Home Ekonomia Nevoja për të koordinuar politikat monetare dhe fiskale

Nevoja për të koordinuar politikat monetare dhe fiskale

Në shumicën e rasteve, detyra e politikës monetare është e thjeshtë. Kur inflacioni është nën objektiv, politika monetare duhet të jetë lehtësuese, duke ulur normat e interesit dhe duke stimuluar kredidhënien.

Në të kundërt, kur ekonomia vuan nga kërkesa e tepërt në raport me aftësinë prodhuese, inflacioni ngrihet përtej objektivit, dhe politika monetare duhet të jetë shtrënguese, duke rritur normat e interesit dhe duke vështirësuar kredidhënien.

Politika fiskale duhet të ndjekë këto qëllime, duke rritur shpenzimet kur sektori privat ul kërkesën e duke u limituar, kur sektori privat është në ekspansion. Nëse politikat fiskale nuk ndjekin këtë rregull bazë, është detyra e politikës monetare të rrisë normat edhe mbi borxhin publik, për të dekurajuar qeverinë nga kredimarrja e tepërt.

Fatkeqësisht, kjo nuk është një kohë si shumë të tjera. Rritja e inflacionit nuk vjen kryesisht nga kërkesa e tepërt, por nga goditja e ofertës.

Mungesa e hidrokarbureve, plehut kimik, drithërave dhe metaleve që janë bllokuar nga lufta Rusi-Ukrainë, ka bërë që një sërë aktivitetesh prodhuese në ekonominë botërore të jenë më të kushtueshme.

Në parim, në afatin e shkurtër, as politika monetare dhe as ajo fiskale nuk kanë mjete në dorë për të zgjidhur këtë situatë. Lehtësimi i kreditimit, apo i investimeve publike, nuk mund të zgjidhin për pak kohë mungesën e produkteve bazë në tregjet botërore. Këto probleme mund të zgjidhen vetëm në afatin e gjatë me politika strukturore, që do t’i lejonin ekonomisë shqiptare të krijonte kapacitete prodhuese në këta sektorë strategjikë.

Por historia kurrë nuk është kaq e thjeshtë. Një valë inflacioni, edhe kur nuk vjen nga kërkesa, rrezikon të rrënjoset në pritshmëritë ekonomike.

Një treg që mësohet me rritje të shpeshta të çmimeve e ka të vështirë të ndryshojë pritshmëritë për poshtë, kur arsyet origjinale rreshtin së ekzistuari. Inflacioni mund të ndodhë për arsye përtej kontrollit të qeverisë dhe rritja e investimeve publike vetëm sa do ta përkeqësonte situatën, por kur shtresat në nevojë preken prej tij, është e vështirë që politikëbërësit të qëndrojnë në heshtje. Sado të pafuqishme të jenë politika monetare dhe fiskale për të ndryshuar në afatin e shkurtër situatën, të dyja ndiejnë presionin për të ndërhyrë.

Nevoja për të balancuar ndërhyrjet është sfida kryesore që të dy politikat duhet të vlerësojnë me kujdes në këto kohë. Nevoja për të rivendosur besueshmërinë e politikës monetare është e padiskutueshme.

Nëse agjentët e tregut – firmat, bankat, etj., – fillojnë të besojnë se Banka Qendrore nuk është e fokusuar mjaftueshëm tek inflacioni, kjo rrezikon të krijojë një spirale problematike në të ardhmen.

Nga ana tjetër, për aq kohë sa inflacioni i sotshëm vjen nga burime që nuk lidhen me kërkesën e ekonomisë lokale, rritjet e normave duhet të jenë të kujdesshme, më shumë të fokusuara në pritshmëritë e së ardhmes se sa zhvillimet afatshkurtra të së tashmes.

Pas më shumë se një dekade, ku kreditë e bankave tregtare janë bazuar në politika monetare ekspansioniste, me norma interesi pranë zeros, rritja e kostove të kredisë, në mënyrë të shpejtë, do të sillte probleme të mëdha për familjet dhe konsumatorët shqiptarë.

Politika fiskale, po ashtu, duhet të rikalibrojë disa nga hapat e saj të këtyre viteve të fundit. Megjithëse ajo nuk mund të jetë ekspansive në total, pasi rrezikon të shtojë presionin mbi inflacionin, aq më pak mund të bëhet shtrënguese në këtë moment të vështirë.

Zgjidhja, që shumë qeveri kanë ndërmarrë në këtë moment, është një politikë neutrale, por e ribalancuar – një politikë, ku shpenzimet totale nuk rriten, por fokusohen më shumë te shtresat në nevojë. Analiza e të ardhurave fiskale në vitin 2021 tregon se hapësira për hapa të tillë në Shqipëri ekziston.

Të ardhurat e rritura nga akciza, kryesisht e naftës, duhet të riktheheshin mbrapsht në ekonomi, të fokusuara në ndihmën ndaj shtresave më të prekura. Duhet të ishin këto të ardhura shtesë, dhe jo rritja e barrës tatimore ndaj bizneseve të vogla apo individëve të vetëpunësuar, që duhet të shërbenin si burimi kryesor i mbështetjes sociale në këto kohë.

Mbi të gjitha, politikat monetare, fiskale, por edhe ato strukturore duhet të ripërdorin këtë krizë për të rikalibruar sjelljen afatgjatë të tyre.

Nevoja për të risjellë borxhin publik në parametra të menaxhueshëm është më e madhe se kurrë. Shpenzimet publike me leverdi të ulët, apo me kosto të fshehura, po i rëndojnë sot ekonomisë shqiptare, duke ulur mundësinë për të mbështetur shtresat në nevojë, kur ato kanë nevojë.

Kjo nuk ndodhi në periudhën 2013-’19, kur kushtet makroekonomike ishin të leverdishme, por duhet të ndodhë sa më shpejt, që të rikrijohen mundësitë. Politika monetare duhet të sigurohet që të mos lejojë një ekspozim të tepërt të kredisë ndaj sektorëve kritikë, siç është ai i ndërtimit.

Mbi të gjitha, politikat strukturore të qeverisë duhet të rrisin kapacitetet prodhuese të ekonomisë. Mungesa e diversifikimit të burimeve energjike, një objektiv i hershëm strategjik, deri tani rezulton si një ide ende në letër.

Sektori bujqësor, po ashtu, po pëson stanjacion pas disa vitesh rritje. Të gjitha këto kanë lejuar që kriza botërore të përcillet më egërsisht te konsumatori shqiptar. Kjo nuk duhet të ndodhë në krizat e ardhshme./MONITOR

Previous articleShqipëria zgjidhet për herë të parë në krye të Bordit të Qendrës Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare
Next articleKatari fut kombëtaren shqiptare në hijen e trukimit të ndeshjeve! FIFA në alarm një ditë para Botërorit