Nga Artur Llana / Dje duke ecur rrugëve të Durrësit kam dëgjuar rastësisht një fjali që më ka bërë të mendohem gjatë. Ishte zëri i një gruaje që i thonte shoqes që kishte në krah se i trembej fëmija në gjumë natën dhe i thonte pashë “pedofilin”. Biseda vazhdoi me argumentin e gruas se fëmijës nuk ja kishin shpjeguar çfarë donte të thonte kjo fjalë po e kishte dëgjuar në televizion. Në fakt nuk ka rast më përbindësh dhe më makabër dhe me të drejtë monstra, epitet që ja vuri media atij që shteti e kishte neglizhuar, duhet të marrë dënimin më të rëndë, për të qetësuar ata prindër viktimash, por edhe për të treguar se ne nuk jemi shoqëri pedofilësh. Prej një jave nuk guxon dot të hapësh televizionin pasi në dhjetë fjalë do të dëgjosh tetë herë fjalën pedofil. Nuk guxon dot të hapësh një faqe gazete pasi ajo është e mbushur me tituj: “Çfarë tha e dashura e pedofilit”, “Çfarë tha psikologia për pedofilin”, “Ku ka jetuar pedofili”, “Kush e liroi pedofilin” etj dhe pa as më të voglin dyshim pyetja e parë që i bëjmë vetes është: ore po flasim për hero apo për pedofil? Kurrë nuk mbaj mend që të ketë pasur një “turrje” të tillë për një ngjarje e cila vërtetë është e rëndë dhe e shëmtuar. Nga Sharra mundohen të japin sa më parë eksluzivitetin nëse nisën apo jo kërkimet për vogëlushin viktimë e monstrës. Kemi parë gazetarë terreni që ju merrte fryma pas vrapit që kishin bërë për të thënë se ishin në vendngjarje, kemi parë media proqeverisë të egzaltohen për punën e mirë të policisë në kapjen e monstrës, saqë edhe vetë spikerja e TVSH-së në vend të thonte Ardian Prrenjasi, tha Ardian Visha ( ndjesë avokatit që po i përmend emrin duke cituar spikeren.) Kemi njohur në këtë javë aq shumë psikologë saqë të vjen keq që në shkolla e japin këtë lëndë ca të padiplomuar në këtë fushë dhe aq më shumë që edhe në polici nganjëherë u duhet që rolin e psikologes ta bëjnë zëdhënëset. E kanë bërë këtë me dhe pa profesionalizëm, por duke u bërë bashkë në një kuptim që ka marrë e gjitha kjo. Në të gjithë botën ndodhin ngjarje të tilla, e gjitha bota i kushton vëmendje atyre duke respektuar shtetin dhe strukturat e tij, jo deklaratat e dashnorëve apo të komshinjve që mbajnë me minuta të tëra edicionet e lajmeve. E them këtë duke ju rikthyer edhe një herë bisedës së atyre dy zonjave. Mos duke dashur të informojmë, po bëjmë një dëm akoma më të madh. Nuk e kam fjalën për atë kategori që shprehen se boll më se na erdhi në majë të hundës ku plehër pedofil që për hir të së vërtetës nuk duhet të ishte pjesë e shoqërisë sonë po e skedave të policisë dhe mbikqyrjes së saj. E kam fjalën për mijëra e mijëra fëmijë që këto ditë po terrorizohen duke dëgjuar që të mos takojnë komshinjtë, të mos shkojnë vetëm te daja, të mos përshëndesin qoftë dhe të njohur rrugës, të mos i ndihmojnë të moshuarit se ata nuk dallohen nëse janë apo jo pedofil? A nuk po i terrorizojmë fëmijët me kronika dhe shkrime që edhe kur nuk duam ne ata bëhen pjesë e shikimit dhe leximit të tyre? Po, po e bëjmë pa dashur ndoshta, po e bëjmë se pedofili më i madh në këtë vend është pushteti. Nuk po shtroj këtu pyetjen se përse një njeri që familja e kishte braktisur për ata që kishte bërë shteti e kishte falur pikërisht po për këto gjëra duke bërë diferencën e shoqërisë me këtë pushtet maskara? Ajo që dua të them është se këtu “pedofilët” janë në institucione kushdo qofshin ata po që kanë lidhje me jetën e njerëzve dhe aq më shumë të fëmijëve. Çdo ditë mediat po gërmojnë duke dashur të bëjnë ndoshta jo vetëm detyrën për pedofilë dhe fjala gogol është zhvlerësuar në fantazinë e tyre. Nëse institucionet e shtetit do të kishin funksionuar, nëse do të kishte funksionuar drejtësia, nëse do të kishte funksionuar policia, nuk kishte pse të ndodhte e gjitha kjo. Duke dashur të hakmerremi për këtë monstër po i bëjmë vetes një dëm më të madh. E gjitha kjo se vetë pushteti që drejton institucionet është pedofil dhe askush nuk ka besim te to. Unë do të marr vetëm një rast. A shohin drejtuesit e shkollave se si vishen një pjesë e mirë e “zyshkave” kur hyjnë në klasë? A është pedofili tu tregosh shalët 15 vjeçarëve para klasës apo t’i pyesësh se ju rri minifundi bukur vetëm se drejtori lëpin buzët dhe në bankën e fundit nuk dihet çfarë ndodh me adoloshentët? A nuk është pedofili ti dërgosh fëmijët të kërcejnë në dasëm si drejtues mbi tavolinë, me pijanecë që i fusnin para në gjoksin e imët dhe shteti hesht. Dje kam menduar se ka edhe një pedofili më të rrezikshme që është ajo politike. Në ditën kundëra diskriminimit, fëmijët e Durrësit janë diskriminuar duke u nxjerrë në shi, duke u lagur, duke u dridhur, duke prishur proçesin mësimor vetëm se u hap lajmi se do të vinte zonja Jozefinë. A është kjo pedofili politike dhe a është kjo më e rrezikshme? Natyrisht që nuk ka qenë rasti i parë. Dhunimi i tyre nga ata që janë përfaqësues të shtetit, nga ata që i kanë kthyer shkollat dhe proçesin e mësimdhënies në mejhane është treguesi i parë që fëmijët i kemi të dhunuar. Është ky degradim i pedofilisë politike në shumë institucione, madje në polici, gjykata më shumë që pjellë monstra si ky i ditëve të fundit. Një prind i papunë, një prind që hiqet nga puna, do t’ia detyrojë fëmijën të gënjehet me pesë lekë, një palo drejtues që le agjencinë dhe i lë nxënësit në dorë të zuskave që ju ka marrë katër apo pesë mijë euro do t’i përballë ato gjithnjë me pedofilë, pasi lidhja e tyre është organike dhe nuk ka pasur në këtë vende pushtet më të rrënuar. Shoqëria jonë nuk është pedofile, thjesht janë pak, shoqëria jonë ka përgjegjësi se nuk reagon ndaj pedofilisë politike që pjellë gjithçka dhe që janë shumë!