Home Histori Në banjat e Durrësit, vitet 1930

Në banjat e Durrësit, vitet 1930

Ku dhe kur filloi tё frekuentohej pёr herё tё parё plazhi nё Shqipёri? Si dhe pse u zgjodh Durrёsi? Natyrisht, jo plazhi i madh i sotёm. Ata qё janё kureshtarё, le tё lexojnё reportazhin e mёposhtёm, tё cilin e kam riprodhuar tekstualisht nga numri i parё i revistёs “Minerva”, gusht 1932. Nuk ёshtё pa interes.

Nё banjat e Durrёsit

Z. Niko Lezo ëndëron, ndofta, të quhet një ditë themelonjës i Kryeqytetit veror të Shqipërisё. Po e drejta është se z. Niko Leso në këtë çështje nuk ka veçse një meritë e një sukses: i parashëkoi punët dhe. para tre vjetëve, ngrehu barakën e parë e të vetme në zallishten e Shkëmbit të Kavajës, në vendin ku, duke pasur këmbën e mbarë ay, janë ngrehur sot nj’a njëqindë e ca baraka, e ku një ditë do të shohëm pa dyshim kryeqytetin veror e luksoz të Shqipërisë. 
Themelonjësi i vërtetë i këtij Kryeqytetit veror të sotëm e t’ardhëm është, si ç’thuhet, i mirnjohuri z. Gjeneral de Ghilardi. Istorija është kjo: kërkohej një vënd, buzdeti, ku Mbreti i ynë të shkonte nj’a dy muaj të verës duke bërë banja. Zgjedhja e të ngarkuarve me këtë punë i ra limanit të quajtur Porto Romano, në Durrës. Gjeneral de Ghilardi s’e pëlqeu. atë vënd. Syt e tij t’ushtarit, të mësuar të zgjedhin vëndet që i kanë të gjitha cilësitë, kishin rënë mbi zallishten e Shkëmbit të Kavajës. Dielli, ajri, deti, rrëri, mjetet e komunikatës …… të gjitha këto ishin më të përshtatshme atje për një zallishte mbretnore. Gjenerali, pra, nuk mjaftoi të sugjerojë idenë, po dhe luftoi për të, nguli këmbë që të bëhej atje zallishteja mbretnore dhe e fitoi davanë. 
Eksperienca e tregoi se gjenerali kish shumë të drejtë. Një vend kaq i përshtatëshëm. jo vetëm për plazh po edhe për një kryeqytet veror, nuk ishte kurrë Porto Romanua. Dhe ja sepse: një fjalë popullore thotë se po të duash të kesh hair nga bota të rish o afër detit o afër Mbretit. Mirë po zallishteja e sotme i ka të dyja bashkë të dy të mirat dhe kështu mbushet vjet për vjet me baraka të ra, kurse në Porto Romano s’kish possibilitet që të ngriheshin kaq baraka e sidomos banja të përgjithёshme bashkijake. Pra, Shqiptarët që do të kërkonin të jenë vetëm afër detit do t’ishin fare të pakët e zallishteja e sotme e Shkëmbit të Kavajës nuk do të kish lulëzimin që ka sot. Kështu, do të kishim mbase plazhe, po jo një kryeqytet veror. A s’ësht e drejtë, pra, që gjeneral de Ghilardi të quhet themelonjësi i Kryeqytetit veror t’onë?… Dhe a-nuk ësht e drejtë që ky Kryeqytet i cili në t’ardhmen do të jetë shumë luksoz sikundër na paralajmojnë shënjat, të quhet qyteti Ghilardi ?

□ □ □

Qetësi e madhe, diell e qiell boll, ajr i freskët, një jetë krejt shëndetësore, sa do që me shumë pak komoditet …… Ja ç’është zallishteja popullore e Shkëmbit të Kavajës. Në vënd të dëfrimeve, që të lodhin nevrat, të plazheve evropjane, ne kemi thuaj se një jetë shqiptare të qetësisë në të vetmin plazh t’onë. Një jetë familjare që nuk e kapërcen kufinë e intimitetit shtëpiak dhe atë të mardhënjeve miqësore. Traditat shqiptare nuk vuajnë as pak. Secila familje brënda e përpara barakës së saj shijon përkdheljet e ajrit e të ujit, në qetësi e sekuritet të plotë. Fër veç disa të rriturve keq, me edukatë jo shqipëtare po kosmopolite e libertine, njerëzija venë e vijnë dhe shëtisin ose lahen pa shëkuar reth e rotull, pa i këthyer syt nga barakat e tc tjerëve. Dhe jeta shkon me ëmbëlsi, pa çqetësime e pa turbullim. Vizitat miqësore, këndimi ose një punë dore mbushin kohët që teprojnë.

□ □ □

Por kjo jetë e qetë, plot shëndet fizik e moral, është privilegji i grave, i fëmive dhe i pak të lumturve që s’ua bren zëmërën ndonjë passion i mshehët apo i çfaqur. Ka edhe njerës që s’kanë ngrehur barakë dhe s’rrinë natë e ditë në zallishte veçse për të shkuar një jetë çqetësimi. Ky fat i keq i tyre, të cilën e meritojnë, rjedh nga shkaku se vëndin që natyra e ka krijuar për zallishte ata kanë dashur t’a bëjnë vënd gjutije politike ku që në mëngjes fillojnë të shikojnë se kush shkon e kush nuk shkon në Banjat Mbretnore.
Dhe kur shkon ndonjë i afërm i Mbretit, e përshëndesin me respekt të math, në dukje, pse janë të mendimit se fushata e zgjedhjeve t’afërme parlamentare bëhet më mirë në zallishte se sa në Tiranë. Skllevë t’ambisjonit të tyre, këta nuk dijnë se ç’do me thënë të gëzojnë jetën dhe natyrën, nuk dijnë sidomos se e mira e së mirave, në ka të mira, është prëhja e shpirtit e të trupit nënë një qiell të kaltërtë shqiptar e «plot me yje» siç thotë vjershëtori.

□ □ □

Jeta e banjës është mjaft e mirë edhe në banjat e përgjithëshme të Bashkisë, të drejtuara prej Rexhep …. beut, si ç’u pёlqen klientëve t’a thresin. Po për veç të dielave! Të dielat është një farë kijameti atje: shumicë e madhe e potere, vërtetë gazmore, por thuai se edhe shurdhonjëse. Shërbimi, sidomos, vuan mjaftë, nga mungesa e organizimit ndofta. sepse sa për personelin, ata përpiqen me mish e me shpirt për të kënaqur njërëzinë: përpjekje shterpe, pse më të shumët e klientëve kërkojnë Avropën në shkëmbin e Kavajës! Po këta harojnë se njeriu me pak vullnet të mirë mund, për bukuri, të kёnaqet, sidomos duke konstatuar se sido kudo puna ka nji pёrparim, nji evolusjon: 
Tre vjet më parë s’kish veçse rrër e det n’atë vend. Tani ka oda me shtrete, makari të skatëruarë, e një restaurant mjaft të shijshëm, birrë të ftohët e pjepra të lira …. Shkurt, kemi një vënd ku mund të shkojmë një ditë pushimi mjaft të këndëshme, e ku trupat vijnë në kontakt direkt me ajrin, me diellin e me …. sytë. Mot ndofta do të kemi një palace të vogёl e modern, po mos harroni të krypur edhe nga çmimet! … 
Të dijmë, pra, të kënaqemi e të presim…..N. Ç. /Nga Thoma Qendro