Në përpjekje për t’u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Suedia shpreson që nëndetëset e saj t’i japin aleancës ushtarake një përparësi strategjike në Detin Baltik. HMS Goatland është një prej tre të nëndetëseve që përdoret nga marina suedeze dhe është e ankoruar në qendrën historike të marinës, në brigjet e qytetit Karlskrona.
Komandanti i flotës së parë të nëndetëseve suedeze, kapiteni Fredrik Linden thotë se fuqia e forcës së nëndetëseve suedeze qëndron tek teknologjia, njohuritë dhe përvoja e operimit në Detin Baltik.
“Nëndetëset tona kanë vepruar në Baltik dhe më gjerë që nga viti 1904. Ne jemi mbështetur tek teknologjia jonë dhe kemi trajnuar marinarët tanë. Po flas për fuqinë e nëndetëseve suedeze”, thotë komandanti flotës së nëndetëseve, kapiteni Frederik Linden.
“Aktivitetet ruse në Detin Baltik janë rritur po t’i krahasosh me pesë vite më parë. Ne po vëzhgojmë situatën dhe po bashkëpunojmë me vendet e tjera”, thotë Komandantja e Marinës së Suedisë, Admiralja Ewa Skoog Haslum.
Në muajin prill Finlanda u bë anëtare e NATO-s, ndërsa aplikimi i Suedisë është bllokuar si rezultat i kundërshtimeve nga Turqia dhe Hungaria. Trupat suedeze kanë vazhduar stërvitjet me ushtritë e vendeve të tjera dhe madje në pranverë organizuan manovra në shkallë të gjerë me forcat ndërkombëtare.
“Është shumë ndryshe nga punët e tjera që kam bërë më parë, por është shumë argëtuese, shumë specifike. Më pëlqen shumë, është si një familje e madhe në bord”, thotë marinarja Maja.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se pret që së shpejti edhe Suedia t’i bashkohet NATO-s, pak ditë pasi la të kuptohet për një marrëveshje të mundshme për të tejkaluar kundërshtimet e Turqisë.
Zoti Biden tha se NATO-ja është më e fortë pavarësisht përpjekjeve të Presidentit Vladimir Putin për të përçarë aleancën ndërsa Kremlini filloi agresionin ndaj Ukrainës. Presidenti amerikan tha se sulmi i Rusisë mbi Ukrainë e ka forcuar edhe më tej NATO-n, ndërsa theksoi anëtarësimin e Finlandës dhe së shpejti të Suedisë./VOA