Home Sociale Në kërkim të tregut/ Dy bujq, dy histori të ndryshme! Pse tregu...

Në kërkim të tregut/ Dy bujq, dy histori të ndryshme! Pse tregu vendos suksesin

Fermeri nga Lushnja, Besnik Qerreti vazhdon të jetë në kërkim të tregut. Dy vite më parë Besniku thotë se bëri zgjedhjen e gabuar që në 4 dynym tokë mbolli pjeprin që nuk gjeti kurrë treg.

“Kemi pas raste  që i kemi hedhur në kanal. Dhe bostan që kam pas këtu tek një sipërfaqe 4 dynym  nuk pati treg pasi ishte 100 lekë të vjetra kilogrami edhe u detyrova e hodha në kanal. Minimalja kam hedhur mbi 250 kuintal bostan. Edhe u detyrova tani për të pastruar tokën dhe për të kap sezonin mbolla sërish kastravec.”– tha fermeri Besnik Qerreti.

Besniku edhe pse ka mbi 13 vite që punon tokën, ai thotë se kurrë nuk e ka studiuar  tregun, por ka ndjekur vetëm intuitën  e tij. Mungesa e orientimit shumë herë e ka çuar atë në kulturën e gabuar bujqësore.

“Në si fermer që jemi si puna asaj makinë pa timon nuk kemi një orientim se çfarë duhet të mbjellim dhe se çfarë kërkon tregu, por ne ecim të gjithë mbas hamendjes sonë. Çfarë eci këtë vit, çfarë mbollëm vitin e kaluar dhe nuk kemi një farë orientimi se çfarë duhet të mbjellim. Ky është defekti i madh që na vjen nga mungesa e orientimit. “– tha fermeri Besnik Qerreti.

Fermerët në çdo sezon bujqësor ankohen për mungesë tregu. Me këtë problematike 3 vite më parë u ndesh dhe 30 vjecari nga fshati Cengelaj i Peqinit. Kastriot Kurti, , kuptoi se mollëve të mbjella nga babai i tij, u kish ardhur koha të zëvendësoheshin me një kulturë të re bujqësore.

“Këtu ka qenë plantacion mollësh zakonisht për afro 15 vjeçare, 4 – 5 vitet e fundit   tregu ra pastaj detyrimisht i eleminuam mollët dhe  më pas lindi kjo ideja më të cilën krijuam plantacion miks.”- tha fermeri Kastriot Kurti.

Pasi kërkimeve në internet Kastrioti u njoh me dy lloje frutash, aronian amerikane, frut ky që bën pjesë në familjen e boronicave, dhe goxhiberrin nga Tibeti.

“Kultivimi nis në formë të rastësishme nga hulumtimet në internet, sepse unë kam mbaruar edhe studimet e larta për IT dhe punoj për projektet e huaja. Isha kurioz për ide më të reja dhe një ndër to pastaj në një ditë të rastësishme rastisëm me një bimë çudibërëse sic quhet goxhibarry dhe isha kurioz për të studiuar akoma më tej rreth kësaj bime dhe thash pse mos ta kultivoj edhe këtë që është risi e re në Shqipëri.”– tha fermeri Kastriot Kurti.

Tre vite më parë 30 vjeçari një kilogram mollë e shiste 15 lekë të reja, ndërsa sot 1 kilogram goxhiberry Kastrioti e shet 20 euro. Në Shqipëri fermat që kultivojnë goxhiberrin ose siç njihet ndryshe frutin e shekullit numërohen me gishtat e dorës, ky është një avantazh për Kastrionit dhe kolegët e tij të cilët kuptuan të parët se çfarë kërkon konsumatori.

“Në Shqipëri nuk njihet shumë pak, janë dyqane bio ato që e marrin sepse ky frut nuk pranon pesticide, kimikate, plehra kimike gjithçka është bio edhe dyqanet më të interesuar janë në Tiranë. 1 kg është 20 euro ndërsa aronia është 7 euro”- tha fermeri Kastriot Kurti./ Top Channel