Home Rajoni Optimizëm i përmbajtur në Bruksel nga takimi Kurti – Vuçiq

Optimizëm i përmbajtur në Bruksel nga takimi Kurti – Vuçiq

Udheheqesit perendimore kane shprehur nje optimizem te permbajtur pas takimit ne Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Takimi i zhvilluar me  ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, duket se ka shkuar mire.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë. Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve.

“Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për një propozim të BE-së për normalizimin e raporteve. Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Shtetit, deklaroi se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Duke cituar bllokun evropian, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.

“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.

Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, ka thënë një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin që do të zhvillohet të hënën në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alekesandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel.

Previous articleLiri Belishova: Përplasja ime përfundimtare me Enver Hoxhën, ndodhi në 1960 dhe kur i tregova Ramizit, zëvëndësit tim, ai më tha për Enverin…
Next articleThellohet defiçiti tregtar/ Kosova importon më shumë nga Serbia se sa Shqipëria