Home Histori Një histori e shkurtër e Vilës së Zogut në Durrës

Një histori e shkurtër e Vilës së Zogut në Durrës

Nga Aleksandër Cangonja

Mbi kodrat e qytetit, midis pishave, qëndron krenare edhe pse shumë fort e dëmtuar një godinë madhështore që në Durrës njihet si Vila e Zogut. Historia e ndërtimit të saj tashmë dihet sepse është shkruajtur dhe folur shumë herë nga studiues të ndryshëm, por pyetja që bëhet është se si dhe pse u vendos që Vila të ngrihej në atë vend ku është sot.
Nga fotot e arkivit austro-hungarez kemi parë shumë foto nga Durrësi, duke qenë se dhe për një periudhë të caktuar, qyteti bregdetar ishte pushtuar prej tyre. Nga fotot e arkivit veçojmë njërën, e cila ka fokusuar kodrën ku ndodhet sot vila e Zogut dhe mbi të gjendet një ndërtesë një katëshe, të cilën austro-hungarezët e cilësojnë si “Villa Essad Paschas”, pra vila e Esad Pashës. Fotografia është e viteve 1916-1918.
Pronat e Esad Toptanit si mall pa zot !
Duke qenë se Esadi u vra në Paris dhe nga kjo gjë “shpëtoi” elita politike e asaj kohe. Ata, paria morën një vendim pas vdekjes së tij. Ky vendim ishte konfiskimi i të gjithë pasurisë së Esad Toptanit. Të paktën në Durrës, Esadi kishte në pronësi vilën në fjalë, disa magazina në portin e Durrësit dhe një çiflik të madh dhe pjellor në fshatin Rreth të Shijakut. Të gjitha këto u shtetëzuan, Çifliku i Rrethit i kaloi Kryqit të Kuq dhe më pas “Populli” ia bëri dhuratë mbretit Ahmet Zog, për merita të mëdha në çështjet kombëtare. Po ashtu dhe magazinat u shtetëzuan dhe i kaluan doganës së Durrësit. Ndërsa shtëpia në kodrën e qytetit ngeli.
Vila Presidenciale.
Mbas rikthimit të “Legalitetit” dhe rivendosjes së qetësisë në vend përsëri “populli”, pas një mbledhjeje, vendosi t’i ndërtojë në formën e dhuratës një vilë kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut. Vila sipas telegramit të dërguar nga prefektura do ngrihej në të njëjtin vend, ku ishte ajo e Esad Pashës. Sipas telegramit në fjalë, për kujdesjen e kësaj iniciative ishte zgjedhur dhe një komision i përbërë prej 6 personash, të cilët do angazhoheshin për ta përfunduar deri në fund “dëshirën” e popullit durrsak. Ata do ishin Ismail Beja, Kristaq Zaguridhi, Ismail Beshiri, Vangjel Spiro, Veli Juba dhe Vasil Bakalli, të gjithë këta ishin tregtarë dhe bënin pjesë tek sipërmarrësit e mëdhenj të qytetit.
Më poshtë lajmi në “Fletoren Zyrtare” rreth kësaj çështje:
Mbi ngrehjen e nji Vile për Kryetarin e Republikës
Si mbas letres Nr. 454, me 6-3-1925 të Prefektures së Durrësit njoftohemi se, populli i Durrësit në nji mbeledhje qi ka bamë me nji enthuziazme të madhe ka vendose ngrefjen e nji Vile (Qoshk) për Kryetarin e parë të Republikës Shqiptare në vendin ku Esad Toptani ka pas qoshkun e vet, dhe për mbarimin e kësaj pune asht zgjedhun nji Komision i përbame prej Z. Z. Ismail Beshirit, Kristaq Zagjuridhit, Ismail Bejes, Vangjel Spiros, Veli Jubës e Vasil Bakallit.