjë në rritje. Në këto kushte ky institucion duhet të mbajë peshën më të madhe për ndërgjegjësimin e cilitdo që të rrespektojë rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe në veçanti të drejtuesve të automjeteve. Por ç’ndodh? Nuk ka vend apo cep që mjetet të mos parkojnë mbi vizat e bardha. Nuk ka vend ku drejtuesit e mjeteve të mos kenë parkuar në pozicionin që i takon këmbësorëve për të kaluar nga një trotuar tek tjetri; sheh makina që parkohen në trotuare e shpesh zënë hyrje dyqanesh. Në shumë raste shpejtësia e qarkullimit nëpër rrugët e qytetit është tej normave të lejuara. Motorra me shpejtësi dhe zhurmë marramëndëse që në shumë raste të moshuarve i ndjell pasiguri. Dihet se vijëzimet e bardha të këmbësorëve mungojnë e kjo nuk është detyrë e këtij institucioni, por megjithatë edhe kontrolli rrugor nuk duhet të neglizhojë e as të tolerojë. Për të qenë korrekt me detyrën duhet ndërgjegjësimi në rradhë të parë me dinjitet e respekt ndaj cilitdo qytetar që përjeton të tilla skena e del i pambrojtur ndaj aksidenteve rrugore si produkt i të papërgjegjshmërve. Kotrolli rrugor duhet të ketë respekt për ankesat e qytetarëve për të lëvizur lirshëm e brenda rregullave e jo ta kalojnë në heshtje këtë dukuri negative. Ky kontroll rrugor duhet të ruajë seriozitetin e punës së tij, duhet prezantim zyrtar e plot kulturë që të ketë prioritet në kërkim të llogarisë ndaj shkelësit të ligjit. Mendoj se për të evituar aksidentet duhet një impenjim kompetent, bindës dhe pse jo këshillim apo gjobitje, pasi vetëm kështu ruhet e respektohet institucioni ku punon. Le të mos e prishim imazhin e seriozitetin e institucionit duke bërë lëshime, në të kundërt ankesat për mungesë serioziteti ndaj punës së këtij institucioni apo për mosnjohje profesionale do të shtohen deri në epitete si “të paaftit”. Le t’i vendosim pikat mbi “i” dhe sytë t’i bëjmë katër e të shohim që edhe në këto raste që flasim diktojmë shkelje që vijnë si rezultat i moskryerjes së detyrës. Shikoni trotuaret e zëna nga makina e në kushte pasigurie një i moshuar, për të kaluar në anën tjetër apo për të vazhduar rrugën në atë drejtim, detyrohet të kalojë mespërmës rrugës kryesore duke rrezikuar jetën. Kjo është faktike dhe duhet trajtuar me fakte. Shpresojmë që në një të ardhme të shpejtë ky institucion të marrë e të eliminojë këto dukuri negative. Të bindur se proçesi i punës së këtij institucioni është i ngjeshur por njëekohësisht kërkues, dhe nga ana tjetër aftësitë profesionale dhe njohja e ligjit nuk i mungon, do të jetë më i azhornuar me situaten. Duhet në një mënyrë bindëse dhe me profesionalizëm që gjithkush, si qytetari ashtu dhe zotëruesi i automjetit, ta njohë kodin rrugor apo në të kundër t’i bëhet e ditur me kulturë qytetare se cilido prej nesh është i barabartë para zbatimit të ligjit. Vetëm në këtë mënyrë do të eliminojmë çdo dukuri negative.

Previous articleMashtrimi i qeverisjes së PD -së është një persekutim i dytë për të përndjekurit politik
Next articleRezervuaret e Qarkut të Durrësit rrëzikojnë të shpërthejnë. Katastrofa në prag