Home Ekonomia Një blerje strategjike në farmaceutikë/ Gjiganti francez ‘Sanofi’ blen firmën Synthorx për...

Një blerje strategjike në farmaceutikë/ Gjiganti francez ‘Sanofi’ blen firmën Synthorx për 2.5 miliardë dollarë

Gjiganti francez i farmaceutikës, Sanofi, ka rënë në dakordësi për të blerë firmën e bioteknologjisë në Kaliforni, Synthorx,  në një marrëveshje në para cash’ që arrin vlerën e 2.5 miliardë dollarëve.  Sanofi ka ofruar të blejë të gjithë aksionet në qarkullim të Synthorx për 68 dollarë secila, me një prim prej 172% sipër çmimit të mbylljes së kompanisë në ditën tregtare të 6 Dhjetorit.

“Kjo blerje përputhet me strategjinë tonë për të ndërtuar një portofol të cilësisë së lartë të aktiveve dhe të drejtuar në inovacion”, deklaroi shefi ekzekutiv i Sanofi, Paul Hudson.   Ai shtoi se kjo blerje do të ndihmojë në ndërtimin e njësisë së trajtimit të kancerit. Synthorx, që publikoi një humbje neto prej 56.6 milionë dollarë në vitin 2018, është një kompani e bioteknologjisë që përqendrohet tek terapitë e njerëzve me kancer dhe sëmundje të imunitetit. Sanofi pret ta përfundojë blerjen në tremujorin e parë 2020.

Analistët thonë se oferta, në 172% të vlerës së Synthorx është shumë e lartë duke marrë parasysh se barnat e kompanisë janë ende në fazë fillestare të testimit. Sanofi po ndërmerr një ndryshim të strategjisë me ekzekutivin e ri Hudson, që mori detyrën më 1 Shtator.  Ai do të japë sinjale se në cilat biznese do të fokusohet në një takim me investitorët më vonë gjatë muajit.(scan)

Previous articleSi reaguan të burgosurit dhe autoritetet teksa qelitë lëkundeshin nga tërmeti i 26 nëntorit
Next articleMyslim Murrizi për ‘Zërin e Amerikës’: Listat e mbyllura kanë vrarë demokracinë